Vlera jonë e (pa)merituar 

Aug 27 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela XXII gjatë vitit (C)

 

Leximi i parë Sir 3, 17-18. 20. 28-29

Lexim prej Librit të Siracidit
Biri im, ditën e vështirësisë sate Zotit do t’i bjerë ndër mend për ty, e, sikurse dielli e shkrin akullin, mëkatet e tua do të shkrihen. Se ç’zë të keq i sjell vetes, ai që e braktis babën; i mallkuar prej Hyjit është ai, që e fyen t’ëmën. Sa më i madh të jesh, përule vetveten në çdo gjë, e do të gjesh hir para Hyjit. Ka shumë të mëdhenj e të lavdishëm, por Hyji të thjeshtëve ua zbulon misteret. Zemra që do të hyjë nëpër dy udhë, s’do të ketë sukses, zemërkeqi në to do të rrëzohet. Zemra e keqe do të ngarkohet me dhimbje e mëkatari do të shtojë mëkat mbi mëkat.

Fjala e Zotit.

 

Psalmi 68

Ref: Ti, o Zot, je Ati i të gjithë popujve

———————————————–

Të drejtët le të gëzohen në praninë e Hyjit,
le të galdojnë e le të brohorisin me hare.
Këndoni Hyjit, madhërojeni Emrin e tij,
“Zot” është Emri i tij;
vallëzoni në praninë e tij!

———————————————–

Ati i bonjakëve, mbrojtësi i të vejave
është Hyji në banesën e vet të shenjtë.
Hyji u siguron banesën të pashtëpive,
u hap të burgosurve derën e lirisë.

———————————————–

Ti, o Hyj, lëshove një shi të madh,
trashëgimin tënd të lodhur e ripërtërive.
Populli yt gjeti strehim
që në mirësinë tënde, o Hyj, e përgatite për të mjerin.

 

Leximi dytë Heb 12, 18-19.22-24

Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve

Vëllezër, ju nuk iu afruat malit të prekshëm, as flakëve të zjarrit, as errësirës, as territ, as stuhisë, as zërit të trompetës, as ushtimës së fjalës; ata që e dëgjuan, u lutën të mos u fliste më. Përkundrazi i jeni afruar malit Sion, qytetit të Hyjit të gjallë, Jerusalemit qiellor: numrit të pamasë të engjëjve të bashkuar në festë, bashkimit të parëlindurve, emrat e të cilëve janë të shkruar në qiell, Hyjit, Gjyqtarit të të gjithëve, shpirtrave të të drejtëve që ia arritën përsosmërisë, Jezusit, Ndërmjetësit të Besëlidhjes së re dhe Gjakut stërpikës që flet më mirë se gjaku i Abelit. 

Fjala e Zotit.

 

Aleluja
Shpirti i Zotit është mbi mua: Ai më dërgoi t’u kumtoj të vobektëve Ungjillin, 

t’u shpall robërve çlirimin.
Aleluja.

 

Ungjilli Lk 14, 1.7-14

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Një të shtunë Jezusi shkoi në shtëpinë e një kryetari farisenjsh për të ngrënë bukë e të pranishmit po e vërenin dijekeqas.
Duke vënë re sesi të grishurit zgjidhnin vendet e para, u tha këtë shëmbëlltyrë: “Kur ndokush të ftojë në dasmë, mos u ul në krye të vendit, pse ndoshta është i grishur ndonjë qe duhet nderuar më tepër se ti, që, kur të vijë ai që të ka thirrur ty dhe atë, të mos të thotë: ‘Lëshoja vendin këtij!’ Atëherë të duhet, plot turp, të shkosh e të zësh vendin e fundit. Përkundrazi, kur të jesh i grishur, shko e rri në vendin e fundit që, kur të vijë ai që të ka grishur, të thotë: ‘Mik, ngjitu më lart!’ Atëherë ke për të qenë i nderuar në sy të të gjithë të grishurve. Vërtet, kushdo e lartëson veten, do të përvujtërohet, e kush e përvujtëron vetveten, do të lartësohet.”
Atëherë iu drejtua edhe atij që e kishte grishur: “Kur shtron drekë ose darkë, mos i thirr miqtë e tu, as vëllezërit e tu, as farefisin tënd, as fqinjët e pasur, sepse mund të ndodhë se edhe ata të thërrasin ty për ta kthyer nderën e kështu ta shpërblejnë. Por, kur të bësh gosti, grish skamnorë, të gjymtë, të çalë e të verbër. Atëherë do të jesh i lum, sepse këta nuk kanë me çka ta kthejnë dhe do të shpërblehet në të ngjallur të të drejtëve.” 

Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Shën Luka e paraqet Jezu Krishtin në disa raste pranë tryezës i rrethuar me farisenj. Farisenjtë ishin kategori e rëndësishme shoqërore tek Hebrenjtë. Ata kishin një përgjegjësi shumë të madhe në shoqëri. Ishin njerëz me shkollë – intelektualë. Njerëzit në raste të vështira u drejtoheshin atyre për të zgjidhur probleme të ndërlikuara me karakter fetar, por mbi të gjitha në lidhje me ligjin hebre. Farisenjtë ishin të zgjuar, sepse i dinin në mënyrë të detajuar të gjitha ligjet dhe detyra e tyre ishte për ta ruajtur ligjin dhe për ta interpretuar atë në rastet konkrete. Mirëpo si duket pikërisht me farisenj Jezusi pati konfrontimet më të ashpra. Në të gjitha polemikat e tij, Jezusi ua hidhte në sy dyfytyrësinë e tyre, sepse po i vlerësonin njerëzit sipas ligjeve të shkruara dhe interpretimeve vetjake e jo sipas dinjitetit që kishin. Për dallim nga farisenjtë Jezusi shoqërohet me të mirë dhe me të këqij, me të drejtët dhe me të padrejtët, me të pastrit dhe të papastërit.

Në kohën e Jezusit shoqëria me ligjet e saja kishte bërë një klasifikim jo njerëzor të cilin Jezusi do ta luftojë gjatë gjithë kohës. Ishte bërë zakon që njerëzit publikisht të shpallur të pamoralshëm konsideroheshin më pak të vlefshëm dhe shoqërimin me ta duhej evituar patjetër në mënyrë që të mbeteshe i pranueshëm në shoqëri. Kushtet shoqërore pengonin shumë njerëz që mëkatarët të pranoheshin në dinjitetin e tyre dhe kështu t`u jepej rasti për përmirësim. Jezusi pikërisht shkon dhe ulet me ta dhe ha me ta. Ushqimin dhe pijen nuk e sheh si mjet dallimi se kush është i mirë e kush është i keq, por si shenjë rreth së cilës ai do t`i bashkojë njerëzit rreth vetes – “të pastrit dhe të papastërit”.

Prandaj edhe fariseu me emrin Simon që e kishte grishur njëherë Jezusin nuk mundi ta merrte me mend se si Jezusi po mund ta prekte mëkataren që kishte ardhur për t`i larë mëkatet me lot dhe për ta nderuar Jezusin. Mirëpo, Jezusi duke e ditur se ç`po bluante fariseu në mendjen e vet, ia tërhoqi vërejtjen butësisht duke ia bërë me dije se nuk është mençuri njohja e rregullave dhe ligjeve dhe gjykimi i të tjerëve, por mençuria e vërtetë është miqësia dhe shprehja e dashurisë që bashkon të gjithë njerëzit, mashkull dhe femër, si dhe mëkatarët. Ky është Lajmi i gëzueshëm.

Shoqëria i ka ritualet apo shabllonet e saja, me të cilat e përcakton vlerën e një njeriu: nëpërmjet rendit, zakoneve të të hyrit në shtëpi, rendit sesi sillesh pranë tryezës, nëpërmjet rregulloreve të veshjes, nëpërmjet titujve që ua ndanë disave… Të gjithë biem shpejt në rrezik, që vlerën tonë personale dhe vlerën e njerëzve të tjerë ta masim në bazë të këtyre pritjeve, ritualeve apo shablloneve. Zakonisht kjo vlerë na jepet ne nga të tjerët. A mos varet vlera ime personale prej asaj, se sa jam i vlefshëm për të tjerët? Se sa çmohem nga tjetri?

Ne i masim vlerat e njerëzve edhe me të holla: me të ardhurat. Sa më të larta të jenë të ardhurat e dikujt, aq më i vlefshëm është në shoqëri. E dimë se të ardhurat e të papunësuarve janë të vogla. Nga kjo del se edhe vlera e tyre është e ulët – gjithmonë sipas vlerësimeve shoqërore me shabllone.

Disa mundohen që vlerën e tyre ta rrisin. Me vetiniciativë vendosen dhe zënë vende, ashtu të themi, „të larta“. Shoqëria u jep honorarë këtyre me qortim, që të gjejnë një vend tjetër.

Elegantët, tinëzarët ulen në fund të tryezës, me shpresën e heshtur, të bien në sy dhe të thirren të ngrihen më lartë, në një vend të përshtatshëm – tek e fundit për të fituar diçka për vete. A është ky qëndrimi, të cilin Jezusi dëshiron të kërkojë?

Të gjithë këta të lartpërmendurit do të duhej një herë të mendojnë, se ku dhe kur janë vetë përnjëmend të lumtur. Lumturia që mbështetet në një simbol të një statusi të lartë në një drekë apo darkë nuk qëndron gjatë. Është jetëshkurtër. Ato duhen përsëritur dhe forcuar vazhdimisht. Në fakt nga kjo s`mund të jetohet. Një stil i tillë jete nuk na nginë. Çfarë më bën të lumtur në një ftesë? Fqinji i sjellshëm pranë tryezës, takimi i suksesshëm, diskutimi entuziast, i sinqertë, haja e shijshme… Kujdesi për rangun i prish të gjitha këto lumturiçka të vogla, sepse të gjitha maten sipas simbolit të statusit.

Jezusi me siguri që me këtë shembull të nxjerrë nga jeta dëshiron të na tërheqë edhe ne vërejtjen, që përmasat e Zotit janë ndryshe. Zoti vlerëson ndryshe. Jezusi këtë e ka bërë të qartë, kur thotë, ne jemi vëllezër e motra në mes veti. Dhe kur e shikon tregimin e Samaritanit bujar, atëherë bie në sy se veçanërisht ata që kanë nevojë për ndihmë janë vëllezërit dhe motrat tona, të afërmit tanë. Për këtë arsye Jezusi na jep zemër gjithashtu, që pikërisht këta njerëz të grishen në tryezë, t`i pranojmë dhe t`u japim hapësirë, t`ua bëjmë një vend në jetën tonë.

Ai/ajo që e fiton këtë liri, se vlera e tij/saj personale thjesht është e dhuruar nga Zoti, e pamerituar, mund të jetë vërtet i/e lum. Këta njerëz më nuk vrapojnë pas miratimit të njerëzve të tjerë, nuk janë më thjesht të varur nga vëmendja e të tjerëve. Ata fitojnë një liri të madhe. Një liri të bukur, e cila matet duke shikuar se sa kam sukses me ndihmën dhe dashurinë ndaj të afërmit.

Ta pyesim veten: sa janë të pranishme promovimi dhe përfitimi personal në sjelljet e mia, në ftesat dhe dhuratat e mia? A llogaris më shumë në atë që do të ma kthejnë të tjerët apo çfarë do të fitojë nëse tregohem zemërgjerë?

T`i drejtohemi Jezusit dhe t`i kërkojmë një liri dhe ndjenjë vlerësimi që nuk është e varur nga njerëzit, rrethanat e jashtme. Jezusin mund ta kërkojmë në çdo kohë të ditës dhe të natës. Ai gjithmonë pret, duke dëgjuar thirrjen tonë. Ai dëshiron që ne ta jetojmë jetën në plotësi. Çfarë bekimi i mrekullueshëm! Nuk më nevojitet telefoni, e-maili, vetëm një e pëshpëritur. Zoti nuk është trup i huaj në jetën time. Përkundrazi, Shpirti i tij ua jep jetën dëshirave të mia më të thella, duke më nxitur butësisht drejt asaj që më bën mirë. Në takim me Zotin e zbuloj dinjitetin, vlerën time të vërtetë.

Ta lusim Zotin që të jemi më të vetëdijshëm për praninë e tij në jetën tonë. Të na mësojë se si ta njohim te të tjerët. Ta mbush zemrën tonë me falënderim për shkak të dashurisë që na ka treguar dhe na tregon nëpërmjet njerëzve të tjerë. Kemi nevojë të ndalemi e të ngrihemi mbi zhurmën, përmasat apo pritjet e kësaj bote. Nganjëherë mjaftojnë disa momente të shkurtra që t`i marr brengat dhe problemet personale që ndoshta më mundojnë dhe të mësoj t`ia paraqes Zotit. E pranoj atë çfarë ndiej përnjëmend. Para Zotit nuk kam nevojë të fsheh asgjë. Sepse Zoti më do pikërisht të tillë siç jam përnjëmend. Para Tij vlej gjithmonë – jo vetëm ndonjëherë. Ai më do, jo se jam efikas, i suksesshëm apo se i di dhe zbatoj ligjet, por në rend të parë për shkak se jam krijesë e Tij e dashur. Mbi këtë themel duhet ndërtuar: dashurinë e pakusht të Zotit. Kështu do t`i lejoj kësaj Dashurie të më shndërrojë për një jetë më të sinqertë dhe më me kuptim. Amen.

 

LUTJET E BESIMTARËVE

Si krijesa të Hyjit jemi të varur nga mirësia dhe mëshira e tij. Të vetëdijshëm për nevojat tona le t`ia drejtojmë atij së bashku lutjet tona, duke thënë:

O Zot, na jep mirësinë dhe mëshirën

  1. Zot, ki mëshirë për Kishën tënde, kur ndihet e pasigurt, kur njerëzit nuk i mbajnë traditat e vjetra dhe kur i duhet të orientohet në mënyrë të re drejt teje dhe porosisë sate, të lutemi.
  2. Zot, ki mëshirë për shoqërinë tonë, në të cilën fantazia e njerëzve se mund të bëjnë gjithçka në shumë mënyra po e cenon dinjitetin e jetës që na e ke dhuruar, të lutemi.
  3. Zoti ki mëshirë për të gjithë ata që nga shembulli yt lejojnë të ndriçojë zemërgjerësia, pa pritur që tjetri t`ua kthejë me shpërblim, të lutemi.
  4. Zot ki mëshirë për ne, sidomos kur përpiqemi të ngrihemi mbi të tjerët; kur nuk i respektojmë ose i përqeshim, të lutemi.
  5. Zot ki mëshirë për të vdekurit tanë, në mënyrë të veçantë i kujtojmë të vdekurit nga tërmeti në Itali, pranoji ata në bashkësinë e shenjtërve, të lutemi.

O Zot, ti e do secilin prej nesh dhe t`i na jep madhështinë dhe dinjitetin. Duke pasur para sysh vëmendjen dhe dashurinë tënde nuk do të duhej të përpiqeshim për të zënë vendet e larta apo të para, për shkak se Krishti ka përgatitur një banesë për çdonjërin prej nesh. Ty të falënderojmë, ty të japim nder e lavd, tash e përgjithmonë e jetës. – Amen.

Përgatiti: P. Shtjefen Dodes SJ

Shpërndaje

Comments are closed.

« »