Të gjesh Zotin në vendet e braktisura të zemrës

Aug 31 • Meditimi i ditës

31 gusht 2016 – E mërkurë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1Kor 3,1-9; Ps 32,12-15.20-21; Lk 4,38-44)

 

Prania e Hyjit

O Zot, më ndihmo që krejt qenien time t`ia hapi pranisë sate.

Më rretho me dashurinë tënde.

Zemra ime le të bashkohet me tënden.

 

Liria

E ndiej një nevojë për ta lënë zhurmën përjashta,

Zhurmën që pengon dhe ndanë,

Zhurmën që më përshkon dhe ngulfat.

E ndiej nevojën për t`iu kthyer Zotit për ta dëgjuar.

 

Ndërgjegjësimi

Si po e ndiej veten përnjëmend? I/e pa brengosur? I/e turbulluar?
Ndoshta jam i/e qetë, i/e lumtur pse ekzistoj.
Por ndoshta i/e frustruar, i/e brengosur dhe i/e zemëruar.
E pranoj atë çfarë ndiej realisht.
Sepse Hyji më do pikërisht të tillë siç jam në realitet.

 

Fjala

Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.

Duhet ta dëgjoj në atë mënyrë që ta ndiej çfarë dëshiron të më thotë.

Do ta lexoj tekstin disa herë, pastaj do të dëgjoj…

 

Lk 4, 38-44

 

38 Si doli prej sinagogës, hyri në shtëpinë e Simonit. Vjehrrën e Simonit e kishin zënë ethe të forta e i bënë lutje për të. 39 Ai u përkul kah ajo, u urdhëroi etheve ‑ e ato e lëshuan. U çua aty për aty dhe u shërbeu.

40 Kur perëndoi dielli, të gjithë ata që ishin të sëmurë me sëmundje të ndryshme, i binin tek ai e Jezusi i shëronte duke vënë duart mbi secilin prej tyre. 41 Prej shumëkujt dilnin djajtë e thoshin: “Ti je Biri i Hyjit!” Jezusi u kërcënohej dhe ua ndalonte të flisnin, sepse e dinin se ai ishte Mesia.

42 Kur zbardhi drita doli dhe shkoi në një vend të pabanuar. Turmat u vunë ta kërkojnë, e kur e gjetën, u munduan ta ndalnin të mos largohej prej tyre. 43 Ai u tha:

“Më duhet ta shpall Ungjillin e Mbretërisë edhe në qytete të tjera, sepse për këtë punë jam dërguar.”

44 E predikonte nëpër sinagoga të Judesë.

 

 Ç` dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

·     Kujt do t`i drejtohet familja me problemet e veta? Sa prej tyre do t`i vejnë problemet e tyre në lutje para Zotit? O Zot, bëj që të bëhem ambasador i lutjes për ata që s`mund të luten.

·     Jezusi premton se do të jetë me çiftet bashkëshortore derisa ata në mënyrë të pakushtëzuar ia japin njëri-tjetrit vetveten në të mira dhe të këqija, në sëmundje dhe në shëndet, në pasuri dhe varfëri.

·      O Zot, bëj që të gjejmë ty në vendet e braktisura të zemrave tona dhe bëj që kjo të na çojë drejt një besimi më të thellë në ty dhe në premtimet e tua.

 

Bashkëbisedimi

E filloj bisedën me Jezusin mbi tekstin e Shkrimit Shenjt që pikërisht e lexova.

Çfarë më nxiti më së shumti të mendohem?

Ndoshta nëpërmjet atij rreshti të tekstit në sipërfaqen e vetëdijes sime

ngadalë nga kujtesa dalin fjalët e mikut, apo ndonjë rrëfim që e kam dëgjuar para pak kohe.

Nëse është ashtu, a po e ndriçon rrëfimi atë çfarë mundohet të më thotë teksti i Shkrimit Shenjt?

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »