Fjala përshëndetëse e Imzot Dodë Gjergjit në Koncertin e Shenjtërimit të Nënë Terezës

Sep 3 • Kisha në Kosovë

Bazilika e Shën Palit, 3 shtator 2016

 

 

Eminencë, Ekscelencë,

zonja dhe zotërinj,

vëllezër dhe motra,

 

Paqja me ju!

 

Në vitet e para të shekullit të fundit, të mijëvjeçarit të dytë, në Shenjtëroren e Kishës tonë në Letnicë, Hyji pa një filiz të njomë të dashurisë së Tij, që ishte rritë nën rrënojat historike të Kishës tonë, në trungun e “djegur të popullit tim”.

Atij i pëlqej shumë ky filiz, e shkëputi, e mori për vete dhe e dërgojë në një kishë të Azisë së Largët, atje e rimbolli këtë filiz të dashurisë së vet, në trungun e varfërisë së popullit të Kalkutës.

Nën kujdesin e Tij, ky filiz rritej e rritej sa që, nën hijen e saj, gjenin strehë ngushëllimi të gjithë të mjerët dhe nga frytet e kësaj dashurie ushqeheshin të varfëritë, të përbuzurit e të lënët pas dore.

Të pasurit dhe të pushtetshmit e kësaj bote, duke parë se të mjerët kishën diçka që iu mungonte atyre, do të thotë dashuria, kështu ata duke “xhelozua të varfëritë” filluan të përkuleshin me të njëjtin respekt, si të mjerët, për të mbledhë edhe për vete, frytet e kësaj dashurie.

Që kjo pemë dashurie të shtrinte degët e veta edhe mbi ta e mbi  vendet e tyre,  filluan t’i vejnë mundësitë e tyre, në rrejtët e saja, me qëllim që kjo pemë dashurie, që rritej në mesin e të mjerëve, të shtrinte degët e saj  në mbarë botën.

Kjo pemë e njomë e dashurisë së Hyjit ndër ne, i ra në sy Papës Gjon Palit II, ai me plot përkushtim u kujdes për të, që ta mbronte nga rreziku i infektimit me botën.

Në vitet e para të Mijëvjeçarit të tretë, degët e kësaj peme arritën në qiell kurse rrënjët e saja, Papa Françesku do t’i mbjellë nesër, në Altarin e Kishës katolike, duke ia ofrua botës Gonxhen tonë, Nënë e të varfërve, Terezën e Kalkutës, si dhuratë shpirtërore për mbarë njerëzimin, në Vitin e Mëshirës Hyjnore.

Ne, ai trungu i vjetër, të mahnitur me këtë dhunti, që një filiz i trungut tonë u bë pemë dashurie në botë, dhe po mbillet në Altarin e Krishtit, që e frymëzojë, menduam si ta falënderojmë Zotin për këtë dhuratë? Dhe thamë t’ia japim këngës, mblodhëm “harpë e cetër”  e thamë:  Do të shkojmë në Vatikan, që së bashku me shtegtarë dhe me Kishën universale t’i këndojmë Zotit këngën e falënderimit.

Këndej nga zemra falënderoj të gjithë këngëtarët, instrumentistët, dirigjentët dhe solistët që vullnetarisht erdhën për të kënduar me ne.

Falënderoj Selinë e Shenjtë që na mirëpriti në këtë Kishë – Bazilikë Papnore të Ungjillëzuesit tonë Shën Palit Apostull.

Në veçanti dua të theksoj përkudesin e Sekretarit të Shtetit Eminencën e Tij, Kardinalin Pietro Parolin, Shkëlqesin e  Tij, Mons. Juliusz Janusz, delegatin tonë apostolik dhe Kryepriftin e kësaj Bazilike, Kardinalin James M. Hervay.

Falënderoj, po ashtu, Qeverinë e Kosovës për mbështetje financiere, Filharmoninë e Kosovës, Fondacionin “Drita” dhe “Nënë Tereza” për organizim dhe menaxhim të kësaj ngjarjeje dhe gjithë ju Presidentë, Kryeministra, ministra, deputetë, shtegtarë dhe miq që keni ardhur për të gëzuar bashkë me ne.

Tani ja japim fjalën këngës!

 

Imzot Dodë Gjergji, Ipeshkëv i Kosovës

Shpërndaje

Comments are closed.

« »