“Mos luaj me zjarr!”

Aug 13 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela XX gjatë vitit `C`

 

Leximi i parë  (Jer 38, 4-6. 8-10)

Lexim prej librit të Jeremisë profet

Atëherë paria i thanë mbretit: “Kërkojmë që të vritet ky njeri: me qëllim po ua humb guximin luftëtarëve që qëndrojnë në këtë qytet dhe mbarë popullit duke u thënë fjalë të tilla, sepse ky njeri nuk kërkon të mirën e këtij populli, por të zezën.”

Mbreti Sedeci tha: “Ja, ai është në duart tuaja; mbreti s’ka se si t’ju mohojë ndonjë gjë!” Kështu, pra, e morën Jereminë dhe e hodhën në një sternë të Malkisë, birit të mbretit, që ishte në oborr të burgut. Në sternë Jereminë e lëshuan me litarë. Në ubël nuk kishte ujë, por baltë. Kështu Jeremia u zhyt në baltë.

Abdemeleku doli nga pallati mbretëror dhe foli me mbretin. I tha: “Imzot, o mbret, kanë vepruar keq ata njerëz gjithçka kanë bërë kundër profetit Jeremi: e kanë hedhur në ubël që të vdesë aty prej urisë, sepse në qytet nuk ka më bukë!” Atëherë mbreti i dha Abdemelekut etiopas këtë urdhër: “Merri me vete prej këtu tre burra dhe nxirre profetin Jeremi nga ubla para se të vdesë!”

Fjala e Zotit

 

Psalmi 40

Ref: Eja shpjet, o Zot, e më shpëto.

—————————————-

Me shpresë të gjallë shpresova në Zotin

dhe ai u prir drejt meje,

e vështroi britmën time.

—————————————-

Ai më nxori nga gropa e mjerimit,

nga gropa plot baltë,

këmbët m’i qiti mbi shkëmb

dhe m’i bëri të fortë hapat.

—————————————-

Në gojë më vuri një këngë të re,

himnin e Zotit, Hyjit tonë.

Shumë do të shohin e do të druajnë

dhe do të shpresojnë në Zotin.

—————————————-

 

 Leximi i dytë (Heb 12, 1-4)

Lexim i letrës së Shën Palit apostull drejtuar Hebrenjve

Vëllezër, të rrethuar me një mori kaq të madhe dëshmitarësh, ta flakim tej çdo barrë dhe mëkatin që na pengon dhe të vrapojmë me qëndresë në luftimin që na u caktua, me shikim të drejtuar mbi Autorin dhe Përkryesin e fesë, Jezusin, i cili, në vend të gëzimit që i takonte, duroi kryqin duke e përbuzur turpin dhe ndenji në të djathtën e fronit të Hyjit. Mendoni, pra, atë që duroi nga ana e mëkatarëve një kundërshtim aq të madh kundër vetes, në mënyrë që ju të mos moliseni dhe të mos ju lëshojë zemra.

Ju ende, duke luftuar kundër mëkatit, nuk bëtë qëndresë deri në derdhje të gjakut.

Fjala e Zotit

 

Aleluja

Hape, o Zot, zemrën tonë,

 që t’i pranojmë fjalët e Birit tënd.

Aleluja

 

Ungjilli (Lk 12, 49-57)

Lexim i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Erdha të sjell zjarrin mbi tokë e sa dëshiroj të ishte tashmë i ndezur flakë! E po, më duhet të pagëzohem me pagëzim, e sa ngushtë jam derisa të kryhet!

A kujtoni se erdha të sjell paqen mbi tokë? Jo, po ju them, por përçarjen! Që tani, për të vërtetë, pesë anëtarë në një shtëpi, do të jenë të ndarë: tre kundër dyve e dy kundër treve:

babai do të zihet me djalin,

e djali me babain, nëna me të bijën, e bija me t’ëmën, vjehrra me të renë e reja me vjehrrën.”

Pastaj iu drejtua turmës:

“Kur shihni renë se çohet në perëndim, përnjëherë thoni: ‘Do të bjerë shi!’, dhe ashtu ndodh. Kur shihni se fryn shiroku, thoni: ‘Do të jetë vapë’, dhe bën vapë. Shtiracakë! Dukën e tokës e të qiellit dini ta çmoni, por këtë kohë nuk dini!?”

“Përse ju vetë nuk gjykoni vetvetiu ç’është e drejtë?

Fjala e Zotit

 

POROSIA

Me siguri, shumica prej nesh, jemi mësuar që Jezusin ta paramendojmë në bazë të figurave që i kemi parë: të mrekullueshëm dhe shërues, të veshur me mantel të bardhë dhe me fytyrë të butë duke predikuar Lajmin e gëzueshëm. Fjalët e tij: “Erdha të sjell zjarrin mbi tokë e sa dëshiroj të ishte tashmë i ndezur flakë!“, si duket na sjell një fytyrë tjetër të Jezu Krishtit. “A kujtoni se erdha të sjell paqen mbi tokë? Jo, po ju them, por përçarjen!“ Sikur këto fjalë nuk përputhen me atë “Bariun e mirë”, që e kemi dëgjuar në vende të tjera të Ungjillit apo e kemi shikuar herëve të tjera nëpër piktura të ndryshme. Zjarri dhe përçarja disi e rrënojnë çdo paramendim tonin të ëmbël të Jezusit. Përse Jezusi përdor kaq fjalë të ashpra? A nuk është rrezik, që dikush t`i marrë e t`i kuptojë ato fjalë për fjalë dhe të nxisë luftëra fetare? A thua nuk qenkan të vërteta pohimet se feja është shkaktarja e luftërave, terrorizmit në botë?

Jezusi edhe pse flet për zjarrin dhe përçarjen, ai nuk dëshiron të përçajë njerëzit as nuk ishte njeri i dhunës. As urdhërimi i tij dhe as misioni i tij nuk ishte që të gjitha medoemos, me dashje apo pa dashje, të kryheshin, dhe me drejtësinë më të rreptë të sillej gjithçka në vendin e vet. Porosia e tij radikale, d.m.th. mbrojtja e të varfërve dhe mbështetja e të nëpërkëmburve dhe të shtypurve nuk i solli atij vetëm gëzim apo kënaqësi.

Jezusi u jep zemër nxënësve të vet që të pagëzohen me zjarrin e Jezusit – zhytjen, konfrontimin e tij me ngjarjet e botës për ta shpëtuar atë. Ai i pyet në një vend nëse ishin të gatshëm ta pranonin të njëjtin pagëzim dhe të pinin të njëjtën gotë si vetë Ai. Nuk duhet të anashkalohet fakti se, mbi të gjitha, Ai këtë pagëzim me zjarr e kërkonte nga vetja. Ai kalon përmes një pagëzimi me zjarr – do të thotë përmes një konfrontimi të tij me udhëheqësit fetarë në Jerusalem, që përfundimisht e çoi atë në vdekje. Duhet të theksohet më tepër se ai pat hedhur poshtë çdo lloj përdorimi të dhunës në këtë konflikt. Ai nuk dëshiroi ta bënte veten liderin e atyre që duan t`i dëbojnë pushtuesit nga vendi…

Në rastin kur Jezusi flet për pagëzimin me zjarr vërehet ai zjarri nëpër të cilin është dashur të kalojnë të krishterët e shumtë të shekujve të parë. Ata qëndruan në konflikt me fenë romake të shtetit. Gjithashtu duhet theksuar se të krishterët në shekujt e parë nuk patën përdorur asnjë akt dhune. Vetëm më vonë pat ardhur deri te bashkimi ogurzezë i krishterimit dhe politikës. Kryqi u keqpërdor si shenjë e fushëbetejës dhe ngadhënjimit…

Arti për ta ruajtur flakën dhe për ta përdorur, atë për ta ndezur dhe për ta kontrolluar, ishte një prej sukseseve më të rëndësishme të historisë më të hershme të njerëzimit. Megjithatë edhe sot e kësaj dite ky element mban në vetvete një rrezik. Ne e dimë nga përvoja, që fuqia e zjarrit është e dobishme, vetëm nëse atë njeriu e kontrollon dhe e ruan. Në kohërat e lashta zjarri ishte edhe një shenjë, që u tregonte njerëzve të bëheshin gati – paraardhëse e sirenave/alarmeve të sotshme.

Zjarri ngroh kur bën ftohët dhe ndriçon errësirën. Nuk është e kotë kur në natën e Pashkëve ndizet zjarri dhe bekohet. Prej tij merret flaka dhe ndizet qiriu i Pashkëve.

Zjarri pastron, gjithashtu. Gjatë shekujve me zjarr sterilizoheshin “mjetet kirurgjike”, para së gjithash thikat për të qenë të pastra. Edhe kêmi i përdorur në liturgji apo shërbesa fetare digjet në zjarr dhe simbolizon ngritjen e lutjeve të besimtarëve tek Zoti. “Sinjalet e zjarrit” në kohërat e luftërave shënjonin porosi të zgjimit, vigjilencës dhe gatishmërisë. Edhe sot e kësaj dite për festa të ndryshme, nëpër vende të ndryshme, ndizen zjarre për të dëshmuar një ngjarje të rëndësishme që është duke ndodhur.

Zjarri duhet të ndizet, pastaj mund të tymosë, të qet flakë apo të digjet flakë. Mirëpo zjarri gjithmonë digjet. Është interesante, që “djegia” është edhe shprehje e dhimbjes. Mirëpo mund të ketë edhe një domethënie pozitive: të digjesh/shkrihesh për të tjerët, në kuptimin e angazhimit të zjarrtë për dobinë e përbashkët, të digjesh nga dashuria. Për Shën Augustinin flitej, se kishte një dashuri të zjarrtë ndaj Zotit. Për këtë arsye nëpër piktura ai paraqitet me cilësinë/atributin e zemrës së ndezur flakë.

Zjarri mund të jetë i rrezikshëm nëse del nga kontrolli, nëse “ndizet” me pamaturi. Nga përvoja e jetës ka lindur fjala, që na tërheq vërejtjen për mundësinë e “djegies si kashta”.

Luka ungjilltar (Lk 12,49-57) na sjell ndër mend raste të ndryshme të besimtarëve, në të kaluarën dhe në të sotmen, që angazhohen me afsh për çështjet e fesë, që kanë pasur dhe kanë një “besim të zjarrtë”. Por ekziston edhe fjala e mençur “mos luaj me zjarr”. Kjo na kujton edhe rastet që në emër të “religjionit” në konfliktet luftarake janë bërë vrasje masive. Është tronditëse, tragjikomike, e gabueshme kur sulme terroriste dhe krime të tjera bëhen në kontekstin fetar. Zjarri i ushqyer nga religjioni, për të luftuar të tjerët, shuhet më së vështiri. Dëm, kur një shkëndijë e vogël shkakton një djegie të një hapësire të madhe…

A thua Jezusi i ka grishur njerëzit për përçarje, kur ka folur për zjarrin e shpirtit. Zemra e Jezu Krishtit digjej nga “dhimbja”. Ne e njohim këtë nga dashuria e zjarrtë: “Zjarri i pasionit” – kur diçka e dëshiron me afsh. Jezusi dëshiron, që porosia e tij të ndizet, jo të tymosë, jo të shkrumbohet. Për këtë mision i duhen njerëz, që e ruajnë zjarrin dhe e lënë të ndizet, që kujdesen, që ai të japë dritë dhe të mos shuhet.

Në librin e Fjalëve të urta lexojmë: “Kur nuk ka drunj, flaka shuhet”.

Me fjalët dhe Porosinë e Jezusit është si me marrëdhëniet – raportin midis njerëzve. Njeriu duhet shikuar, që zjarri të mos shuhet. Për sa kohë që nuk qet flakë, mund të intervenohet dhe të ndizet, për të mos u tretur. Sepse flaka/zjarri o ndizet o nuk ekziston fare.

Besimi ynë i krishterë dëshiron që ne ta ndiejmë sfidën, atje ku në botën tonë, në jetën tonë dhe në veten tonë diçka nuk është në rregull dhe na jep zemër, që të ballafaqohemi dhe te bëjmë diçka për të mirën. Përballë të keqes nuk mund/guxojmë të qëndrojmë moskokëçarës dhe të pa interesuar!

  • Besimi i krishterë nuk mund ta pranojë luftën dhe shtypjen/nënçmimin në botën tonë
  • Besimi i krishterë nuk mund të qëndrojë pa vepruar, kur fëmijët në këtë botë vdesin urie apo kur ushtarët keqpërdoren.
  • Besimi i krishterë nuk mund të mos e vërejë, se njerëzit në shoqërinë tonë janë të margjinalizuar, për shkak se të ardhurat e tyre nuk mjaftojnë.

Zjarri, në Shkrimin Shenjt, nuk është simbol vetëm i drejtësisë. Ai është simbol edhe për Zotin veprues, simbol i dashurisë. Zoti është i amshuar, dhe ku është Amshimi aty është jeta, gjallëria, si zjarri. Zoti nuk është vetëm prush, që hesht, por edhe zjarr që qet flakë, ndikon, vepron.

Si të krishterë, duke u angazhuar për Mbretërinë e Hyjit, hasim në pengesa. Punët nuk shkojnë për të mirën e njeriut, për shkak të mëkatit në botë. Detyra e të krishterit është që të dalë në anën e të mirës, pra, që të mos heshtë para së keqes. Prej nesh pritet që të kemi besim të zjarrtë – për të mos bërë kompromis me të keqen!

Kjo vlen edhe për jetën private, familjare. Kur njerëzit që lëngojnë në shtratin e tyre tregojnë, se kanë qenë keq të kuptuar apo kanë qenë të shfrytëzuar, se janë të zhgënjyer nga njerëzit e tjerë, atëherë duhet t`u japim zemër, që këtë ta shprehin, edhe atëherë kur kjo nuk është e lehtë apo nëse kjo çon në tendosje. Mirëpo, kjo gjithashtu mundëson, që gjërat të qartësohen, që dy persona sërishmi të mund të ballafaqohen, të fillojnë të bisedojnë, që të flasin hapur njëri me tjetrin. Mund të shpie deri te ndasia, mirëpo mund të shpie edhe te bashkimi. Po nëse nuk do të veprohej kështu, atëherë do të mbetej një ndjenjë e keqe, se në jetë pritet diçka pa e ditur përse.

Në këtë mënyrë, atje ku për shkak të vullnetit të Zotit dhe të njerëzve, lëshohemi në konfrontim dhe pakënaqësi, pikërisht atë e provokojmë, që thelbi i porosisë së Mbretërisë së Hyjit, dashuria, angazhimi për jetën, të bëhet qartë e dukshme.

Nuk duhet neglizhuar zjarri i pasionit, me të cilin Jezusi shfaqet dhe e paraqet Mbretërinë e Hyjit dhe me të cilin i ndez shumë dishepuj të vet. Ky pasion si duket është bërë i huaj për ne sot. Ne disi durojmë, tymosim ashtu të themi, në një krishterim të butë, që nuk guxon të cytë dikë dhe vështirë se gjejmë dikë që flet apo jeton flaktë për gjëra të mëdha.

Një miku im prift thoshte: “Duke pasur parasysh tekstin e Ungjillit do të dëshiroja një krishterimin më të pasionuar, më të zjarrtë. Një Krishterim, që i vë në pyetje zakonet dhe traditat e të tjerëve, por edhe ato të vetat. Një Krishterim, që guximshëm i merr për t`i shqyrtuar dogmat e teknokratëve dhe mrekullibërësve ekonomikë – duke filluar nga ndërmarrjet në pronësi të kishës. Një Krishterim, që vizionin e Mbretërisë së filluar të Hyjit e çon tutje, dhe nuk barazohet me interesat e pushtetit kishtar.

Disa të krishterë janë të shqetësuar për ballafaqimin apo konfrontimin e brendshëm të kishës në vitet e fundit. Unë jam i shqetësuar për stilin me të cilën ato janë kryer, por unë mendoj se ato janë të nevojshme dhe të vonuara. Unë shoh në këtë diçka nga shkëndijat e pasionit të Jezusit …

Ne mund t`i heqim disa nga ndjenjat e frikës sonë përballë këtyre ballafaqimeve apo konfrontimeve, në qoftë se i marrim përsipër disa nga parimet e të krishterëve të parë: heqjen dorë nga çdo lloj dhune, madje edhe në forma delikate të dhunës, dhe ta drejtojmë shikimin tonë drejt Mbretërisë së Hyjit. Ne duhet ta kemi para sysh se në atë kohë më të fortit aty për aty dukej se po korrnin fitore, por nuk kanë arritur ta ndalojnë Mbretërinë e Hyjit.”

Ungjilli i sotshëm nuk është i lehtë, por ia vlen nëse angazhohemi në këtë kuptim. Ta lusim Zotin, që të na japë zemër që ajo të flakërojë për Mbretërinë e Hyjit, për të mirën tonë, që të na pastrojë për të qenë të aftë t`i ngrohim të tjerët. Amen.

 

Lutjet e besimtarëve 

Zot i mirë, bota jonë është e mbushur me konflikte dhe interesa kundërthënëse. Ne po t`i paraqesim shqetësimet dhe nevojat tona. Lutjen tonë të përbashkët e mbështesim me brohoritje: Dëgjoje, o Zot, lutjen tonë.

  • Krijo paqe midis popujve dhe bëj që të pajtohen në mes veti, atje ku armiqësitë po e pengojnë jetën e begatë së bashku, të lutemi.
  • Zgjo te të gjithë njerëzit respektin ndaj kulturave dhe besimeve të tjera fetare, të lutemi.
  • Tregoju popujve rrugët drejt një ekuilibri të interesave në luftën për lëndët e para, ujë dhe ushqim, të lutemi.
  • Jepu të gjithë njerëzve vullnetmirë fuqinë që të angazhohen për dinjitetin njerëzor, lirinë dhe drejtësinë, të lutemi.
  • Ringjalle dialogun ekumenik mes besimeve të krishtera, të lutemi.
  • Na jep forcën për të përballuar tendosjet brenda kishës dhe të gjejmë zgjidhje të mira, të lutemi.

O Zot, Biri yt Jezu Krishti erdhi në botë për të na pagëzuar me Shpirtin Shenjt dhe me zjarr. Na ndihmo që të ecim gjurmëve të tija, ti që jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.  – Amen.

  

Përgatiti: P. Shtjefën Dodes SJ

Shpërndaje

Comments are closed.

« »