Këshilla për përdoruesit e moshës së re të internetit

Aug 13 • Bota e të rinjve

Një raport i kohëve të fundit thotë se në botën e sotme s`po ka vende të shenjta, një kënd për t`i kushtuar vëmendje dimensionit shpirtëror, për shkak të përdorimit të tepruar të teknologjisë digjitale. Ekziston një varësi në rritje nga interneti, madje edhe në mesin e fëmijëve të vegjël. Një nënë njëherë e kishte përshkruar se si një natë ia kishte marrë iPad-in fëmijës së vet. Fëmija ia kishte shkrehur të qarit, derisa ishte lodhur. Mëngjesin tjetër, gjëja e parë që fëmija kishte kërkuar kishte qenë iPad-i i tij dhe e kishte përdorur atë gjatë gjithë ditës. Por, ndodh që fëmija është duke i imituar prindërit e vet të cilët ndihen “të lënë pas dore” nëse s`do t`i përgjigjeshin thirrjeve të shumta që iu drejtohen.

Për ta liruar veten, ashtu të themi, nga PC-ja – Përdorimi i çrregullt i internetit – kemi nevojë për disiplinë dhe vetë-kontroll. Qëllimi pozitiv i saj do të ishte për t`i siguruar vetes pakëz paqe shpirtërore. “Momenti i shenjtë – Lutja e përditshme” e bën pikërisht këtë gjë!

Shën Pali këmbëngul kur thotë se Hyji është `zemërgjerë` (khs. 2 Kor 9,8), prandaj kurrë s`do të zhgënjehemi nëse i kushtojmë kohë cilësore lutjes dhe reflektimit për gjërat e Hyjit. Për të qëndruar gjallë dhe për t`u rritur në brendësinë tonë, kemi nevojë për të mbajtur një hapësirë të qetë dhe të hapur të cilën vetëm fjala e Zotit mund ta plotësojë. Jezusi e dinte këtë shumë mirë. Siç pat thënë, “Njeriu nuk jeton vetëm prej buke, por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit” (Mt 4,4; Lp 8,3).

Duke e përdorur në jetën e përditshme `Momentin e Shenjtë` zëri i Shpirtit të Zotit do të na flasë. Në shpellën e zemrës sonë Hyji pret – çfarë pret? Hyji pret `për të pas mëshirë për ne.` (khs. Is 30,18). Kjo është arsyeja pse dashuria hyjnore është e ndezur në ne dhe na pasuron, dhe rrezaton mbi të tjerët.

Ja edhe një reflektim i ndihmës ipeshkvit Marian Eleganti lidhur me përdorimin e internetit, sidomos për ata që kanë moshë të re dhe ndoshta nuk kanë përvojë e janë duke luftuar për të gjetur masën e duhur.

“Të nderuar miq të rinj, në internet, në të gjitha kanalet, në YouTube dhe Video-kanale, Fastfood-gazeta për shkarkim (20 minuta) ekzistojnë shumë “tundime”. Pa dyshim që kemi nevojë për të ushtruar qasjen ndaj tyre dhe ta mësojmë një vigjilencë të vazhdueshme, nëse nuk duam që vazhdimisht të na marrë era, të humbasim. Kur lundrojmë në internet më shumë ose më pak të pakujdesshëm dhe me neglizhencë hasim në mënyra që na çojnë në fund atje ku ne në fakt s`donim të shkonim. Mjafton kurioziteti ynë dhe “rastësia” pak a shumë e madhe. Ne bredhim me dëshirë dhe pa plan në internet në kërkim të asaj çfarë do të mund të përpinim, të shikonim, përjetonim, konsumonim. Në këtë formë shkapërderdhjeje dhe kënaqjeje të kureshtjes me të gjitha llojet e përmbajtjeve, që për ne personalisht në thelb janë pa kuptim dhe pa asnjë fitim, ne lejojmë t`i përdorim kryesisht në mënyrë pasive, ose diçka në ne (dëshira e zemrës) e kërkon dhe dëshiron atë. Kryesisht qëndrimi pasiv, që vetëm konsumon, i veson ndjenjat, shqisat dhe mendjen, dhe gjithnjë e më shumë i vë në gjumë, lejon të përpunohen nëpërmjet strategjive të sofistikuara të ofruesve të cilët i njohin konsumatorët e tyre, na bën të dobët. Me këtë dobësi llogarisin ofruesit. Qëndrimi pasiv nga ana jonë duke lejuar të na ushqejnë me lugë, nuk lejon fare të lindë një mbrojtje dhe e vë në gjumë vigjilencën. Nëpërmjet kësaj pastaj ndërtohet një vorbull, e cila është synuar nga ofruesit. Kjo është veçanërisht e vërtetë kur pas një dite intensive punëtore vijmë të lodhur në shtëpi, thjesht e ndezim kompjuterin, pakëz lundrojmë në internet, duam të bisedojmë ose të shkëmbejmë ndonjë llaf, mbështesim kurrizin dhe lëshohemi, thjesht ose konsumojmë në mënyrë pasive (duke menduar mirë, se një zbavitje dhe relaksim tani do të më bëjë mirë) ose me qëllim për të kërkuar kontakt të ri me ata me të cilët tashmë komunikojmë gjatë gjithë ditës. Ka shumë oferta.

Stop! Së pari vendosni Ju më parë se çfarë doni të shihni apo dëgjoni! Ose, mos jeni duke kërkuar shumë më mirë heshtjen! “Habitare secum”, e quanin këtë murgjit: të banosh (dhe të qëndrosh) te vetja. Për shkak se kjo i hap zemrat tona për zërin e Zotit, që ndryshe më nuk jemi duke e dëgjuar. Zgjedhni! Së pari studiojini programet, zgjedhni atë që Ju bënë mirë dhe vërtetë ju përparon, ndërton, ju sjellë edhe më afër ZOTIT dhe vetes tuaj. Lutja (të bisedosh me Zotin) në vend të lundrosh në internet dhe të bësh llaf në çat. Të krijosh heshtje!

Sidomos kjo: Para se të shkosh në shtrat të lejosh një gjysmë ore të tërhiqesh në qetësi dhe paqe, të mos shkosh më në facebook, etj. Të dalësh jashtë nga rrjeti! Augustini ankohet: “TI ishe brenda. Unë isha jashtë! E hodha veten në gjëra të mira!” të cilat pastaj suksesshëm e mbanin larg nga ZOTI, nga kryesorja, esencialja!

Ju do të flini shumë më ndryshe në qoftë se gjysmëorën e fundit para se t`i mbyllni sytë për të fjetur ia jepni ZOTIT dhe dëgjimit të zërit të tij. Një libër i mirë mund të ndihmojë dhe t`i hapim zemrat tona ndaj Tij. Të bisedosh me ZOTIN dhe të dëgjosh zërin e Tij, pastaj duke u lëshuar në duart e Tij të shkosh të flesh! Kjo është shumë më mirë sesa zemrës, shqisave, imagjinatës përsëri tua shtosh lloj-lloj gjërash të “botës”, që me plot imazhe dhe shqisa të ngarkuara më në fund ta fikësh, ta mbyllësh kompjuterin dhe të biesh në gjumë, shpesh herë tepër vonë pas kohë së humbur pa nevojë duke pëlqyer për të biseduar në chat ose qejfit për të bërë tregime në blogje, etj.
Së pari, ne duhet të vendosim, duhet vendosur në thellësi se çfarë duam dhe çfarë nuk duam. Ne duhet të jemi të qartë se çfarë duam për të shmangur. Rrugët e gabuara dhe kryqëzimet që na çojnë rrugëve të humbura, duhet t`i dimë nga përvoja, dhe pastaj me qëllim tu kthehemi rrugëve të tjera, të udhëhequr nga vajosja e Shpirtit Shenjt, që na mëson dhe tregon ato të gjithëve! Ai e pëlqen dëlirësinë.

 

Rreziku Nr. 1: Të humbësh shumë kohë në rrjet (Ekologjia e medieve e domosdoshme!)
Rreziku Nr. 2: Kurioziteti (të lundrosh në internet-të bisedosh në chat – të ndërrosh vazhdimisht kanalet, na sjell në humbje)
Rreziku Nr. 3: Pasiviteti (konsumimi vë në gjumë mbrojtjen; ne jemi të pambrojtur, të prekshëm, dhe më në fund lëshohemi; t`i rezistojmë vorbullës)

 

Para se të biesh në gjumë: një gjysmë ore heshtje dhe lutje. Offline me botën, online me Zotin.”

 

Përgatiti: Shtjefen Dodes SJ

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »