Të lutemi për çiftet bashkëshortore

Aug 12 • Meditimi i ditës

12 gusht 2016 – e premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Ez 16,1-15.60.63 ose Ez 16,59-63; Ps: Is 12,2-6; Mt 19,3-12)

 

Prania e Hyjit

Jezusin mund ta kërkojmë në cilëndo kohë të ditës a të natës.
Ai gjithmonë pret, duke përgjuar thirrjen tonë.
Çfarë bekimi i mrekullueshëm!
Nuk kam nevojë as për telefon as e-mail, vetëm një pëshpëritje.

 

Liria

Lus për hirin e fesë, të besoj
në gjithë atë çfarë do të mund të bëhesha dhe të bëja
vetëm po t`i dorëzohesha Hyjit, atij që krijon gjithçka nga dashuria,
që të vazhdojë të më krijojë, udhëheqë dhe formojë.

 

Ndërgjegjësimi

O Zot, ma ke dhënë natën për pushim dhe fjetje.
Në momentet e mia kur jam zgjuar kurrë mos e harrofsha mirësinë tënde.
Më mëso që bekimin tënd ta ndaj me të tjerët.

 

Fjala

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Mt 19, 3-12

 

3 Atëherë iu paraqitën disa farisenj dhe, me qëllim që ta sprovonin, e pyetën: “A është e lejueshme ta lëshojë burri gruan për ndonjë arsye.” 4 Jezusi iu përgjigj:

“A nuk keni lexuar: Krijuesi, kur i krijoi në fillim i krijoi mashkull e femër 5 e tha: ‘Për këtë arsye njeriu do ta lërë babain e nënën e vet e do të jetojë me gruan e vet e të dy do të jenë vetëm një trup?’ 6 Kështu ata nuk janë më dy, por një trup i vetëm. Prandaj: çka Hyji bashkoi, njeriu të mos e ndajë!”

7 Por ata vijuan:

“E përse atëherë Moisiu urdhëroi: ‘të jepet letërndarja e të lëshohet?’

8 Ai u përgjigj:

“Moisiu ju lejoi t’i ndani gratë tuaja për shkak të karakterit tuaj të pagdhendur. Por në fillim nuk ka qenë ashtu. 9 Kurse unë po ju them: Kush e lëshon gruan e vet ‑ përveç në rast të fëlligështisë ‑ e martohet me një tjetër grua, bën kurorëthyerje; po edhe ai që martohet me gruan e ndarë, bën kurorëthyerje.”

10 Nxënësit i thanë:

“Nëse qenka e tillë gjendja e burrit ndaj gruas, atëherë është më mirë të mos martohet njeriu!”

11 Ai u përgjigj:

“S’e kuptojnë të gjithë këtë fjalë, por vetëm ata që e morën dhuratë këtë kuptim. 12 Sepse, ka njerëz që janë që nga barku i nënës të paaftë për martesë, ka edhe nga ata që njerëzit i bënë të paaftë për martesë dhe ka nga ata që i bien mohit martesës për dashuri të Mbretërisë së qiellit.

Kush mund ta kuptojë, le ta kuptojë!”

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Është fakt i jetës që martesat prishen, e kjo çon në dhimbje dhe vështirësi – posaçërisht kur janë në pyetje fëmijët. Të lutemi për të gjithë çiftet, që ndoshta janë duke kaluar nëpër këtë përvojë. Të lutemi edhe për çiftet që duan të hyjnë në martesë dhe vendosin për të marrë këtë thirrje jete të mrekullueshme dhe të bekuar.
  • O Zot, ke qenë i ftuar në dasmë në Kanë. Ti kujdesesh për martesa dhe kjo është arsyeja pse lutemi për të gjitha çiftet. Ktheje ujin e ankthit dhe frikës së tyre në verë besimi në Ty. Aftësoji të jetojnë bekimin e sakramentit, që e kanë marrë kur janë bashkuar si burrë dhe grua.

 

Bashkëbisedimi

Fjalët tua, o Zot, më mësojnë  se si duhet të lus.
Urata e mrekullueshme Ati ynë
përmban  gjithçka dua të them.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim ashtu tash
E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »