FESTA E ZOJËS SË LETNICËS: Nëna e Zotit të Mëshirshëm

Aug 17 • Kisha në Kosovë

Më 15 gusht në Kosovë u kremtua solemnisht festa e të Ngjiturit të Virgjërës Mari në Qiell e njohur ndër besimtarë të Kosovës si Zoja e Madhe apo edhe Zoja e Berishës. Dy shenjtëroren kryesore u mblodhën besimtarë nga komunitetet e ndryshme kishtare të Kosovës: në Letnicë të Karadakut dhe në Zym të Hasit. 

Në fshatin Letnice të Vitisë, me 15 gusht  kishte feste te madhe. Qindra besimtare kishin shtegtuar nga te gjitha famullitë e Kosovës për t’ju bashkuar atyre nga zonat e Malësisë se Karadakut, ne Festën e madhe te Zojës se Bekuar te Letnices, të cilës i luten besimtarë të përkatësive te ndryshme fetare. Në gëzimin e kësaj feste merrte pjese edhe kryetari i Komunës se Vitisë, Sokol Haliti me bashkëpunëtorë të tij, qindra ushtarë të KFOR-it

Fillimisht besimtarët e devotshëm hynin brenda në kishë për lutje e uratë para Zojës se Bekuar e më pas mesha solemne në një atmosferë të denjë, u mbajt në Altarin në oborr të Kishës, krejt pranë saj, me pjesëmarrje edhe të seminaristëve, motrave dhe një numri te madh meshtarësh. Gjithë këtij solemniteti i printe kryebariu i Kishës Katolike të Kosovës, Shkëlqesia e tij, Imzot Dodë Gjergji.

Në fillim ai foli për Vitin e Shenjtë të Mëshirës, derën e mëshirës e cila është hapur në shenjtëroren e Letnicës, e cila simbolizon hyrjen tonë në mëshirën e pafundme të Zotit që ka për ne, e që Nëna jonë Qiellore është ndërmjetësuesja më e madhe. Duke u nisur nga ky vit i veçante që po e jetojmë edhe për shkak të shenjtërimit e Nënë Terezës, e cila në këtë vend kishte marr vendimin për tu bërë murgeshë misionare, Ipeshkvi foli për rëndësinë e devocionit për Zojën dhe për nevojat e njerëzimit të botës që ia beson Nënës Qiellore, Nënës së Krishtit Zot, duke thënë se në kohën kur njerëzimi po përballet me luftëra dhe terror në shumë vende të botës, si asnjëherë me parë kemi nevojë për pajtim dhe paqe, për dashuri e mëshirë. “Kemi shume nevoje për dashuri, për afri me njeri tjetrin e për paqe të përgjithshme duke filluar secili në familjen e tij. Sot, kemi shtëpi shumë më të bukura se para disa vjetëve, por dallimi është se sot nuk po triumfon dashuria mes nesh siç ishte dikur, prandaj duhet t’i lutemi Zotit qe ne familjet tona te kthehet dashuria hyjnore”, tha Imzot Dode Gjergji.  

Për ta dëshmuar fenë tonë – vazhdoi ipeshkvi – për model duhet ta kemi të Lumen Nëna Terezë, e cila pas një kohe të shkurtë do të jetë e shpallur Shenjte, mënyrën se si ajo e dëshmonte fenë dhe shembullin e saj të dashurisë ndaj Krishtit dhe njeriut nevojtar.  “Tashmë të gjithë e dimë se në Shenjtorën e Letnicës, me lutje drejtuar  Zojës se Bekuar, Nëna Terezë dikur Gonxhja e vogël  e pat ndier  e marre Thirrjen e Pare nga Krishti Zot. Prandaj,  me përvojën e saj shpirtërore dhe me te, t’i lutemi Zojës se Bekuar për Kishën, popullin, për të ardhmen dhe njëkohësisht te përgatitemi sa më mirë, posaçërisht shpirtërisht, për shtegtimin tonë si familje e madhe drejt Romes e Vatikanit, për ta përjetuar me gëzim e dashuri Shenjtërimin e Nënës Terezë”, porositi Shkëlqesia e tij, Imzot Dode Gjergji, i cili ne fund e dha bekimin e kësaj meshe solemne.

E kremtja e Zojës së Letnicës u përmbyll me procesion tradicional me Truporen mrekullibërëse të Letnicës, i cili bëhet rreth Shenjtërores.

 

Rabie-Mrika Ibraj, www.radiovaticana.va

Fotografitë: Besim Ndau

[wonderplugin_gallery id=”14″]

Shpërndaje

Comments are closed.

« »