T`i shërbesh Zotit si mik e dëshmitar

Sep 6 • Meditimi i ditës

6 shtator 2016 – E martë, Momenti i shenjtë – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: 1Kor 6,1-11; Ps 149,1-6a.9b; Lk 6,12-19)

 

Prania e Hyjit

Jezus i dashur, po vij sot tek ti, kam nevojë për afërsinë tënde.

Dëshiroj të dua ty sikurse më do ti mua.

Kurrë mos më ndaftë ndonjë gjë prej teje.

 

Liria

O Zot, ma ke dhënë jetën dhe dhuratën e lirisë.
Unë ekzistoj në këtë botë falë dashurisë sate.
Më ndihmo që gjithmonë të di ta çmoj këtë dhuratë të jetës dhe që gjithmonë ta respektoj të drejtën e tjetrit për të jetuar.

 

Ndërgjegjësimi

Si po e përjetoj, si po e ndiej sot veten?
Si jam duke u sjellë me Hyjin? Me të tjerët?
A ekziston diçka që duhet të jem mirënjohës? Atëherë do të them: faleminderit.
A ekziston diçka që do të duhej të më vinte keq? Atëherë do të them: më fal.

 

Fjala

Kaloje këtë kohë duke e përqendruar vetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.

 

Lk 6, 12-19

 

12 Ndër ato ditë Jezusi shkoi në një mal për t’u lutur. Natën e kaloi duke iu lutur Hyjit. 13 Kur zbardhi drita, i thirri nxënësit e vet e prej tyre zgjodhi dymbëdhjetë, të cilët edhe i quajti apostuj: 14 Simonin, të cilin e quajti edhe Pjetër, Andreun, vëllanë e tij, Jakobin e Gjonin, Filipin e Bartolomeun, 15Mateun, e Tomën, Jakobin e Alfeut, Simonin që quhej Zelltar, 16 Judën e Jakobit edhe Judën Iskariot, i cili u bë tradhtar.

 17 Pastaj zbriti bashkë me ta e zuri vend në rrafshinë. Ishte aty një shumicë e madhe nxënësish të tij dhe një turmë e madhe e popullit prej mbarë Judesë, prej Jerusalemit dhe prej bregut të detit të Tirit e të Sidonit, 18 që kishin ardhur për ta dëgjuar e për t’u shëruar prej sëmundjeve të veta. Shëroheshin edhe ata që i mundonin shpirtrat e ndytë. 19 Të gjithë këta njerëz kërkonin ta preknin, sepse prej tij dilte një fuqi që shëronte gjithkënd.

 

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Nuk pushojmë së admiruari dhe çudituri se sa njerëz të zakonshëm kanë qenë ata që Jezusi i zgjodhi si bashkëpunëtorët dhe ndjekësit e tij më të ngushtë. Ata s`kishin pasuri, arsimim apo ndonjë pozicion në pushtet. Ata dinin të ishin frikacakë, grindavecë dhe ambiciozë. Por ata kishin diçka në brendësinë e tyre, diçka për të ofruar: lejuan veten që t`i tërhiqte Jezusi.
  • O Zot, largoje nga unë çdo gjë që do të më pengonte a bllokonte për të pranuar ftesën tënde personale që ma bën. Merrmë te vetja jote – dua që të të shërbej si një mik dhe dëshmitar i yt. Dua të të pranoj me mirënjohje si vëllanë tim.

 

Bashkëbisedimi

Jezus, po më flet personalisht në tekstin e Shkrimit Shenjt.

Bëj që të përgjigjem në thirrjen tënde të sotshme.

Më mëso ta dalloj dorën tënde në vepër në jetën time të përditshme.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që munda t`i kaloj këto pak minuta me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »