Zoja e Bekuar, shembull miqësie me Zotin dhe të tjerët

Aug 15 • Meditimi i ditës

15 gusht 2016 – E hënë – Ngritja e Zojës në Qiell, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Zb 11,19a; 12,1-6a.10ab; Ps 44; 1 Kor 15,20-27a; Lk 1,39-56)

 

Prania e Hyjit

Ndalem një moment dhe mundohem të ndërgjegjësohem se Hyji është i pranishëm:

afër meje, në atë çka bëj, në njerëzit që i takoj,

në çdo rrethanë të përditshme në të cilat ndodhem.

Si mund ta bëj këtë realitet edhe më të gjallë?

 

Liria 

Janë pak vetë që e kuptojnë

ç`do të mund të bënte Hyji me ta

po të dorëzoheshin në duart e tij

dhe t`i lejonin që t`i formojë hiri i tij. (Shën Injaci)

Lus për hirin shenjtërues: t`i dorëzohem plotësisht dashurisë së Hyjit.

 

Ndërgjegjësimi 

Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie – raporte me natyrën, me njerëz, me Hyjin.

I vërej këto marrëdhënie dhe falënderoj për jetën që rrjedh përmes tyre.

Disa prej këtyre marrëdhënieve janë shtrembëruar, disa janë të shembura, disa të ndërprera:

Ndoshta për këtë arsye ndjehem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.

Lus për dhuratën e pranimit dhe faljes.

 

Fjala 

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Lk 1, 39-56

 

39 Ndër ato ditë Maria u nis me nxitim për krahinën malore në një qytet të Judës. 40 Ajo hyri në shtëpinë e Zakarisë dhe e përshëndeti Elizabetën.

41 Tashti, Elizabetës, posa e dëgjoi përshëndetjen e Marisë, i kërceu foshnja në kraharor. Elizabeta u mbush me Shpirtin Shenjt 42 dhe brohoriti me zë të lartë:

“Je më e bekuar se të gjitha gratë dhe i bekuar është fryti i kraharorit tënd! 43 Dhe, nga e pata fatin të vijë tek unë Nëna e Zotit tim?! 44 Ja, që, posa zëri i përshëndetjes sate arriti në veshët e mi, foshnja prej hareje kërceu në kraharorin tim.45 E lumja ti që besove se do të plotësohet çka të qe thënë prej Zotit!”

 46 Atëherë Maria tha:

“Shpirti im e madhëron Zotin,

47 shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

48 sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvuajtur:

ja, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

49 sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm

‑ i shenjtë është Emri i tij!

50 Mëshira e tij brezni më brezni

për ata që e druajnë.

51 E tregoi fuqinë e krahut të vet:

i hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

52 i rrëzoi princat prej froneve të tyre

e i lartësoi të përvuajturit.

53 Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë

e të pasurit i nisi duarthatë.

54 I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

duke e sjellë në mend mëshirën

55 ‑ si ua pati premtuar etërve tanë ‑

në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve

të tij në amshim.”

56 Maria ndenji me Elizabetën rreth tre muaj e atëherë u kthye në shtëpinë e vet.

  

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

 Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Maria dhe Elizabeta janë shpirtra të afërm të lidhura me një lidhje që shkon përtej çdo fjale. Një miqësi e tillëështë një dhuratë nga Hyji dhe, si me çdo bekim, kërkon mirënjohje në lutje. Do t`ia përkujtoj  vetes përvojat e mia më të mira të miqësisë dhe do t`ua lejojë të më flasin se kush është Hyji dhe çka më thërret Hyji të bëhem.
  • Festa e Ngritjes së Zojës në qiell e pranon që Maria plotësisht i është përgjigjur thirrjes së Zotit. Kjo festë më ftontë mendoj se çka më pengon ende që Hyjit s`po mundem plotësisht t`i dorëzohem dhe e lus për ndihmën e tij.

 

Bashkëbisedimi 

O Zot, e di që fjalët nuk janë të nevojshme kur të drejtohem ty.

Ti shikon në thellësinë e zemrës sime.

I njeh dëshirat dhe nevojat e mia.

Po lëshohem në duart e tua.

 

Përmbyllja 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma ke dhuruar gjatë kësaj kohe që luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »