Edhe unë mund të bëj diçka të mirë në botë

Aug 27 • Meditimi i ditës

27 gusht 2016 – E shtunë, Shën Monika, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: 1Kor 1,26-31; Ps 32,12-13.18-21; Mt 25,14-30)

 

Prania e Hyjit

“Gjithçka e ka vendin dhe kohën e vet”, thotë fjala e urtë.

O Zot, bëj që gjithmonë të dëshiroj ta kaloj kohën në praninë tënde.

Që ta dëgjoj thirrjen tënde.

 

Liria

Do të provoj që së paku shkurt t`i harroj të gjitha brengat dhe problemet

që ndoshta më mundojnë në këtë moment.

Të gjitha brengat e mia i vendos në duart e Zotit – së paku disa minuta deri sa të zgjatë kjo lutje.

 

Ndërgjegjësimi

Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie – lidhje, me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I vërej këto marrëdhënie dhe falënderoj për jetën që rrjedh nëpër to.
Disa prej këtyre marrëdhënieve janë shtrembëruar, disa janë rrënuar, disa janë ndërprerë:
Ndoshta për këtë arsye ndjehem i hidhëruar, i zemëruar, i zhgënjyer.
Lus për dhuratën e pranimit dhe faljes.

 

Fjala

Tani e lexoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.

Lexoj pa u ngutur

dhe vërej fjalinë apo ngjarjen që më flet diçka.

 

Mt 25, 14-30

 

14 “Sepse do të vijë sikurse ai njeriu që, kur deshi të niset për dhe të largët, i thirri shërbëtorët e vet e ua dorëzoi pasuritë e veta. 15 Njërit i dha pesë talenta, tjetrit dy e të tretit vetëm një: secilit sipas zotësisë së tij e u nis për udhëtim. 16 Menjëherë ai që mori pesë talenta u çua dhe i futi në punë e me ta fitoi edhe pesë të tjerë. 17 Po ashtu, edhe ai që mori dy talenta, fitoi edhe dy tjerë. 18 Kurse ai që mori vetëm një, shkoi, çeli një gropë në dhe, dhe e fshehu paranë e zotërisë së vet.

19 Pas një kohe të gjatë, u kthye zotëria i atyre shërbëtorëve dhe kërkoi llogari prej tyre. 20 E si doli para ai që kishte marrë pesë talenta, i nxori para edhe pesë të tjerë e tha: ‘Zotëri, ti më pate dhënë pesë talenta, ja, edhe pesë të tjerë që i fitova.’ 21 Iu përgjigj zotëria i tij: Të lumtë, shërbëtor i mirë e besnik! Pse u dëftove besnik në gjëra të vogla, do të bëj të parë mbi pasuri të mëdha: hyr në gëzimin e zotërisë tënd!’

22 U afrua pastaj edhe ai që kishte marrë dy talenta e tha: ‘Zotëri, ti më pate dhënë dy talenta, ja, edhe dy të tjerë që i fitova!’ 23 Iu përgjigj zotëria i tij: ‘Të lumtë, shërbëtor i mirë, e besnik! Pse u dëftove besnik në gjëra të vogla, do të bëj të parë mbi pasuri të mëdha: hyr në gëzimin e zotërisë tënd!’

24 Kur u afrua ai që kishte marrë vetëm një talent, tha: ‘Zotëri, duke të njohur se je njeri i ashpër, se korr ku nuk mbolle e mbledh ku nuk hodhe, 25 u frikësova e shkova dhe e fsheha talentin tënd në dhe: ja, tani gjënë tënde!’26 Zotëria i tij iu përgjigj me këto fjalë: ‘Shërbëtor i keq dhe përtac! E ke ditur se korr ku s’mbolla, mbledh ku nuk hodha, 27 prandaj të është dashur ta shtiesh paranë time në bankë e në kthimin tim kisha marrë gjënë time me kamatë. 28 Prandaj merrjani këtij talentin e jepjani atij që ka dhjetë talenta! 29Sepse, atij që ka do t’i jepet më e do të ketë me shumicë, e atij që s’ka, do t’i merret edhe ajo pakicë që ka! 30 E shërbëtorin e pavlefshëm nxirreni përjashta në terr, ku do të jetë vaj dhe kërcëllim dhëmbësh!’“

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Para se të mendohem për talentet që i posedoj dhe t`i numëroj, do t`i drejtohem Atij prej të cilit rrjedh çdo bekim. Më ndihmo, o Zot, që ta pranoj që edhe unë mund të bëj diçka në botë. Më pastro ashtu që qenia ime të mund të të lavdërojë.
  • Shërbëtorët nuk i kanë shikuar as gjykuar rezultatet e njëri-tjetrit, as nuk kanë shikuar se si qëndron puna e tregut. Çdonjëri prej tyre ka qëndruar ndershëm para zotërisë ashtu sikurse unë qëndroj tani para Zotit.

 

Bashkëbisedimi

Jezus i dashur, po ta çeli zemrën.

Mund të të them gjithçka më mundon.

E di që kujdesesh për gjithçka i përket jetës sime.

Më mëso që të jetoj në dijeni se ti kujdesesh sot për mua,

se do të kujdesesh edhe të gjitha ditët e jetës sime.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma ke dhuruar gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »