Mirëpritja e Atit i tejkalon pritjet tona

Aug 7 • Meditimi i ditës

7 gusht 2016 – E diela 19-të gjatë vitit `C`, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Urt 18, 6-9Ps 33, 1.12.18-20.22Heb 11, 1-2.8-19Lk 12, 32-48)

 

Prania e Hyjit

Në heshtjen e qenies sime më intime,
në fragmentet e unitetit tim shumë të dëshiruar,
a mund ta ndiej pëshpëritjen e pranisë së Hyjit?
A mund të më kujtohet kur e kam ndjerë afërsinë e Zotit;
kur kemi ecur bashkë, duke i lejuar që të jem i përqafuar nga dashuria e Zotit?

 

Liria

Lehtë është të biesh në grackën e pasurisë së kësaj bote.

Më jep hirin, o Zot, që të mund të jem i/e lirë nga lakmia dhe egoizmi.

Ma përkujto se gjërat më të mira në jetë janë falë – gratis.

Dashuria, buzëqeshja, përkujdesja dhe bashkimi.

 

Ndërgjegjësimi

Bëj, o Zot, që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e dhe mirënjohës/e

për të gjitha bamirësitë që m`i ke dhënë.

Këtë bekim ta ndaj gjithmonë me të tjerët.

 

Fjala

Në gjendjen momentale të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me besim.
Beso se Shpirti Shenjt është i pranishëm
dhe që ai mundet të të frymëzojë për ta zbuluar çfarë po të flet ky tekst i sotshëm.
Lexo me vëmendje dhe kuptim; përgjo çfarë po ndodhë në zemrën tënde.

 

Lk 12, 32-48

 

32 Mos ki frikë, o tufë e vogël, sepse Atit tuaj i pëlqeu t’ju japë mbretërinë. 33 Shitni pasurinë tuaj dhe jepni lëmoshë! Bëni për vete trasta që nuk vjetrohen, një thesar të pashtershëm në qiejt, ku vjedhësi nuk arrin dhe tenja nuk bren. 34 Sepse atje ku është thesari juaj, atje do të jetë edhe zemra juaj.” 35 Le të jenë ngjeshur ijët tuaja, dhe llambat ndezur. 36 Ngjajini atyre që presin zotërinë e tyre, kur kthehet nga dasma, për t’ia hapur derën sapo të vijë dhe të trokasë. 37 Lum ata shërbëtorë, që zotëria, kur të kthehet, do t’i gjejë zgjuar! Në të vërtetë po ju them se ai vetë do të ngjeshet dhe do t’i vendosë ata në tryezë, dhe ai vetë do t’u shërbejë. 38 Dhe, në se do të vijë në të dytën a në të tretën rojë të natës dhe t’i gjejë kështu, lum ata shërbëtorë. 39 Por ta dini këtë: se po ta dinte i zoti i shtëpisë në cilën orë i vjen vjedhësi, do të rrinte zgjuar dhe nuk do të linte t’i shpërthenin shtëpinë. 40 Edhe ju pra, jini gati, sepse Biri i njriut do të vijë në atë orë që nuk e mendoni.” 41 Dhe Pjetri i tha: “Zot, këtë shëmbëlltyrë po e thua vetëm për ne apo për të gjithë?.” 42 Dhe Zoti tha: “Kush është, pra, ai administrues besnik dhe i mençur, që do ta verë zotëria përmbi shërbëtorët e vet për t’u dhënë atyre racionin e ushqimeve në kohën e duhur? 43 Lum ai shërbëtor të cilin zotëria e tij, kur kthehet, e gjen se vepron kështu. 44 Në të vërtetë po ju them se ai do ta vërë mbi gjithë pasurinë e vet. 45 Por, nëse ai shërbëtor mendon në zemër të vet: “Zotëria im vonon të kthehet” dhe fillon t’i rrahë shërbëtorët dhe shërbëtoret, të hajë, të pijë dhe të dehet, 46 zotëria e atij shërbëtori do të vijë ditën kur nuk e pret, dhe në orën që ai nuk e di; do ta ndëshkojë rëndë dhe do t’i caktojë fatin me të pabesët. 47 Shërbëtori që e dinte vullnetin e zotërisë së tij dhe nuk u bë gati e nuk e kreu vullnetin e tij, do të rrihet shumë. 48 Por ai që nuk e dinte, po të bëjë gjëra që meritojnë të rrahura, do të rrihet më pak. Kujt iu dha shumë, do t’i kërkohet shumë; dhe kujt iu besua shumë, do t’i kërkohet më shumë.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Jezusi kërkon prej nesh të mos kemi frikë për të ardhmen, por të  besojmë në Atin që na do. Gjërat materiale, ajo çka kemi dhe paraja, nuk guxon të sundojë mbi ne. Ftesa e Tij që na drejtohet është që të rrimë zgjuar dhe të gatshëm kur vjen. Dhe ajo çfarë na pret është Mirëpritja e Atit e cila i tejkalon të gjitha gjërat që do të mund t`i prisnim.
  • O Zot, si mund të të falënderojmë fare për kujdesin tënd, dashurinë tënde të pakusht? Ti na pranon plotësisht dhe dëshira e jote është që të kemi hirin tënd me bollëk. Na ndihmo që të realizojmë gjithçka që mundemi, sepse Shpirti yt banon në ne.

 

Bashkëbisedimi

O Zot, e di që fjalët nuk janë të nevojshme kur të drejtohem ty.

Ti shikon në thellësinë e zemrës sime.

I njeh dëshirat dhe nevojat e mia.

Po lëshohem në duart e tua.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »