Nëna Tereze, formimi i saj kulturor  shqiptar: në familje, në Kishën dhe në shkollën shqipe 

Nga Prend BUZHALA

 

A ka mundur të qëndrojë Nëna Tereze jashtë kulturës ku u formua? A ka formim njerëzor jashtë kulturës dhe jashtë historisë? 
Po e shtrojmë këtë pyetje përkitazi me figurën e personalitetin e Nënën Tereze, për t’i dhënë në vazhdimësi disa përgjigje, me fakte dhe dëshmi, ndaj vlerësimeve antihistorike e antikulturore (për të mos thënë dhe dashakeqe e antishqiptare), kur thonë, se te Nëna Tereze “familja ndikoi fare pak ose aspak në formësimin e saj.”

 

1. 
Emri i saj ishte emër tipik shqiptar: GONXHE, kurse emri i saj i pagëzimit kishtar ishte Agneza. Kur ishte bërë motër nderi, Maria Tereza, Gonxhe Bojaxhiun bota e quajti NËNË prej vitit 1929. Por, cilat ishin lidhjet tjera të formimit të saj në gjirin familjar e në ambientin shqiptar të kohës? Nëna e saj, Dranja, ishte shqiptare e Kosovës (e rrethit të Gjakovës), kurse babai i saj Kola, prizrenas. Familja mandej shpërngulet në Shkup… 
Studiuesi më i gjithanshëm i figurës dhe personalitetit të Nënës Tereze në letrat shqipe, Anton N. Berisha (ka botuar mbi 15 vepra: trajtesa, studime, romane, libra poetikë dhe dramaturgji për të), thekson me të drejtë se karakterizohet me dy përmasa, dy cilësi njerëzore: a) veprimi, konkretja dhe b) përmasa hyjnore, hyjnorja; se Gonxhe Bojaxhiu mbeti e lidhur me vendlindjen e të parëve të saj: 
“Edhe bija e saj, Gonxhja, e mbajti në zemër vendin ku jetuan prindët e saj…. Ajo lindi dhe u rrit në një familje me traditë të madhe të besimit në hyjin e në birin e saj, Jezu Krishtin”. 
Historikisht, këtë traditë dymijëvjeçare, e dëshmon në studimin e tij monografik “Ipeshkvia Shkup-Prizren ndër shekuj” e Gaspër Gjinit (1986 kroatisht, 1992 shqip e tani edhe anglisht, priten përthimet në gjuhë të tjerash botërore). Këtë traditë familjare shqiptare dhe të krishterë, e dëshmojnë biografët e Nënës Tereze, e sidomos Dr. Don Lush Gjergji, në disa libra të tij për Nënën Tereze, me të cilën dëshmitarët e saj kanë jetuar me të, kanë shkuar në shkollë në Shkup e gjetiu etj. Kjo traditë vjen që nga Shën Pali biblik në Iliri, e deri te dëshmitë e shumta ndër shekuj (Pjetër Bogdani e më vonë martirët e Karadakut1846-1848), dëshmitë për besimtarë e klerikë arbërorë e shqiptarë të vrarë e të përndjekur nga Turqia e më vonë edhe nga Serbia, Nëna Tereze i kishte dëgjuar qoftë nga banorët e priftërinjtë e Kishës së Stubllës ku shkonte shpesh, qoftë nga ata të Shkupit. 

 

2. 
Martirizimi e flijimi shqiptar për atdhe e besim, kishte hedhur farën e saj të adhurimit edhe te Gonxhja e re. Të shpeshta në fëmijërinë e rininë e saj kanë qenë lutjet e ushtrimet shpirtërore në Kishën e Letnicës (Viti). “Me një fjalë, martirët e Stubllës e të katundeve përreth, e rrënjosën edhe më shumë besimin e Agnezës, në dritën e Hyjit e të birit të saj.” (Anton N. Berisha). Në Kishën e Letnicës, më 1922, ajo përjeton dhe provon vegimin e parë, grishjen e parë për t’u përcaktuar në rrugën që e mori. Mirëpo, edhe babai i saj, Nikolla, i sillte shpesh libra. Të dhëna me interes për leximet e interesimet e Nënës Tereze për letërsinë shqipe, sjellin biografët e saj, për Buzukun, Budin, Bogdanin, për Fishtën etj, Gonxhja i ka dëgjuar predikimet e intelektualit e klerikut të shquar shqiptar, Lazër Mjeda (1869–1935) vëlla i Ndre Mjeda, themelues i shoqërisë kulturore “Agimi”, nëpërmjet së cilës punoi për gjuhën shqipe për hapjen e shkollave të para shqipe e për hartimin e teksteve shqipe. Lazër Mjeda ishte kyreipeshkv i Ipeshkvisë së Shkupit. Me famullitarë të tjerë kishin hapur shkolla shqipe nëpër kisha. Pushteti jugosllav filloi t’i përndiqte, si e vrau në ato vite At Shtefën Gjeçovin. Në rrethet kulturore të shkollës e të kishës, Gonxhja dallohej me pjesëmarrjen e talentin e saj. 

Ka qenë vendlindja e saj, familja e saj dhe kisha shqiptare që e formuan në rrugën e saj që e ndoqi më vonë. Për gjithë këtë traditë ilire, arbërore-shqiptare, ajo dëgjoi e mësoi në familje, në kishë ku kishte INTELEKTUALË TË SHQUAR SHQIPTRARË, e në shkollë. Në bibliotekën e kishës shqiptare të Shkupit, ajo merrte shpesh libra për t’i lexuar me pasion dhe aty ajo e ruante të gjallë kujtesën për historinë shqiptare. Këtë formim, për të qenë afër të varfërve, për solidaritet njerëzor me të tjerët, për dashurinë NDAJ TË AFËRMIT, NDAJ TJETRIT, për besim të pasuruar e të formuar, ajo i mori në rrethet e mësipërme. Madje nëna Drane ia seliti me shembujt e saj konkretë jetësorë përkujdesjen ndaj hallexhinjve e të varfërve. 
Gjithë këto dëshmi Gionxhe Bojaxhiu i përmend edhe te letrat e saj, edhe te poezia e njohur të shkruar më 1928 me titullin “Lamtumirë”, kur po udhëtonte me anije për në Indi. Dëshmi është edhe letra e saj dërguar tezes së saj: 
Shkup 12. 09. 1928 E dashura Teze Lis! Më 26 të këtij mueji po nisem prej Shkupit. S’po mund mos me ju shkrue dy tri rreshta për juve. Lamtumirë, e deshiroj që Zoti t’ju nap gjithshka që ju deshron zemra. Due me ju falë gjanat ma të përzemërta, Gonxhja”.

 

3. 
E pra, vatër e formimit të saj shpirtëror ishin Prizreni dhe Shkupi, Stublla dhe familja që ishin besimtarë të devotshëm; të ishe besimtar i tillë, në rrethanat osmane-pushtuese e serbo-pushtuese, do të thoshe të ishe në krahun iluminist shqiptar të historisë. Të gjithë biografët dhe dëshmitarët flasin për devotshmërinë e Nënës Drane (nënës së Gonxhes), që kishte marrë përsipër kujdesin e familjes, mbasi babai Nikolla, i cili ishte përfshirë në lëvizjet politike të asaj kohe, vdes në vitin 1919, kur Gonxhja ishte tetë vjeçe. Në fakt, Kolë Bojaxhiu (Nikolla), ishte një nacionalist shqiptar që angazhohej për bashkimin e Kosovës (së pushtuar nga Serbia) me Shqipërinë. Për këtë arsye ai kishte shkuar ne Beograd me konsullin Italian, por u kthye I helmuar nga qarqet serbe në Beograd dhe vdiq. 

Janë dëshmitë e Lazër Bojaxhiut, vëllait të Nënës Trereze, që ka jetuar deri vonë dhe i cili për shkaqe politike të përndjekjes nga Serbia, emigroi qysh herët në Itali, janë edhe dëshmitë e motrës së saj, Age Bojaxhiu. 
Pra, Gonxhe Bojaxhiu u formua në një FAMILJE ATDHETARE TË DALLUAR, familjen e të cilës e përndiqte Serbia, e vriste dhe e degdiste jashtë Atdheut. 
Janë ditari i saj, dëshmitë tashmë të nxjerra nga shiritat e magnetofonit ndër to, edhe intervistat në gazetën “Rilindja e medieve shqipe në Kosovë gjatë viteve ’80 e këndej e ku fliste SHQIP (gazetarët që e intervistuan, janë gjallë dhe japin ato dëshmi). Janë letrat dërguar kryeipeshkvit të Kalkutës, Perier, priftit Celeste Van Exem, pastaj trestamenti shpirtëror i saj që u shkrua para vdekjes, e të gjitha këto dëshmojnë këto përmasa të veprimit të saj nga njëra anë, dhe SHQIPATRËSINË E DËSHMUAR, nga ana tjetër. E pra, janë të shumta dëshmitë që formimin e saj shqiptar dhe të krishterë, e mori nga familja.
Sado që ajo ishte NËNË QË I TAKONTE TËRË NJERËZIMIT, studiuesit shqiptarë të veprës e jetës së saj, poetët, prozatorët dhe dramaturgët shqiptarë, e theksojnë lidhjen që ajo ka me vendlindjen e saj, me Shkupin, si dhe lidhjet e saj me Atdheun, Shqipërinë dhe Kosovën. E lindur në Shkup më 1910, e formuar në gjirin e një familjeje që ishte shpërngulur nga Kosova, me familjen e shpërngulur dhunshëm për në Shqipëri (iu mohua nga shteti shqiptar t’i shihte sa ishin gjallë).

 

4. 
Askush si ajo nuk i ka lartësuar kaq përbotshëm emrat SHQIPËRI DHE SHQIPTAR. Askujt si asaj kombi ynë nuk i është përkulur me kaq përvujtëri dhe askujt si asaj rruzullimi tokësor nuk i është përkulur, si “gruas më të fuqishme planetare”./drita.info

Shpëndaje: