A jam mirënjohës/e për veprimin e Zotit në jetën time?  

Aug 11 • Meditimi i ditës

11 gusht 2016 – e enjte, Shën Klara, MOMENT I SHENJTË – Lutja e përditshme
 (Leximet e ditës: Ez 12,1-12; Ps 77; Mt 18,21-19,1)

 

Prania e Hyjit

Ndalu një moment dhe paramendoje se si Hyji është duke të vështruar. Ati, Biri dhe Shpirti Shenjt gëzohen për dëshirën e madhe tënde që këtë kohë po ia kushton lutjes.

 

Liria

Kur e ndiej veten të robëruar dhe kur gjithçka më tendosë, më ngarkon,
madje edhe atëherë kur rrezet e diellit nuk arrijnë në vendin ku ndodhem,
edhe atëherë, në heshtjen e heshtjes, shpirti im është i lirë dhe i papenguar.
Në këtë liri të shpirtit po të drejtohem ty.

 

Ndërgjegjësimi

Duke e ditur që Hyji më do pa kushte,
Mund t`i lejoj vetes që të jem i sinqertë në atë çfarë jam.
Si kaloi dita? Si po e ndjej veten në këtë moment?
Krejt hapur, do t`i ndaj ndjenjat e mia me Hyjin.

 

Fjala

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Mt 18,21-19,1

 

21 Atëherë Pjetri iu afrua dhe e pyeti:

“Zotëri, nëse vëllai im gabon ndaj meje, sa herë duhet ta fal? Deri në shtatë herë?”

22 Jezusi iu përgjigj:

“Nuk po të them deri në shtatë herë, por deri në shtatëdhjetë herë shtatë herë!

23 Prandaj Mbretëria e qiellit i përngjan mbretit që vendosi të rregullojë llogaritë me shërbëtorët e vet. 24 Kur filloi të bëjë llogari, i sollën njërin që i kishte detyrim dhjetë mijë talenta. 25 E, pasi nuk kishte t’ia kthente, zotëria i tij dha urdhër të shitej ai, gruaja e tij, fëmijët e tij dhe krejt pasuria e tij e të kthehej detyrimi. 26 Atëherë shërbëtori i ra ndër këmbe dhe iu lut: ‘Ki durim me mua dhe do t’i kthej të gjitha!’ 27 Zotëria pati mëshirë ndaj atij shërbëtori, e liroi edhe ia fali detyrimin.

28 Porse, pikërisht ky shërbëtor, duke dalë prej andej, u takua me një shok të tij, gjithashtu shërbëtor, që i kishte detyrim njëqind denarë. Dhe, si e zuri, ia ngjiti në fyt duke i thënë: ‘Ma kthe detyrimin!’ 29 Atëherë shoku i tij i ra ndër këmbë dhe iu lut: ‘Ki durim me mua dhe do t’i kthej.’ 30 Por ai nuk deshi dhe shkoi dhe e futi në burg derisa të kthente detyrimin.

31 Kur shërbëtorët e tjerë ‑ shokët e tij, panë se ç’ndodhi, u pikëlluan për së tepërmi, shkuan dhe e njoftuan zotërinë për krejt çka ndodhi. 32 Atëherë zotëria i tij e thirri dhe i tha: ‘Shërbëtor i keq, unë ta fala tërë borxhin, sepse m’u lute. 33 A nuk u desh që edhe ti të kishe mëshirë ndaj shokut tënd, sikurse edhe unë pata mëshirë ndaj teje?’ 34 Atëherë zotëria i tij, i hidhëruar, ua dorëzoi torturuesve derisa të kthente tërë detyrimin.

35 Kështu do të bëjë me ju edhe Ati im qiellor, nëse s’e falni me gjithë zemër secili vëllanë tuaj.” 1 Si i kreu Jezusi këto fjalime, doli prej Galilesë e erdhi në krahinën e Judesë, matanë Jordanit.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm nga Shkrimi Shenjt

 

  • Kur flet për Mbretërinë e Zotit Jezusi na thërret që të shërbehemi me imagjinatë. Do ta imagjinoj dhe do të hyj në botën e këtij tregimi, kësaj historie. Do të mendoj se sa herë më është falur dhe sa herë i fali të tjerët.
  • Kurrë nuk do të mund ta vlerësoj dhe të jem mirënjohës/e për veprimin e Zotit në jetën time, derisa mos të gjej kohë dhe ta pranoj dhe të jem mirënjohës/e për gjithçka, që Zoti tashmë është duke bërë për mua.

 

Bashkëbisedimi

I vetëdijshëm se ende jam në praninë e Hyjit,
e paramendoj Jezusin sesi qëndron apo është ulur afër meje,
dhe i flas gjithçka kam në mendje, çfarë ma thotë zemra,
si shoku shokut.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »