Të vishemi me rrobat shpëtuese të Zotit

Aug 22 • Meditimi i ditës

22 gusht 2016 – E hënë, Maria Mbretëreshë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Is 9,1-6; Ps 112,1-8; Lk 1,26-38)

 

Prania e Hyjit 

Shpirti im shumë e dëshiron praninë tënde, o Zot.

Kur i drejtoj mendimet e mia drejt teje,

e gjej paqen dhe pushimin.

 

Liria

Zoti e njeh lirinë time, ajo për të nuk është e huaj.

Shpirti i Zotit është ai që u jep jetë dëshirave më të thella të zemrës sime,

që më udhëheq në mënyrë të padukshme drejt të gjitha të mirave.

Lus për hirin e shenjtë që të lejoj të lirohem nëpërmjet Shpirtit të Zotit.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Krijuesit që më do,

me sinqeritet i vështroj përjetimet e ditës së kaluar,

ngritjet në maja e uljet poshtë si dhe rutinën, atë klimën mesatare të së përditshmes.

A mundem ta shoh ku ka qenë Hyji i pranishëm në të gjitha këto?

 

Fjala

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Lk 1, 26-38

 

26 Në të gjashtin muaj, Hyji e dërgoi engjëllin Gabriel në një qytet të Galilesë, që quhet Nazaret, 27 te një virgjër, që ishte e fejuar me një njeri, që quhej Jozef, prej fisit të Davidit. Virgjëra quhej Mari.

28 Engjëlli hyri tek ajo dhe i tha:

“Të falem, o Hirplote! Zoti me ty!”

29 Kjo fjalë e shqetësoi Marinë dhe zuri të mendojë: ç’do të thotë kjo përshëndetje.

30 Por engjëlli i tha:

“Mos ki frikë, o Mari, sepse ke gjetur hir para Hyjit!

31 Ja, do të mbetesh shtatzënë e do të nxjerrësh në dritë një djalë e ngjitja emrin Jezus. 32 Ky do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Hyjit tejet të lartë. Zoti Hyj do t’ia japë fronin e Davidit, atit të tij. 33 Ai do të mbretërojë përgjithmonë mbi shtëpinë e Jakobit dhe mbretëria e tij s’do të ketë mbarim.”

34 Atëherë Maria i tha engjëllit:

“Si do të mund të ndodhë kjo, ndërsa unë jam virgjër?”

35 Engjëlli iu përgjigj:

“Shpirti Shenjt do të zbresë në ty e fuqia e Hyjit të tejetlartë do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj ky Fëmijë do të jetë i shenjtë ‑ Biri i Hyjit. 36 Dhe ja, Elizabeta, kushërira jote, edhe ajo, në pleqërinë e saj, pret t’i lindë djali. Ajo që mbahet beronjë, është në të gjashtin muaj. 37 Vërtet, s’ka gjë të pamundshme për Hyjin!

38 Atëherë Maria tha:

“Unë jam shërbëtorja e Zotit: Më ndodhtë siç the ti!”

Atëherë engjëlli u largua prej pranisë së saj.

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Hiri dhe mëshira e Zotit janë falas për të gjithë ata që do t`i pranojnë me një zemër mirënjohëse. Ftesa e dasmës është zgjeruar për të gjithë, dhe Hyji është ai që na i siguron rrobat e dasmës. Ai na ofron rrobat e pagëzimit,pajtimit, Eukaristisë. Ai ofron për të na marrë në mbrojtjen e tij, na i fal veprat tona të gabueshme, na ushqen me trupindhe gjakun e tij.
  • O Zot, sa shumë kemi nevojë për ftesën tënde të vazhdueshme për të ardhur tek ti dhe për të mësuar nga ti.Hiqna rrobat tona të egoizmit, qëndrimet tona paragjykuese, zemrat tona kokëforta dhe në vend të kësaj na vesh me rrobat e tua të shpëtimit.

  

Bashkëbisedimi

O Zot i dashur, më ndihmo çdo ditë

që edhe më shumë të kërkoj.

Ma mbush zemrën time me dashuri ndaj teje.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që munda t`i kaloj këto pak minuta me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »