A e ndiej nevojën për ushqim shpirtëror?

Sep 3 • Meditimi i ditës

3 shtator 2016 – E shtunë, Gregori i Madh, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme 

(Leximet e ditës: 1Kor 4,6-15; Ps 145,17-21: Lk 6,1-5)

 

Prania e Hyjit

Zot i dashur, më ndihmo që të hapem krejtësisht me ty,
sepse tani po i lë anash të gjitha brengat e mia.
Mbushi mendimet e mia me paqe, me dashurinë tënde.

 

Liria

Duhet të shkëputem nga zhurma; të ngrihem mbi zhurmën;

zhurmën që e ndërpret marrëdhënien e vendosur, zhurmën që shkakton ndasi.

Duhet t`i kthehem dëgjimit të Hyjit.

 

Ndërgjegjësimi

Të jesh i/e vetëdijshëm/e për diçka do të thotë këtë edhe ta vëresh.

O Zot, më ndihmo që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e se ma ke dhuruar jetën;

Faleminderit për këtë dhuratë të jetës.

Më mëso se si të koncentrohem dhe të jem i/e qetë dhe të kënaqem në sendet që i ke krijuar për mua.

Ta vërej bukurinë që më rrethon,

mrekullitë e majave të maleve, qetësinë e liqenit, thyeshmërinë e gjethes së lules…

Gjithmonë duhet qenë i/e vetëdijshëm/e se të gjitha këto vijnë prej teje.

 

Fjala

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit pa u ngutur, disa herë,

dhe do të ndalem aty, në atë fjalë apo ngjarje që më prek, që më rrëmben, që më flet personalisht.

 

Lk 6, 1-5

 

1 Një të shtunë, kur Jezusi po kalonte nëpër të mbjella, nxënësit e tij këputnin kallinj, i shkokëlonin në dorë dhe i hanin. 2 Atëherë disa farisenj thanë:

“Pse bëni çka s’është e lejueshme të bëhet të shtunën?”

3 Jezusi iu përgjigj:

“A nuk keni lexuar çfarë bëri Davidi kur u urit ai dhe përcjellësit e tij? 4 [Si] hyri në Shtëpinë e Hyjit, i mori bukët e kushtimit, hëngri vetë dhe u dha të hanë edhe atyre që ishin me të, bukët, që s’kishte leje t’i hajë askush tjetër përveç priftërinjve?”

5 Dhe u tha:

“Biri i njeriut është zotëria i të shtunës.”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Çfarë është më e rëndësishme kur njeriu është në nevojë: shkronja e rreptë e ligjit apo liria e shpirtit që i vjen në ndihmë atij që është në nevojë? Në këtë rast, besimi dhe nevoja njerëzore janë të lidhura ngushtë. Jezusi seriozisht e kupton urinë për ushqim, si një nevojë e njeriut. Kjo mund të na sjellë në kujtesë problemin e urisë në botën e sotme: miliona njerëz kanë uri. A mund të sigurojmë një shpërndarje më të drejtë të ushqimit dhe mallrave mes atyre që i duam?
  • Jezusi dëshiron të na thotë që përveç urisë fizike ekziston edhe uria shpirtërore. A e ndiej unë nevojën për ushqim shpirtëror?

 

Bashkëbisedimi

A jam duke i vërejtur reagimet e mia gjatë kohës kur lus në bazë të Shkrimit Shenjt?

A është ajo për mua sfidë, ngushëllim apo më shtynë të largohem?

Ndërsa e paramendoj Jezusin se është ulur apo qëndron pranë meje,

Me besim, si mikut tim më të mirë, i flas për ndjenjat e mia.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »