Mëshira është më e fortë se zemërimi

Sep 10 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela XXIV gjatë vitit C

 

Leximi i parë Dal 32, 7-11.13-14

Lexim prej Librit të Daljes

Në ato ditë, Zoti i tha Moisiut: “Mos vono e zbrit poshtë, sepse populli yt që e nxore nga dheu i Egjiptit, u prish. E lanë me të shpejtë rrugën që ua kam caktuar. Punuan një viç të metaltë, e adhuruan dhe i kushtuan fli e thanë: “Këta janë zotat e tu, o Izrael, që të nxorën nga dheu i Egjiptit!” Mandej Zoti i tha Moisiut: “Po shoh se ky popull është popull kokëfortë. Më lësho të ndizet flakë hidhërimi im kundër tij e ta shfaros, e prej teje do të bëj një popull të madh.”
Porse Moisiu i lutej Zotit, Hyjit të vet, e i thoshte: “Përse, o Zot, do të ndizet flakë hidhërimi yt kundër popullit tënd, të cilin e nxore nga dheu i Egjiptit me fuqi të madhe e dorë të fortë? Të bie ndër mend Abrahami, Izaku e Izraeli, shërbëtorët e tu, të cilëve u përbetove me vetvete, kur u the: ‘Do ta shtoj farën tuaj si yjet e qiellit dhe tërë këtë tokë, pët të cilën ju fola, do t’ia jap farës suaj; e do të jetë juaja përgjithmonë’.” Zoti pati mëshirë dhe nuk ia çoi të keqen me të cilën i ishte kërcënuar popullit të vet.

Fjala e Zotit.

 

PSALMI 51

Ref: Na e jep, o Zot, gëzimin e faljes sate
—– —– —–

Ki mëshirë për mua, o Hyj,
sipas mëshirës sate,
pashë mirësinë tënde shlyeje mëkatin tim!
Më laj krejtësisht prej mëkatit tim
e më pastro prej fajit tim.
—– —– —–
Krijoje në mua, o Hyj, zemrën e pastër,
përtërij në mua një shpirt të qëndrueshëm!
Mos më flak larg fytyrës sate,
mos e hiq prej meje
shpirtin tënd të shenjtë.
—– —– —–
Zhdrivilloj, o Zot, buzët e mia,
dhe goja ime do ta shpallë lavdinë tënde.
Flia e vërtetë për Hyjin: shpirti i penduar;
ti, o Hyj, nuk e përbuz zemrën e penduar, të thërmuar.
—– —– —–

 

Leximi i dytë 1 Tim 1, 12-17

Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Timoteut

E falënderoj Atë që më dha fuqi, Krishtin Jezus, Zotin tonë, pse më çmoi të besueshëm duke më thirrur në shërbesë mua, që më parë isha blasfemues, salvues, mujshar. Por gjeta mëshirë pse veproja prej padijes, larg nga besimi i vërtetë. Dhe hiri i Zotit tonë qe pa masë i begatshëm bashkë me fe dhe me dashuri që është në Krishtin Jezus.
Kjo fjalë është e vërtetë dhe meriton të besohet prej të gjithëve: Krishti Jezus erdhi në botë për të shëlbuar mëkatarët, ndër të cilët unë jam i pari. Ai pati mëshirë për mua me qëllim që në mua më të parin Jezu Krishti ta dëftojë tërë zemërgjerësinë e vet për t’u dhënë shembull të gjithë atyre që do të besojnë në Të për të fituar jetën e pasosur. Dhe Mbretit të shekujve, të pavdekshmit, të papashmit, një të vetmit Hyj i qoftë nder e lavdi në shekuj të shekujve. Amen! 

Fjala e Zotit.

 

Aleluja.
Ne e njohëm e besuam në dashurinë që Zoti ka për ne.
Aleluja.

 

Ungjilli Lk 15, 1-32.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, të gjithë tagrambledhësit dhe mëkatarët i afroheshin Jezusit për ta dëgjuar. Farisenjtë e skribët nynykatnin: “Ky i pranon mëkatarët – thoshin – dhe po ha me ta.”
Atëherë Jezusi u tregoi këtë shëmbëlltyrë: “Cili prej jush, po i pati njëqind dele dhe, nëse një prej tyre i tret, nuk i lë të nëntëdhjetenëntë tjerat vetëm në kullosë e nuk shkon pas të treturës derisa ta gjejë? Kur e gjen, plot gëzim, e vë në krah, dhe, posa arrin në shtëpi, i thërret miqtë e fqinjët e u thotë: ‘Gëzohuni me mua se e gjeta delen time që më humbi.’ Unë po ju them: në qiell do të ketë po kështu më shumë gëzim për një mëkatar që pendohet e kthehet se për të nëntëdhjetenëntë të drejtë, që s’kanë nevojë të kthehen.
Ose cila grua që ka dhjetë drahma e po bëri e i treti njëra, nuk e ndez dritën e nuk e fshin shtëpinë dhe nuk e kërkon me kujdes derisa ta gjejë? Dhe, kur e gjen, i bashkon mikeshat dhe fqinjët dhe u thotë: ‘Gëzohuni me mua se e gjeta drahmën që më pati humbur.’ Po kështu, unë po ju them: bëhet gëzim në mes të engjëjve të Hyjit për një mëkatar që kthehet.”
Mandej vijoi: “Një njeri kishte dy djem. Djali i vogël i tha t’et: ‘Babë, ma jep pjesën e pasurisë që më takon!’ Ai ua ndau pasurinë. Mbas pak ditësh, djali i vogël mblodhi çka pati dhe shkoi në dhe të largët e atje e shkapërderdhi pasurinë e vet duke jetuar i dhënë pas vesesh. Kur shpenzoi gjithçka pati, u bë zi e madhe buke në atë vend e djali filloi ta sprovoi skamjen. Atëherë shkoi e u lidh rrogëtar te një njeri i atij vendi. Ky e dërgoi në toka të veta t’i ruajë thitë. E dëshironte ta mbushte së paku ndonjë herë barkun me kokrra çiçibunesh që hanin thitë, por askush nuk ia jepte. Atëherë i erdhën mendtë e thoshte: ‘Sa mëditësve tim atë u tepron buka, kurse unë këtu po vdes urie! Do të çohem e do të shkoj tek im atë e do t’i them: O atë, rashë në mëkat kundër qiellit e ndaj teje! Nuk jam më i denjë të quhem yt bir; më prano si një ndër rrogëtarët e tu.’
U çua dhe e mori rrugën të kthehet tek i ati. Ndërsa ende ishte larg, i ati e pa, u ngashërye, u lëshua vrap, e mori ngrykë dhe e puthi. Atëherë i biri i tha: ‘O atë, rashë në mëkat kundër qiellit e ndaj teje! Nuk jam më i denjë të quhem yt bir!’ Por i ati u tha shërbëtorëve të vet: ‘Sillni shpejt petkat më të mirat e veshniani! Vëniani unazën në dorë e sandalet në këmbë! Sillni viçin e majur e prenie të hamë e të gëzojmë, sepse ky, im bir, pati vdekur e u ngjall, pati humbur e u gjet!’ E filluan të dëfrehen.
Djali i tij i madh ndodhi në fushë. Kur u kthye e iu afrua shtëpisë, dëgjoi këngë e valle, thirri një shërbëtor dhe e pyeti ç’ndodhi. Ai i përgjigji: ‘U kthye vëllai yt e yt atë e preu viçin e majur pse iu kthye djali shëndosh e mirë.’ Ai u zemërua dhe nuk deshi të hyjë brenda. I ati doli jashtë dhe iu lut. Atëherë ai i tha t’et: ‘Qe se unë të shërbej tash sa kohë e kurrë nuk e shkela asnjë urdhër tënd. E ti kurrë s’më dhe as një edh të gostitem me miqtë e mi. Por, kur të erdhi ky – djali yt – që prishi pasurinë tënde me lavire, ti ia preve viçin e majur!’ ‘Biro – i tha i ati – ti je gjithmonë me mua, e gjithçka kam, është jotja. Porse, u desh të gëzohemi e të ngazëllohemi, sepse ky – vëllai yt – pati vdekur e u ngjall, pati humbur e u gjet’.” 

Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Historia e popullit të Izraelit në të vërtetë është historia e çdo besimtari që ka vendosur të niset e të ecë rrugës së Zotit. Abrahami qe thirrur prej Zotit për të dalë nga vatra e tij dhe për t`u nisur në rrugën që do t`ia tregonte Zoti. Besimtari duhet të dalë nga vetja e të niset shtigjeve të pasigurta, por i mbështetur vetëm në besimin e pastër në dashamirësinë e Zotit për ta shpëtuar njeriun.

Cila është ideja ime, përvoja ime, përjetimi im i Zotit? Secili prej nesh ka një përjetim, një përvojë të Zotit. Kjo ka një rëndësi të madhe për jetën tonë shpirtërore, udhëtimin tonë drejt Zotit. Sa më e qartë dhe më e fuqishme të jetë kjo përvojë, aq më shumë na liron nga vartësitë tona me krijesa/idhuj, aq më shumë na lidh me Zotin. Përvojën elementare/bazë e kemi kur jemi të bindur se diku Diçka ekziston. Përvojën, më të madhen, absolute e kanë të lumturit të zhytur në jetën me Zotin në parajsë.

Sa më e fuqishme të jetë përvoja jonë, aq më tepër i afrohemi Zotit.

Shkrimi i shenjtë na paraqet Hyjin si dashuri e atit ndaj birit, nënës ndaj fëmijës, dhëndrit ndaj nuses, burrit ndaj gruas, mikut ndaj mikut.

Jezusi na vërteton se Ati i do të gjithë njerëzit, se nuk përjashton askënd. Si Bari i mirë Hyji i kërkon ata që janë larguar apo enden dhe gëzohet për ta. Vazhdimisht më kërkon – si gruaja drahmën e humbur. Si Babai që pret dhe e pranon djalin e vogël që e kishte lënë, e përqafon me dashuri dhe ia kthen dinjitetin e humbur. Dashuria e Zotit ndaj nesh është aq e madhe sa që për ne e jep të vetmin Birin e vet.

Me fjalë dhe vepra Jezusi e dëfton fytyrën e vërtet të Zotit si Atin që përpiqet me mish e me shpirt, në të gjitha mënyrat, për t`u dhënë zemër të gjithë fëmijëve, për t`u ndihmuar atyre, për t`i bërë të lumtur. I lyp dhe i kërkon me dashurinë e palodhur, sikur nuk do të kishte mundur të ishte i lumtur pa ta.

Jezu Krishti më kërkon ta vë re me shëmbëlltyrën e djalit plëngprishës se ekziston vetëm një rrugë për t’u bashkuar me Zotin – që t`i pranoj gabimet e mia, që t`i lejoj dashurisë së tij që të më kthejë në përqafimin e Atit.

Tragjedia e farisenjve dhe e imja: nuk e shohim se jemi mëkatarë, nuk pendohemi, mendojmë se tek Zoti mund të arrijmë rrugës së drejtësisë, dhe jo rrugës së dashurisë së mëshirshme. Zoti dëshiron që të kthehem tek Ai dhe që marrëdhënia ime me Të të jetë marrëdhënie dashurie, dhe jo drejtësie, që historia e ecjes sime drejt Atij të jetë histori dashurie, dhe jo tregti.

Në shëmbëlltyrën për djemtë e humbur Jezusi ma ndriçon misterin e mëshirës së Zotit. Në të duhet ta njoh veten qoftë si djali i vogël i humbur, qoftë si djali i madh i ftohtë, i ngurtësuar, i zemëruar, por gjithsesi si njeri i kthyer i lumtur që prapë iu kthye përqafimit të Atit.

Djali i vogël dëshiroi të merrte trashëgiminë që i takonte: iku nga Ati, jetoi për vete, gjithçka prishi, harxhoi, u bë i varfër, i nënçmuar dhe shkatërruar. Nuk ia ktheu të atit dashurinë dhe u bë qenie e pavlefshme. Si ka mundur të ndodhë kjo? Ati e respektoi lirinë e tij. Dëshiroi që biri i tij ta zgjedhte lirisht afërsinë dhe dashurinë e tij… Kam fituar prej Zotit pjesën time të trashëgimisë: të mirat materiale, cilësitë trupore dhe shpirtërore. A nuk kam vepruar edhe unë me trashëgiminë time në mënyrë egoiste duke kërkuar siguri, kënaqësi, lavdi? Kam jetuar, jo për Zotin as për të tjerët, por për veten. A nuk i kam ndjerë edhe unë pasojat e një jete të tillë: brejtjen e ndërgjegjes, zbrazëtinë e brendshme, ndjenjën se nuk e kam plotësuar detyrën e jetës, se në jetë diçka kam dështuar? A nuk më kanë degraduar të tjerët për këtë, përqeshur, nënçmuar, larguar?… Mirëpo në djalin e vogël kishte mbetur imazhi i gjallë i atit të mirë i cili “u jep me shumicë ushqim edhe mëditësve”. Kjo i ka dhënë fuqi që të çohet dhe të kthehet tek ati. Zoti asgjë nuk jep me aq dëshirë sa dhuratën e njohjes së mirësisë së tij dhe dhuratën e besimit tim në këtë mirësi të tij. “Ndërsa ende ishte larg, i ati e pa, u ngashërye, u lëshua vrap, e mori ngrykë dhe e puthi”. Hyji nuk është indiferent ndaj asaj se si ndjehem unë. Ai më së shumti dëshiron që, i nxitur nga mjerimi im, t`i kthehem dhe ta përqafoj.

Kthimi im Dashurisë së Parë do të ishte i sigurt dhe i shpejtë po të mos kishte pengesa në zemrën time.

Djali i madh u zemërua… sepse “djali i vogël kishte bërë padrejtësi dhe se ati po i merrte dhe kalonte lehtë nëpër të gjitha këto”… Qëndrimi negativ ndaj të tjerëve, gjykimi i të tjerëve, zemërimi me Zotin që i pranon edhe “rrugaçët” – që është rast i shpeshtë – është një pengesë e pakapërcyeshme që “të hyj në gëzimin e Zotërisë tim”.

Atëherë “i ati doli jashtë dhe iu lut…” A e dëgjoj zërin e Zotit që më lutet, që më flet edhe mua që t`i harroj ofendimet që m`i kanë shkaktuar njerëzit rreth meje, që t`i fal, që të lirohem nga hidhërimi/zemërimi dhe helmimi, dëshirës për te kundërshtuar tjetrin dhe dëshirës për hakmarrje? Ndoshta në zemrën time kam rënë në konflikt, nuk bisedoj, me shumëkënd (edhe pse ndoshta këtë nuk e tregoj nga jashtë)?

A mundem tani edhe vetes edhe Zotit edhe njerëzve t`ua pranoj pakënaqësinë time me të tjerët? A mundem tani t`i pranoj me dashuri të gjithë njerëzit pa dallim? Nëse mundem, atëherë me siguri jam në përqafimin e Zotit!

Djali i madh iu kundërvu të atit: “Qe se unë të shërbej tash sa kohë e kurrë nuk e shkela asnjë urdhër tënd. E ti kurrë s`më dhe as një edh të gostitem me miqtë e mi.” Djali i madh, pra, është konsideruar korrekt, i drejtë, i patëmetë. Më atë rast ka bërë një gabim të madh: është renditur ndër ata që shërbejnë, gjithçka e shikon nëpërmjet urdhrave, dhe jo nëpërmjet dashurisë; madje ai ka dëshiruar që të ndahet pak nga ati dhe të gëzohet me miqtë; e gjykon vëllanë për të kaluarën e tij, e fajëson atin se gjithë këtë në njëfarë mënyre e miraton… Ky pra, në zemrën e vet tashmë është i ndarë nga ati.

Përgjigjja e atit është e shkurtër dhe e qartë: “Biri im (jo shërbëtori im), ti je gjithmonë me mua (nuk ka urdhër), dhe gjithë çka kam, është e jotja (kurse ti po kërkon një edh!). Porse, u desh (nëse veç nuk e kupton ligjin e dashurisë) të gëzohemi dhe të ngazëllohemi, (dhe jo të zemërohemi), sepse ky – vëllai yt – pati vdekur e u ngjall, pati humbur e u gjet!”… Djali i humbur është ai që nuk ka fuqi për të pranuar dhe për të dashur dhe kështu për t’u kthyer tek Ati…

 

LUTJA E BESIMTARËVE

Zot i mirë dhe i mëshirshëm, zemra jote rrah për të shpëtuar çdo njeri. Po t`i drejtojmë lutjet tona:

O Zot, na dhuro mëshirën tënde!

  1. Për ata që janë larguar nga bashkësia kishtare dhe janë në kërkim të lumturisë pa të. Bëj që ta zbulojnë pasurinë e asaj jete që Ti u jep atyre që të duan, të lutemi.
  2. Për ata që nuk e përfillin bashkësinë e familjes njerëzore, nuk i respektojnë të drejtat themelore dhe jetojnë në kurriz të njerëzve të tjerë. Ktheji përsëri në bashkësinë e të gjithë njerëzve, të lutemi.
  3. Për të gjithë ata që u është shkaktuar dëm, të cilët janë lënduar fizikisht ose mendërisht nga të tjerët. Jepu fuqinë e faljes dhe pajtimit, të lutemi.
  4. Për bashkësinë e Kishës, së cilës ia ke besuar si shërbim pajtimin e njerëzve me njëri-tjetrin dhe me ty. Bëj që kurrë mos të lodhet duke punuar për paqen dhe pajtimin, të lutemi.
  5. Për të rinjtë që e marrin vetë jetën e tyre në duart e veta dhe fillojnë ta formojnë sipas ideve të veta. Shoqëroji dhe udhëhiqi në rrugën e tyre drejt lirisë, dhe bëj që mos ta harrojmë kurrë dashurinë tënde, të lutemi.

Ti, o Atë je në pritje të bijve dhe bijave të tu, dhe feston me ata që e ri-zbulojnë dashurinë tënde atërore. Dëgjoji këto lutje, që t`i drejtuam dhe ato që i kemi në zemrat tona, nëpër Krishtin, Zotin tonë. – Amen.

 

Përgatiti: P. Shtjefën Dodes SJ

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »