A ka një stil të krishterë për të komunikuar në botën digjitale?

Mos harro se “vetëm fjalët e shqiptuara me dashuri (…) prekin zemrën.” Në botën digjitale stili duhet të jetë një substancë, për t’arritë t’qenunit banues të sinqertë e kontribuues të kulturës së komunikimit digjital. Cili është stili për të banuar botën digjitale: si mund të përzgjedhim stilin, përqasjen dhe metodën e këtij banimi, që do të përmbante një aromë kulture të krishterë? Cili është ai stil, me të cilin do të mund të vishemi krishtenisht për t’u njohur në botën digjitale? 6 pikat e paraqitura në këtë shkrim, mund të na dërgojnë deri te një tipologji banimi të stilit të kërkuar.

 

Nga Don Fatmir Koliqi

Rrjetet sociale janë pjesë e pandashme e njeriut të sotëm bashkëkohor, që rron në të ashtuquajturën epokë digjitale. Ne harxhojmë një pjesë të konsiderueshme të kohës në botën digjitale, ku takojmë një mal stilesh/mënyrash të të shprehurit, kultura të ndryshe, mentalitete, ideologji e religjione, të cilat plasojnë mesazhet e tyre apo komunikojnë mes njëri-tjetrit.

Bota digjitale është një arenë, mbase e pakontrolluar; është një mal ku mund të gjesh shumëçka, e shpesh gjëra të çfarëdollojshme, që nuk përputhen me kulturën e komunikimit dhe respektin (ndër)njerëzor. Stilet e ndryshme, përqasjet kundërthënëse, strategjitë okulte etj, etj, ngjallin habi e shqetësim tek ata marrës e shfrytëzues të sinqertë, që kyçen në rrejt për të komunikuar apo për t’u informuar.

Jo rrallë hasim tema të krishtera, të natyrës doktrinare dhe pastorale, që ngjallin interes të gjerë, por mënyra si trajtohen dhe stili që përdoret, mund të mos ketë, domosdoshmërish, kulturë dhe shpirt të krishterë, edhe pse subjekti që i trajton mund të jetë i krishterë. Të ngjashme me këtë, mund të gjesh subjekte deklarativisht kristiane apo të njohura si të tilla, që rrahin tema kulturore, sociale, politike, ekonomike e tjera nga jeta e përditshme, por stili që përdorin i tradhton dukshëm. Delikatesa e argumenteve të trajtuara në mungesë të formimit adekuat, prodhojnë një stil të lëngshëm, të paqëndrueshëm, kundërthënës – ndonjëherë të kiçizuar me pasoja tjetërsimin dhe dekompozimin e substancës (që e identifikon) – i cili për një marrës mesazhi (destinatari), që i mungon një edukim mediatik (media education), shkakton konfuzion, madje njëlloj indinjate.

Nuk duhet harruar se stili shpreh komunikiminështë komunikimi vetë. Mënyra si flasim e çka flasim, si shkruajmë e çka shkruajmë, nxjerr në pah identitetin kulturor – kulturën e komunikuesit, botëkuptimin e tij. Jemi dëshmitarë se si tek shumë figura publike, që stili i tyre komunikativ të bjerë ndesh me profesionin, përkatësisht me atë që përfaqësojnë apo e identifikojnë veten e tyre.

A nuk kemi reaguar shpesh duke bërë pyetje: si është e mundur që ky njeri të shprehet kështu?

Të shkruajë në këtë mënyrë?

Reagimet e tilla vijnë, pasi shkruesin apo folësin, e kemi identifikuar me një profesion të caktuar, me një institucion, me një fe etj. Komunikimi digjital nuk është apersonal, as dëfrim me papërgjegjësi, por gjithnjë e përherë, matanë PC-së time gjenden persona konkretë, me mish e me shpirt.

A nuk kemi lexuar tema më sublime me stil të vrazhdë, tema të rëndësishme me stil banal, tema nga kultura, arti, letërsia me stil kiç, tema fetare me stil t’pafe?

E mësipërmja na shpie deri te një përfundim, madje i natyrshëm, se duhet të kihet një stil për të banuar botën digjitale.

Si mund të përzgjedhim stilin, përqasjen dhe metodën e këtij banimi, që do të kishte një aromë të krishterë?

Cili është ai stil, me të cilin do të mund të vishen të krishterët për t’u njohur në botën digjitale?

Giovanni Tridente & Bruno Mastroianni, në librin e tyre të fundit “La missione digitale”, (shq. Misioni digjital), që ka dalë në Itali këtyre ditëve, kanë përzgjedh disa tekste nga porositë e Papa Françeskut, mbi botën digjitale bashkëkohore, i kanë analizuar, interpretuar dhe, si rezultat i kësaj, kanë sjell disa pika orientuese për stil komunikimi digjital, që do t’iu shkonte për shtati të krishterëve, sepse stili duhet të jetë një substancë, e jo vetëm formë, që nuk duhet të anashkalohet as në botën digjitale. Kjo, pra, nuk është çështje dukje e performance, por çështje identiteti dhe botëkuptimi.

Ja gjashtë pikat nga këta dy autorë, që i konsiderojnë si vademekum për t’i mbajtur mend, para se të hidhemi në Facebook, Twitter, Snapchat e Instagram e të botën digjitale në përgjithësi:

  1. Kujto se “hyrja në rrjetet digjitale nënkupton një përgjegjësi për tjetrin, të cilin nuk e shohim, por ai është real dhe ka dinjitet të vetin”.
  2. Dëgjo të tjerët dhe mendo se “të dëgjosh d.m.th. të kesh/dhurosh vëmendje, të kesh dëshirën për të kuptuar/mësuar, të dhurosh vlera, respekt, dhe të mbrosh fjalën e tjetrit”.
  3. Para se të postosh diçka, angazhohu të “zgjedhsh me kujdes fjalët dhe gjestet për (…) të shëruar kujtesën e lënduar e për të ndërtuar paqen.”
  4. Vendos që “ mos të bëhesh prishës i marrëdhënieve.”
  5. Në rrjetet digjitale “mundemi dhe duhet të gjykojmë gjendjen e mëkatit (…), por nuk mund të gjykojmë personin, sepse vetëm Zoti mund të lexojë në thellësinë e zemrave të tyre.”
  6. Mos harro se “vetëm fjalët e shqiptuara me dashuri (…) prekin zemrën.”

Ky gjashtëpikësh mund të na ndihmojë në shoshitjen (discernment) tonë për ta banuar botën digjitale, për të gjetur përqasjen e krishterë të komunikimit, por gjithashtu edhe për të hetuar intencat e përmbajtjeve të mesazheve të plasuar në këtë rrejt mbarëbotëror.

 

Shpëndaje: