Libër i ri nga SH.B. “DRITA”: Përshpirtëria e Nënë Terezës – Jeta, dashuria dhe dëshmia

Aug 30 • Recension

Nga Kardianl Vinko Puljić, argjipeshkëv i Sarajevës

 

Ky libër që e keni para vetes për lexim, është një shqyrtim i kujdesshëm, mbi disa tema themelore të fesë së krishterë: Jeta me Krishtin, dashuria me Marinë, dëshmia me Kishën. Ky libër, është shkruar duke marrë vazhdimisht nga burimet biblike, mësimi i Kishës, dokumentet e Koncilit të Dytë të Vatikanit; nga dëshmia e çmueshme  e fesë dhe dashurisë së Nënës Tereze. Autori Don Lush Gjergji është thelluar në veprën e Shpirtit Shenjt, duke e shndërruar atë nëpërmjet mendimeve dhe ndjenjave të zemrës, në trajtën e fjalës njerëzore, në mënyrë që të arrijë drejtpërdrejt në zemrën e njerëzve.

JETA

Shumë mendimtarë, janë munduar që ta definojnë jetën, qenien e saj të vërtetë. Të tjerët, kanë kërkuar ta gjejnë kuptimin; e të tjerët janë frikësuar prej saj. Vetëm Një ka mund të thotë për vete: “Unë jam ringjallja dhe  jeta.” (Gjn 11, 25) Jezusi, nuk është vetëm Jeta, por është Ai që e “jep atë  në plotësi”. Jeta jonë është një dhuratë. Mënyra më e mirë për ta jetuar dhe për t’i dhënë kuptimin më të lartë, është “të jetosh për të tjerët”. Jezusi, na mëson këtë, duke thënë: “Nëse kokrra e grurit e mbjellë në dhe nuk vdes, jetë e vetme” (Gjn 12, 24). Misteri i jetës përfshinë edhe vdekjen. Shi për këtë, dijetarët e vjetër thoshin: “gjithçka që nuk meriton vdekjen, zhduket përgjithmonë”. Nga ky mendim, rrjedh mësimi se vetëm Dashuria mund të jetë themeli burimor i jetës.

DASHURIA

Kuptimi i mirëfilltë i jetës duhet të kërkohet në dashuri. Gjëja më e keqe është mos – jeta. Çdo jetë pa dashuri, është jetë e munguar dhe cunguar. Për ta realizuar jetën në thellësinë e saj të mirëfilltë, duhet të zbatohet dashuria. Ne, jemi qenie të dashura. Një fakt absolutisht i vërtetë është mendimi: Zoti na do. Jemi të dashur, sepse mu për këtë Hyji na ka krijuar për të dashur. Nëse duam ta zbatohemi në  dashuri, duhet të “mësohemi të vdesim”. Dashuria vdes, atëherë kur nuk dhurohet. Për ta realizuar jetën sipas planit të amshuar të Zotit, duhet të dimë të dhurohemi, deri te rrezikimi i jetës sonë. Ky është kuptimi i vërtetë i dëshmisë.

DËSHMIA

Dëshmia, domethënë realizimi në jetën tonë të përditshme i Fjalës së Zotit të mishëruar. Nëse ia lejojmë që Jeta e Zotit të na “pushtojë”, nëse na ngrohë dashuria e Zotit, atëherë do të jemi të aftë, të dëshmojmë, të ndriçojmë dhe lulëzojmë. Kandili nuk ka nevojë për shenja tjera të dritës, sepse është shenjë drite. Jeta e zbatuar në dashuri, është fjala që jehon në jetën e njerëzve, edhe atëherë kur ata janë larg. Ndoshta, në jetën tonë kemi harruar shumë fjalë, mirëpo, ajo e dashurisë na ndriçon, mbetet për amshim. Zoti, për të na folur, është shërbyer me shumë njerëz. Së fundi, na ka folur Birin e vet, që nëpërmjet Trupit Mistik – Kishës, ka përqafuar të gjithë njerëzit që janë ndriçuar nga fuqia e Ngjalljes së tij dhe nga hiri i Kryqit. Kështu, me anë të tyre, nëpërmjet Kishës, flet për këtë dashuri që buron nga “pika e jetës” dhe që është mirësi dhe dashuri.

Të dashur lexues,

Me këto mendime, Don Lush Gjergji na udhëheq afër jetës së zbatuar në dashuri, që lexohet në fytyrën e Nënës Tereze. Uroj që ky libër të ndezë në të gjithë ju “flakadanin” që u ndihmon të realizoheni në dashuri, edhe në jetën tuaj të përditshme. Jeta e çdo njërit prej nesh, le të jetë një libër i hapur, faqet e të cilit le të jenë të pasura me dashuri dhe dëshmi, duke lavdëruar Zotin për shembujt e mrekullueshëm që na dhuron.

Maria, e parazgjedhura dhe e dashura e Zotit, le të jetë model i Kishës së gjallë, që jemi të gjithë ne.

(Ky tekst është paraqitje e librit )

Shpërndaje

Comments are closed.

« »