Zotin nuk mund ta mashtrosh me dukjen e jashtme

Aug 29 • Meditimi i ditës

29 gusht 2016 – E hënë, Matirizimi i Shën Gjon Pagëzuesit, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Jr 1,17-19; Ps 70,1-6b.15ab.17; Mk 6,17-29)

 

Prania e Hyjit

Nganjëherë më pushtojnë brengat e kësaj bote.
Në momentin si ky tani bëj që të bëhem i/e vetëdijshëm/e për kënaqësinë e pranisë tënde
si dhe për dashurinë tënde të pakufi ndaj meje.

 

Liria

O Zot, ma jep hirin që të jem i/e lirë nga ekseset dhe teprimi.
Mos lejo që të më robërojnë dëshira për posedim dhe pasuri.
M`i ruaj mendjen dhe zemrën të lira që të dua dhe të shërbej ty.

 

Ndërgjegjësimi

E pyes veten, ç`po ndiej sot në veten time?
A jam ndoshta i/e lodhur, nën stres apo jashtë forme?
Nëse diçka prej kësaj ekziston në mua
a mund të provoj t`i hedh tej këto brenga që më shqetësojnë?

 

Fjala

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit pa u ngutur, disa herë,

dhe do të ndalem në atë fjalë apo ngjarje që më prek, që më flet pikërisht mua.

 

Mk 6, 17-29

 

17 Në fakt Herodi vet kishte dhënë urdhër të arrestohej Gjoni dhe të mbahej i lidhur në burg për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, vëllait të tij, sepse e kishte marrë për grua. 18 Gjoni, pra, i thoshte Herodit: “Nuk është e lejueshme të kesh gruan e vëllait tënd!” 19 Dhe Herodiada e urrente dhe dëshironte ta vriste, por nuk mundte. 20 Herodi, pra, i druhej Gjonit, të cilin e dinte si njeri të drejtë dhe të shenjtë, dhe e mbronte; dhe, mbasi e dëgjonte, kryente shumë gjëra dhe e dëgjonte me dëshirë. 21 Por erdhi dita e volitshme dhe Herodi, për ditëlindjen e vet, shtroi një gosti për të mëdhenjtë e tij, për komandantët dhe për parinë e Galilesë. 22 Hyri vetë e bija e Herodiadës, kërceu dhe i pëlqeu Herodit e atyre që ishin bashkë me të në tryezë, atëherë mbreti i tha vajzës: “Më kërko ç’të duash dhe unë do të ta jap.” 23 Dhe iu betua: “Gjithçka që të më kërkosh, do të ta jap, deri gjysmën e mbretërisë sime!.” 24 Ajo doli dhe i tha s’ëmës: “Çfarë duhet t’i kërkoj?” Ajo u përgjigj: “Kokën e Gjon Pagëzorit!.” 25 Ajo u kthye menjëherë te mbreti dhe i kërkoi me nxitim: “Unë dëshiroj që ti të më japësh menjëherë, mbi një pjatë, kokën e Gjon Pagëzorit.” 26 Dhe mbreti, megjithëse u trishtua shumë nga kjo, nuk deshi të refuzojë për shkak të betimit dhe për respekt të të ftuarve. 27 Kështu mbreti dërgoi menjëherë një roje me urdhër që ti sillnin kokën e Gjonit. 28 Dhe ky shkoi, ia preu kokën në burg, dhe e solli kokën e tij mbi një pjatë, ia dha vajzës dhe vajza ia dha s’ëmës. 29 Kur dishepujt e Gjonit i dëgjuan këto, erdhën, morën trupin e tij dhe e vunë në varr.

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Nganjëherë ndodhem në hall përballë buzëqeshjeve të sforcuara në fytyrat e “mrekullueshme dhe të mira”. Këta njerëz e projektojnë (tejçojnë) një imazh që është larg nga e vërteta. Por a është imazhi që përçoj unë tek të tjerët vërtetë uni im real?
  • Jezusi në Ungjill shpesh e kritikon hipokrizinë. Hipokrizinë e gjejmë te njerëzit që nuk e zbatojnë në jetë atë çka thonë. Jezusi rregullisht kritikon besimin që ndalet vetëm në anën e jashtme, te njerëzit që e reduktojnë atë vetëm në një shou, paraqitje të jashtme, që e ka humbur plotësinë dhe pikërisht kuptimin e drejtë të brendshëm. Hipokrizia mund të vrasë shpirtin që është në ne.
  • Kur marrim vendime ne e pyesim veten: “Çka do të thonë fqinjët?” Por a është kjo vërtetë më e rëndësishmja? Ekziston vetëm Njëri mendimi i të cilit vërtetë ka rëndësi. Zoti e di të vërtetën. Ne duhet t`i respektojmë dhe t`i duam fqinjët tanë, pa i lënë ata ta shtrembërojnë jetën tonë si dishepuj të vërtetë.
  • Zoti shikon në brendësi. Zoti i sheh përpjekjet tona për të bërë mirë dhe nuk lë të mashtrohet me lutje, liturgji apo adhurim bosh. Jezusi është i ashpër ndaj hipokrizisë, ndaj shtirjes se jeta e dikujt është më e plotë sesa jeta e një tjetri. Na thërret në ndershmëri, përvujtëri dhe besim në të.

 

Bashkëbisedimi

Jezus, po më flet nëpërmjet tekstit të Shkrimit Shenjt.
Bëj që t`i përgjigjem thirrjes tënde të sotshme.
Më mëso që ta njoh dorën tënde vepruese në jetën time të përditshme.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që më dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »