Dera e ngushtë e jetës

Aug 20 • LEXIMET E SË DIELËS

 E diela XXI gjatë vitit (C)

 

 Leximi i parë Is 66, 18-21

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Kështu thotë Zoti: “E unë, që i njoh veprat e tyre dhe synimet e tyre, do të vij për t’i bashkuar të gjitha fiset e të gjitha gjuhët; do të vijnë dhe do ta shohin lavdinë time. Unë do t’u jap një shenjë dhe do t’i dërgoj ata që prej tyre do të shpëtojnë, te popujt në Tarsis, Put, Lud, Mosok, Ros, Tubal dhe në Javan – në ishuj të largët tek ata që nuk kanë dëgjuar për mua as nuk e kanë parë lavdinë time – dhe këta do t’ua shpallin lavdinë time popujve. Do t’i riatdhesojnë të gjithë vëllezërit tuaj nga të gjithë popujt porsi kusht Zotit – në kuaj, karroca, bartore, në mushq e gamile njëgungëshe e do t’i sjellin në malin tim të shenjtë, në Jerusalem – thotë Zoti – po ashtu sikurse bijtë e Izraelit kushtojnë flinë e paraqitjes në enë të pastër në Shtëpinë e Zotit. Edhe prej tyre do të zgjedh priftërinj e levitë.”

Fjala e Zotit.

 

PSALMI 117


Ref: Të adhurojnë, o Zot, popujt e mbarë botës

—————
Lavdërojeni Zotin, o kombe të gjitha,
madhërojeni së bashku, o popuj të gjithë!
—————
Sepse e madhe është dashuria e tij
ndaj nesh, besnikëria e Zotit qëndron për amshim.
—————

Leximi i dytë Heb 12, 5-7.11-13

Lexim prej Letrës së Shën Palit drejtuar Hebrenjve

Vëllezër, e harruat qortimin që ju drejtohet si bijve: “Biri im, mos e përbuz qortimin e Zotit, as të mos lëshojë zemra kur ai të qorton, sepse atë që e do Zoti, e edukon me disiplinë, e rreh me thupër atë që e pranon për bir.”

Hiqni keq për edukimin tuaj! Hyji sillet me ju si me bij. Dhe, a ka djalë të cilin i ati nuk e edukon me disiplinë? Dhe njëmend, çdo qortim njëherë për njëherë, nuk duket se sjell gëzim, por trishtim, porse më vonë të ushtruarve në të u sjell fryt paqe dhe drejtësie.
Prandaj çoni lart duart e lodhura dhe gjunjët e molisur, dhe rrafshoni udhët për këmbët tuaja që e çala të mos gjymtohet, por me mirë të shërohet.

Fjala e Zotit.

Aleluja.
Do të vijnë nga lindja e nga perëndimi,
nga veriu e nga jugu, e do të ulen në tryezë në Mbretërinë e Hyjit.
Aleluja.

 

Ungjilli Lk 13, 22-30

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
Në atë kohë, në udhëtim për Jerusalem Jezusi kalonte duke mësuar nëpër qytete e fshatra. Një njeri e pyeti: “Zotëri, a janë pak ata që shëlbohen?” Ai u tha: “Mundohuni të hyni nëpër derë të ngushtë, sepse, unë po ju them: shumë do të kërkojnë të hyjnë, por nuk do të munden. Kur i zoti i shtëpisë do të çohet e do ta mbyllë derën, ju, po mbetët përjashta, do të filloni të trokitni në derë e të thoni: ‘Zotëri, na e hap derën!’ e ai do t’ju përgjigjë: ‘S’di nga jeni!’ Atëherë do të vijoni të thoni: ‘Po ne hëngrëm e pimë me ty e ti mësove ndër sheshe tona!’ Por ai do të përgjigjë: ‘Unë nuk di nga jeni ju! M’u hiquni sysh të gjithë ju që bëni paudhësi!’
Atje do të jetë vaj e kërcëllim dhëmbësh, kur t’i shihni Abrahamin, Izakun, Jakobin dhe të gjithë profetët në Mbretërinë e Hyjit e veten të hedhur përjashta. E do të vijnë nga lindja e nga perëndimi, nga veriu e nga jugu, dhe do të ulen në tryezë në Mbretërinë e Hyjit. Po se, ka të fundit që do të jenë të parët, e të parë që do të jenë të fundit!” 

Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Është dëgjuar, por edhe kohëve të fundit dëgjohet gjithnjë e më shumë, për disa libra apo për paraqitje të  tjera, në të cilat bëhet fjalë për, të paktën, fundin e botës, që është afër. Kështu i futet frikë njeriut duke parashikuar të gjitha katastrofat e mundshme natyrore (që megjithatë gjithmonë ka pasur dhe jo vetëm tani!), nga rreziku atomik, nga zhvillimi i rrezikshëm shoqëror, nga ngrohtësia e planetit tokë… Përdoret vuajtja e njerëzve në vërshime katastrofike, tërmete, periudha thatësie ose edhe në vende lufte, vetëm e vetëm që të fusin frikën dhe të shesin propagandën e  tyre: vetëm kush i përket atij grupi të caktuar, do të shpëtohet; vetëm kush mbledh/rezervon ushqim për kohët që vijnë, kush kthehet kah ata do të mbijetojë dhe nuk do të farohet.

A thua nuk është edhe teksti biblik i sotshëm i njëjtë me këtë? A nuk është fjala edhe në ungjill për fundin e botës, që njerëzit nëpërmjet një të futuri frike të lidhen për feje?

Fjalët e Jezu Krishtit për derën e ngushtë, për jo-njohjen e të shumtëve mund të kuptohen vetëm duke shikuar prapavijën e jetës së tij dhe tërësinë e porosisë së tij.

Jezusi dëshironte t`ua tërhiqte vërejtjen atyre njerëzve, që jetonin në atë mënyrë sikur të ekzistonin gjithmonë në këtë botë. Jeta jonë, të cilën në këtë botë na duhet ta kalojmë, ta përjetojmë, mënyra sesi jetojmë lë një pasojë për mbarimin tonë dhe në jetën pas. Secilit prej nesh i është hapur dera: me vdekjen e tij, me ringjalljen e tij Jezusi e ka hapur derën njëherë e përgjithmonë: “Kush beson në mua, do të ketë pjesë në jetën time – do të jetojë për amshim!

Edhe porosia e leximit të Isaisë profet (66,18-24) dhe të leximit të ungjillit sipas Lukës (13,22-30) tregon, që prej fillimi të gjithë popujt, të gjithë njerëzit mund të vijnë/të hyjnë në Mbretërinë e qiellit. Hyrja nëpërmes derës nuk varet nga raca/ngjyra e lëkurës apo prejardhja! Do të vijnë nga lindja e perëndimi, nga veri dhe jugu, thotë Jezusi, dhe disa madje edhe do të befasohen.

Sepse porosia e Jezusit mund të realizohet nën një emër tjetër dhe nën të mira kulturore të tjera, gjithashtu nën religjione të tjera. Ka shumë të tjerë, që “edhe pse ende nuk e kanë parë mbretërinë, lavdinë e Zotit”, por që jetojnë në saje të ndërgjegjes së tyre dhe sipas fuqisë së Zotit.

E pyetën Jezusin se a janë të paktë ata që shëlbohen? Jezusi nuk dha përgjigje direkte. Jezusi nuk u lëshohet lojës së numrave: “10, 50, 80% kanë një shans të mirë, që të vijnë në qiell… Të tjerët duhet të shkojnë duar thatë.” Jo! Në vend kësaj Jezusi bën apel: mundohuni të hyni me mish e me shpirt, nëpër derë të ngushtë. Përgjigjja e tij ka një drejtim tjetër. Ai nuk e ka për qëllim që dëgjuesit e tij t`i frikësojë dhe t`i kërcënojë. Ai nuk dëshiron që njerëzit të bëhen të parehatshëm dhe të frikësuar.

Pas thirrjes së tij qëndron një pyetje serioze dhe e rëndësishme: Ku qëndron kuptimi i jetës sime? Si vjen ti tek qëllimi i jetës? Si e gjen plotësinë e jetës? Jezusi dëshiron që njerëzit të vendosin për jetën. Dhe kjo do të thotë, që të tregojnë angazhim për kërkimin e kalimit të hapur për tek Zoti. Këto kalime nganjëherë janë shumë të ngushta. Mirëpo vendimtare nuk është aq të kaluarit. Vendimtare para së gjithash është se a do ta gjej unë fare derën për te Zoti.

Mbarimi/fundi i përket çdonjërit prej nesh – dhe kjo në mënyrë të pakthyeshme dhe në dy forma.

Njëra formë është fundi i jetës sime personale: secilit prej nesh i është dhuruar një kohëzgjatje e jetës – dhe ne nuk e dimë, a do të vijë në orën që vjen apo në natën që vjen. Për këtë arsye Jezusi gjithnjë tërheq vërejtjen për zgjuarsi, vigjilencë: ashtu duhet të jetojmë, që të jemi gjithmonë të përgatitur për vdekjen tonë.

Për këtë nuk nevojiten rezerva ushqimi në bodrum, por nevojitet një zemër e pastër; për këtë nevojitet pajtimi i përhershëm me njëri-tjetrin dhe me Zotin. Këto janë gjërat, që e bëjnë derën të ngushtë: mospajtimi, ngatërresat ndërmjet veti; mëkatet kundrejt Zotit apo njerëzve, që kurrë nuk i kemi pranuar dhe rrëfyer.

Fundi i dytë, që grupe të ndryshme, sidomos disa sekte, e kanë bërë aq të frikshëm, është fundi i botës. Mirëpo, për këtë Bibla nuk jep kurrfarë përcaktimi kohe, po edhe atëherë kur tentohet vazhdimisht, nga shenja të ndryshme të kohës të vihet në përfundim për fundin e sapo arrirë.

Çdo qindvjeçar – mbi të gjitha çdo mijëvjeçar për këto grupe është një shkas, që ta shohin fundin afër – madje njerëzit në histeri masive hidhen edhe në vdekje apo të gjitha i japin, për ta ndjekur një udhëheqës të vetëshpallur.

Po të ishte varur fundi i botës nga numri i viteve, atëherë bota do të duhej të birrej sipas kohëra të ndryshme (në vende të ndryshme): sepse numërimi i kohës perëndimor është krejt i ndryshëm nga ai kinez apo madje ai hebre.

Si të krishterë ne festojmë një cikël të vetëm kishtar, si një cikël i të ekzistuarit dhe të kaluarit: duke filluar me kohën e pritjes së Adventit (kohën e Ardhjes) nëpërmjet lindjes dhe vdekjes së Jezu Krishtit,  nëpër Rrëshajë – dërgimin e Shpirtit Shenjt e deri në javët e fundit të vitit kishtar; atje lexohen tekste nga Apokalipsi (Zbulesa) dhe nga ungjijtë, që flasin për fundin e botës.

Cila është arsyeja e vërejtjes së ardhjes së fundit të botës. Janë dy.

E para: Unë jam përgjegjës për botën dhe për atë, që bjerrjen e saj fizike/natyrën mos ta përshpejtojë pa nevojë – mirëpo kjo është një përgjegjësi, që e kemi të gjithë ne që nga krijimi i botës: na duhet ta ndërtojmë dhe mbrojmë botën, ta ruajmë atë, por jo ta shkatërrojmë.

Arsyeja e dytë vlen për kujdesin tim personal: jetën time ashtu ta jetoj, që në çdo kohë të jem i/e përgatitur, t`i dalë para krijuesit tim; të kërkoj pajtim, nëse ka pasur mosmarrëveshje me të afërmin tim; të kërkoj falje prej Zotit, nëse e kam fyer atë.

Nëse këto rregulla të thjeshta të fesë dhe të jetës i mbaj, atëherë askush s`mund të ma fus frikën me profetizime për fundin e botës; sepse e di: dera për tek Zoti është e hapur; i vetmi, që mund ta bëjë të ngushtë dhe ta pengojë, jam unë vetë.

Të jem i/e angazhuar për Mbretërinë e Zotit! Këtë dëshiron Jezusi nga dëgjuesit e tij. Dhe për t`iu dhënë zemër përdor figura drastike. Kështu bënë krahasimin e devesë që kalon nëpër birën e gjilpërës për të treguar fuqinë e Zotit.

Me fuqitë tona nuk mund ta gjejmë derën e jetës. Na duhet të lejojmë që të na ndihmojë Zoti. Mbretëria e tij është ngushtë e lidhur me angazhimin tonë të përditshëm. Jo vetëm ne njerëzit duhet të kalojmë nëpër derën e ngushtë, për të arritur tek Zoti. Ai vetë është, që para nesh iu desh të kalonte nëpër këtë derë, që vërtetë ishte shumë më e vogël, për të arritur tek ne njerëzit. Këtë ai në çdo pikëpamje e ka arritur: ai ka ardhur tek ne kur u mishërua. Për këtë arsye shanset, që edhe ne nëpër këtë derë të ngushtë të kalojmë dhe tek ai të vijmë, mund të themi se nuk janë fare të këqija. Amen.

 

LUTJET E BERSIMTARËVE

Zot Jezus, për një jetë më të mirë me ty, duhet të ketë edhe njerëz më të mirë. Prandaj po t`i drejtojmë këto lutje me besim. Të themi së bashku:

Dëgjoje, o Zot, lutjen tonë!

  • Bëj që besimtarët ta njohin se besimi nuk është një sasi e caktuar, të cilën mund ta sigurojmë si gjërat materiale, por që marrëdhënia me ty, si çdo marrëdhënie dashurie ka nevojë për kujdes, kultivim, të lutemi.
  • Bëj që të gjithë besimtarët të rriten në fe si Zoja e Bekuar, e cila tha: O Zot, më ndodhtë sipas fjalës sate, të lutemi.
  • Bëj që si një bashkësi e krishterë t`i afrohemi njëri-tjetrit, dhe përforcoji të gjithë ata që duan të rriten në dashuri, të lutemi.
  • Bëj që duke të lejuar të na duash në mënyrë të pakusht të aftësohemi t`i përballojmë ndjenjat e frikës nga turbullirat e kësaj jete, të lutemi.
  • Bëj që të drejtohemi drejt idealeve tona të larta, jo vetëm me gojë, por le të shihet kjo edhe nga mënyra se si sillemi me të tjerët, të lutemi.
  • Bëj që të gjithë ata që ndodhen në prag të vdekjes ta përjetojnë se janë të ftuar në një jetë të dashurisë së pakufishme dhe të dorëzimit në duart e tua, të lutemi.

O Zot, ti je Udha, e Vërteta dhe Jeta. Bëj që të jemi më të vlefshëm për njëri-tjetrin dhe kështu të punojmë së bashku për një botë më të mirë, nëpër Krishtin Zotin tonë. – Amen.

 

Përgatiti: P. Shtjefën Dodes SJ

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »