SHENJTËRIMI I NËNË TEREZËS: Posta e Kosovës inauguron Pullën Postare me figurën e Nënë Terezës

Aug 17 • Kisha në Kosovë, Kulturë

Filatelia e Postës së Kosovës ka lansuar emisionin e ri të pullave postare për nder të Nënës Terezë. Drejtori i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, tha se institucioni që ai e drejton si mision të vetin e ka që t’i nderojë figurat kombëtare, ndër të cilat është edhe kjo pullë.

Në kuadër të aktiviteteve për vitin e Nënës Terezë, sot është promovuar emisioni i ri i Pullës Postare “Shenjtërimi i Nënës Terezë”. Autore e kësaj pulle postare është producentja Diana Toska, ndërkaq dizejnatore Hilminjeta Apuk. Kryeministri Kosovës, Isa Mustafa, tha se kjo është një ngjarje e veçantë dhe e rëndësishme në kuadër të aktiviteteve për nder të shenjtërimit të Nënës Terezë.

Është një nder i veçantë që ne te respektojmë një figurë të jashtëzakonshme dhe një humaniste globale siç ishte dhe është Nënë Tereza. Prandaj, ky vit është vit i madh për Kosovën, është një vit i madh i të arriturave tona por mbi të gjitha është vit i madh i Nënë Terezës. Këtë vit ne si Qeveri e kemi shpallur si vitin e Nënës Terezë dhe po mundohemi që në suaza të saj edhe të promovojmë ngjarje të ndrysmë me të cilat ne e nderojmë figurën e Nënë Terezës”, tha ai.

Drejtori i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, tha se institucioni që ai e drejton si mision të vetin e ka që t’i nderojë figurat kombëtare, ndër të cilat është edhe kjo pullë.
Filatelia e Postës së Kosovës nga sot pasurohet me këtë pullë postare që është edicion i jashtëzakonshëm dhe i kushtohet ngjarjes jashtëzakonisht të rëndësishme për kombin shqiptar siç është shenjtërimi i Nënës Terezë që do të mbahet më 4 shtator në Vatikan. Një nga misionet kryesore të filatelisë së Postës së Kosovës është edhe promovimi i vlerave tona kombëtare, kështu që pulla postare për Nënë Terezën është përmbushje e këtij misioni”, deklaroi ai.

Ndërsa, Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, tha se kontributi i Nënës Terezë i tejkalon kontributet e penës e të shpatës, që i kanë dhënë të gjitha figurat kombëtare shqiptare.
Në të kaluarën, ne si komb, kemi dhënë shumë figura të penës e të shpatës, figurat të cilat kanë ditur të japin kontribut në zhvillimin e njerëzimit dhe qytetërimit evropian dhe në udhëheqjen e perandorisë otomane, por figura e Nënës Terezë i tejkalon të gjithë dhe është shpërblim nga Zoti për të gjithë sakrificën, që kombi e ka bërë në historinë e vet, sepse Nënë Tereza është figura e shpirtit tonë dhe e zemrës bujare të shqiptarit. Askush në histori nuk ka ditur ta shpalos zemrën bujare të popullit tonë ashtu si Nënë Tereza”, tha ai.

Pulla postare “Shenjtërimi i Nënës Terezë”, e promovuar do të fillojë të qarkullojë nëpër të gjitha vendet e botës.

Teksti nga: KultPlus.com

Fotografitë nga: Petrit Prenaj

[wonderplugin_gallery id=”13″]

Shpërndaje

Comments are closed.

« »