Shenjtërit e Ulpianës: Shën Flori e Shën Lauri

Aug 18 • Këndvështrime

Më 18 gusht, Kisha katolike përkujton dy shenjtër, që derdhën gjakun për Krishtin në trojet shqiptare: Shën Florin e Shën Laurin, nga qyteti i Ulpianës, qytet i Dardanisë – Kosovës , 12 km në juglindje të Prishtinës së sotme, i njohur sot si sit arkeologjik.

Tradita dy mijëvjeçarë e krishterimit ndër shqiptarë, nuk mund të mos i falte banorëve të këtyre trevave në shekuj edhe shenjtorët vendas, e ungjillëzues të trevave ku banojnë sot shqiptaret. Dy prej tyre, Shën Florin e Shën Laurin, Kisha katolike universale i kremton më 18 gusht.

Për t’i njohur më mirë figurat e tyre po kujtojmë se: siç dëshmohet prej burimeve kishtare, Dyrrah-u – Durrësi, pati qysh në vitin 56 një ipeshkëv të shuguruar.
Në kohën kur Shën Pali Apostull shkelte në Durrës, atje nisi shërbimin një ipeshkëv me emrin Cesar, i cili qe një nga martiret e parë të fesë së Krishtit, pra një nga shenjtorët më të hershëm të krishterimit. I dyte nder shenjtoret e botes iliro-shqiptare është Shën Ashti (apo Shën Asti), gjithashtu ipeshkëv i Durrësit, i martirizuar ne vitin 117.
Shën Jeronimi (Hieronymus), një nga katër dijetarët e mëdhenj të kishës, që në shek. IV përktheu “Vulgaten”, duke i dhënë Perëndimit të parin tekst të Shkrimit të shenjtë – Biblën në gjuhën latinisht, ishte nga Stridoni i Dalmacisë, vend i banuar nga iliret, gjë që e pohon vetë Shenjti në shkrimet e tij.
Pak a shumë në të njëjtën kohë, Shën Niketa, i njohur edhe me emrin “Shën Niketa i Dardanisë” apo “Shën Niketa i Remessiana-s”, kompozoi himnin e mirënjohur “Te deum, laudeamus”- “Lav e ndera t’qoftë o Zot”. Të paktën që nga fillimi i shekullit të kaluar, kur britaniku A. E. Burn botoi në Cambridge (1905) monografinë “Niceta of Remessiana”, dihet botërisht se ky shenjt doli prej botes iliro-shqiptare. Vetë Shën Niketa shkruan me dorën e tij: “Dardanus sum” jam dardan.
Shenjtërit dhe martirët e tjerë pasuruan traditën e krishterimit ndër shqiptarë duke ardhur prej visesh ku nuk patën mundësi, për shkak të persekutimeve të jashtëzakonshme, të përhapnin Ungjillin e Krishtit.
Flori e Lauri, ose Floriani e Laurini, siç njihen shpesh dy vëllezërit binjakë, jetuan në shek. II në Dardani, pikërisht në Ulpiana, afër Prishtinës, ku, me pëlqimin e sundimtarëve vendas, ngritën një Kishë të krishterë, të cilën ia kushtuan Jezu Krishtit. Jetuan në gjysmën e parë të shek. II dhe, kur persekutimi ndaj krishterimit u shtri edhe në trevat ilire, në Kosovën e sotme, Flori e Lauri u martirizuan, duke mbrojtur kështu tokën e të parëve tanë me gjak të derdhur për të dëshmuar Krishtin.
Në fillimin e shekullit të pestë, sipas dëshmive të Atë Zef Valentinit ( 1929), Shën Gjon Gojarti kaloi dy vite të vështira në brendësi të Ballkanit, saktësisht në tokën ilire. Një dëshmi e paraqitur një shekull më parë nga greko- shqiptari Nikolaos Mystakidis bën të ditur se Kishës së Labovës perandori Justinian i dhuroi një copë nga druri i shenjtë i Kryqit të kryqëzimit të Krishtit dhe një dorëshkrim të artë të Shën Gjon Gojartit.
Tradita e takimit të hapësirës shqiptare vazhdoi me shekuj. Në veri Shën Sergji e Baku; në jug Shën Gjon Vladimiri, deri tek Shën Kozmai, tregojnë se bota shqiptare jo vetëm nuk ishte e largët për misionaret e shenjtë, por, madje, u krijonte atyre mjedise zhvillimi e lartësimi për misionin e ungjillëzimit dhe përhapjen e kulturës.
Kjo nuk lidhet vetëm me bashkësitë e krishtera, por me bashkësinë shqiptare në tërësi. Për ilustrim po lexojmë të plotë letrën e Ali Pashë Tepelenës drejtuar të bindurve të tij, me porosinë për ringritjen dhe ruajtjen e manastirit të Shën Kozmait: “Juve rum te nahijes se Beratit, myzeqare dhe vlleh grabovare, katunde dhe çifliqe. Ju lajmëroj se ja ku vura një epitrop qe te me ndreqe manastirin e plakut Kozma; ndihmova dhe unë me aspra e te ndihmoni dhe ju si t’ju thotë dhespoti, me qellim qe te ndreqet ky manastir. Për ata që nuk do të japin ndihmën e tyre, do të më mbetët hatëri dhe pastaj do të paguajnë dyfish. Sikundër ju urdhëroj ashtu të bëni pas këtij vendimi. (Në Gjirokastër, më 12 shtator 1813” (“Kodikët e Shqipërisë “, bot i DPA § Unesco-s, Tirane 2003, f.48)

Dijetari austriak, Todor Ippen, shkruan se në malet e Shqipërisë së Veriut dikur shiheshin portrete shenjtorësh të kohës së paleokrishterimit. Kjo nuk është provuar dhe as mohuar nga ndonjë studiues i mëvonshëm. Por në një përmendore tjetër të kulturës tradicionale, në të drejtën etnozakonore shqiptare, thuhet rreptë se “shtëpia e shqiptarit është e Zotit, e mikut dhe e shtegtarit”, shprehje kjo e mirënjohur për të gjithë, por, për fat të keq pa shtojcën: “Kujdes, sepse nuk dihet kush troket: shenjti a përderësi”.

Në jetën e tyre të përditshme, Shën Flor e Lauri ditën ta mishëronin e ta dëshmonin idealin e drejtësisë e të lirisë, të solidaritetit e të mirëkuptimit, të besimit e të bindjes ndaj Zotit, të shërbimit e të vëllazërimit ndaj të afërmit.
Që shembulli i këtyre dy martirëve të mos humbet, madje që jeta e dëshmia e tyre të ringjallen e të kthehen në kujtesën e besimtarëve të krishterë e të vëllezërve të tyre në gjak, në vitin 1989-1990 në fshatin Grazhdanik, afër Prizrenit, është ndërtuar një Kishë e vogël, kushtuar pikërisht këtyre dy martirëve të Ulpianës, Florit e Laurit. Kjo nismë e vepër u ideua e realizua nga prifti famullitar i Kishës Katedrale të Prizrenit, mons. Nikollë Mini.

Me kremtimin e Shën Florit e Laurit, edhe Kisha katolike shqiptare e posaçërisht ajo në Kosovë, e radhitë popullin shqiptar me ata popuj të mëdhenj, që dhuruar shenjtorë e martirë, duke kontribuar jo vetëm në zhdukjen e idhujve, po edhe në cilësimin e vlerave të vërteta shpirtërore e njerëzore, vlera të cilat në një mënyrë krejt të veçantë u mishëruan në jetën e veprën e martirëve dardanë. Prandaj, mund të themi se jeta dhe martirizimi i tyre, janë një thesar i çmueshëm shpirtëror, njerëzor e kombëtar./Radiovaticana.va/

Shpërndaje

Comments are closed.

« »