Zoti, nevoja jonë më e madhe

Aug 16 • Meditimi i ditës

16 gusht 2016 – e marte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Ez 28,1-10; Ps: Lp 32,26-28.30.35c-36ab; Mt 19,23-30)

 

Prania e Hyjit

Jezusi pret për të hyrë në zemrën time, në heshtje dhe në mënyrë të padukshme.
Ai vjen me dashuri dhe fuqi të pamasë.
Më përshkoftë gëzimi që jam në afërsinë e tij.

 

Liria

O Zot, ma ke dhënë jetën dhe dhuratën e lirisë.
Unë ekzistoj në këtë botë falë dashurisë sate.
Më ndihmo që gjithmonë të di ta çmoj këtë dhuratë të jetës dhe që gjithmonë ta respektoj të drejtën e tjetrit për të jetuar.

 

Ndërgjegjësimi

Bëj, o Zot, që gjithmonë të jem i vetëdijshëm dhe mirënjohës
për të gjitha bamirësitë që mi ke dhënë.
Këtë bekim ta ndaj gjithmonë me të tjerët.

 

Fjala

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Mt 19, 23-30

 

23 Atëherë Jezusi u tha nxënësve të vet:

“Për të vërtetë po ju them: vështirë do të hyjë i pasuri në Mbretërinë e qiellit. Prapë po ju them: 24 Është më lehtë të përshkohet deveja nëpër vrimë të gjilpërës se i pasuri të hyjë në Mbretërinë e Hyjit.”

25 Nxënësit, kur i dëgjuan këto fjalë, u habitën së tepërmi dhe thoshin:

“Vallë, atëherë, kush do të shpëtojë?”

26 Jezusi i shikoi dhe u tha:

“Për njerëz është punë që s’bëhet, porse Hyji mund të bëjë gjithçka!”

27 Atëherë Pjetri mori fjalën dhe e pyeti:

“Ja, ne lamë çdo gjë dhe erdhëm pas teje, çka, pra, do të fitojmë?”

28 Jezusi u tha:

“Për të vërtetë po ju them: ju që erdhët pas meje, në ripërtëritje të botës ‑ kur Biri i njeriut të rrijë mbi fronin e lavdisë së vet ‑ edhe ju do të rrini mbi dymbëdhjetë frone dhe do të gjykoni dymbëdhjetë fiset e Izraelit. 29 Edhe kushdo që të lërë, për dashuri të emrit tim, shtëpi ose vëllezër, ose motra, ose babë ose nënë, ose grua ose fëmijë, ose ara, do të marrë njëqind për një dhe do të fitojë jetën e pasosur.

30 Shumë prej atyre që janë të parët, do të jenë të fundit, kurse shumë prej atyre të fundit do të jenë të parët.”

 

Ç` dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Kemi nevojë t`i përcaktojmë prioritetet tona drejt dhe ta vendosim Jezusin në vendin e parë në jetën tonë. Për të hyrë nëpër derë të ngushtë deveja duhet të gjunjëzohet në mënyrë që t`i hiqet barra prej saj. Ashtu edhe ne kemi nevojë ta dorëzojmë gjithë barrën që na rëndon dhe tërheq poshtë. Asnjë sakrificë që e bëjmë për t`iu afruar Zotit nuk do të mbetet e pa shpërblyer.
  • Lutja jonë e sotshme, o Zot, është se s`do të kemi frikë nëse kërkon prej nesh për të bërë diçka. Na ndihmo që të kemi besim të plotë në ty, duke besuar se për ty, vetëm për ty kemi nevojë të gjithë ne. 

 

Bashkëbisedimi

A jam duke i vërejtur reagimet e mia gjatë kohës kur lus në bazë të Shkrimit Shenjt?
A është ajo për mua sfidë, ngushëllim apo më ngjallë neveri?
Ndërsa e paramendoj Jezusin se është ulur apo qëndron pranë meje,
me besim, si mikut tim më të mirë, i flas për ndjenjat e mia.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim ashtu tash
E përgjithmonë e jetës. Amen

Shpërndaje

Comments are closed.

« »