(Pa)ndjeshmëri

Aug 13 • Meditimi i ditës

13 gusht 2016 – e shtunë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Ez 18,1-10.13b.30-32; Ps 50; Mt 19,13-15)

 

Prania e Hyjit

Jezusi pret për të hyrë në zemrën time, në heshtje dhe në mënyrë të padukshme.
Ai vjen me dashuri dhe fuqi të pamasë.
Më përshkoftë gëzimi që jam në afërsinë e tij.

 

Liria

O Zot, ma ke dhënë jetën dhe dhuratën e lirisë.
Unë ekzistoj në këtë botë falë dashurisë sate.
Më ndihmo që gjithmonë të di ta çmoj këtë dhuratë të jetës dhe që gjithmonë ta respektoj të drejtën e tjetrit për të jetuar.

 

Ndërgjegjësimi

Bëj, o Zot, që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e dhe mirënjohës/e
për të gjitha bamirësitë që mi ke dhënë.
Këtë bekim ta ndaj gjithmonë me të tjerët.

 

Fjala

Tani e lexoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.

Lexoj pa u ngutur

dhe vërej fjalinë apo ngjarjen që më flet diçka.

 

Mt 19, 13-15

 

13 Atëherë i sollën disa fëmijë të vegjël që t’i bekonte e të lutej mbi ta; porse nxënësit u bërtisnin. 14 Atëherë Jezusi u tha:

“Lërini fëmijët e mos ua ndaloni të vijnë tek unë! Sepse atyre që janë si këta u përket Mbretëria e qiellit.”

15 E, pasi i bekoi, u largua prej andej.

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Kjo ngjarje vjen pas mësimit të Jezusit mbi martesën dhe shkurorëzimin. Mbretëria e Hyjit u takon atyre që kanë zemër fëmije. Dishepujt këtë s`e kuptonin. A e kuptoj unë? A i lejoj Jezusit që t`i vë duart e tija mbi mua?
  • Jezus, na ndihmo që të kuptojmë se të gjithë ne jemi fëmijët e tu. Na mëso se si t`i afrojmë edhe të tjerët te ti. Mos lejo që t`i refuzojmë të tjerët me egoizëm dhe pandjeshmëri.

 

Bashkëbisedimi

A jam duke i vërejtur reagimet e mia gjatë kohës kur lus në bazë të Shkrimit Shenjt?
A është ajo për mua sfidë, ngushëllim apo më ngjallë neveri?
Ndërsa e paramendoj Jezusin se është ulur apo qëndron pranë meje,
me besim, si mikut tim më të mirë, i flas për ndjenjat e mia.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim ashtu tash
E përgjithmonë e jetës. Amen

Shpërndaje

Comments are closed.

« »