Sfida e ndryshimit të mënyrës së të menduarit

Sep 1 • Meditimi i ditës

1 shtator 2016 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1Kor 3,18-23; Ps 23,1-6; Lk 5,1-11)

 

Prania e Hyjit

Tash të gjitha mendimet po i drejtoj kah ti, o Zot.
Po i lë anash të gjitha brengat dhe interesimet e mia
dhe po kërkoj pushim dhe këndellje në afërsinë tënde.

 

Liria

Do të mundohem që së paku shkurt t`i harroj të gjitha brengat dhe problemet
që ndoshta më mundojnë në këtë moment.
Të gjitha brengat e mia i vendos në duart e Zotit – së paku disa minuta deri sa të zgjatë kjo lutje.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Hyjit që më do
e vështroj gjithë atë që më ka ndodhur në këtë ditë që po kalon,
prej këtij momenti në mënyrë retrospektive, hap për hap.
E kujtoj të gjithë atë që ka qenë e mirë dhe e bukur, dhe për këtë falënderoj.
I vërej edhe hijet, gabimet dhe pyes se çfarë më flasin; lus për shërim, guxim, falje.

 

Fjala

Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.
Duhet ashtu ta dëgjoj në mënyrë që ta ndiej çfarë dëshiron të më thotë.
Do ta lexoj tekstin disa herë, pastaj do të dëgjoj…

 

Lk 5, 1-11

 

1 Jezusi një ditë ishte në bregun e liqenit të Gjenezaretit e, ndërsa populli po shtyhej rreth tij për të dëgjuar fjalën e Hyjit, 2 pa dy lundra buzë bregut të liqenit: peshkatarët kishin dalë e po lanin rrjetat. 3 Hyri në njërën prej atyre lundrave ‑ në atë që ishte e Simonit ‑ dhe iu lut ta largonte pakëz prej tokës. U ul e, prej lundrës, mësonte turmën.

4 Kur pushoi së foluri, i tha Simonit:

“Grahi në ujë të thellë e hidhni rrjetat tuaja për të zënë peshk.”

5 Simoni i tha:

“Mësues, gjithë natën u përpoqëm e nuk zumë asgjë; por pasi po thua ti, do t’i hedh rrjetat.”

6 Si bënë kështu, zunë një sasi të madhe peshqish ‑ gati po u shqyheshin rrjetat. 7 Atëherë u dhanë shenjë shokëve në lundrën tjetër të vinin e t’u ndihmonin. Ata erdhën dhe i mbushën të dy lundrat aq sa gati u fundosën.

8 Kur pa Simon Pjetri, i ra ndër këmbë Jezusit dhe i tha:

“Largohu prej meje, Zotëri, se jam njeri mëkatar!”

9 Vërtet, për arsye të peshkut që zunë, mbeti shtang prej habisë ai dhe të gjithë të tjerët që ishin me të; 10 gjithashtu edhe Jakobi e Gjoni, bijtë e Zebedeut, bashkëgjuetarë të Simonit. Jezusi i tha Simonit:

“Mos ki frikë! Tani e tutje do të zësh njerëz.”

11 Ata, si i sollën lundrat në breg, lanë gjithçka e shkuan pas tij.

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Pjetri ishte i vetëdijshëm për padenjësinë e vet – të ndjekësh Jezusin nga afër dukej shumë pretenduese. Kishte harruar që “të jesh nxënës” nuk është ide e tij: Jezusi e ka thirrur që të jetë miku i tij. Prandaj edhe unë do të provoj ta ndryshoj mënyrën time të të menduarit dhe të besuarit në mënyrë që të mund më shumë të vlerësoj që Zoti e hedh shikimin e tij mbi mua plot dashuri, më njeh dhe më thërret që të jem afër tij.
  • A jam i thirrur që ta lë sigurinë e bregut dhe të hyj në ujë të thellë?

 

Bashkëbisedimi

Jezus i dashur, po ta çeli zemrën.

Mund të të them gjithçka më mundon.
E di që kujdesesh për gjithçka i përket jetës sime.
Më mëso që të jetoj në dijeni se ti kujdesesh sot për mua,
se do të kujdesesh edhe të gjitha ditët e jetës sime.

 

Përmbyllja

Të falënderoj o Zot që i kalova këto pak momente vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash e
përgjithmonë e jetës. Amen

Shpërndaje

Comments are closed.

« »