Jeta, mësim gradual lirimi

Sep 13 • Meditimi i ditës

13 shtator 2016 – E marte, Shën Gjon Gojarti, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1Kor 12,12-14.27-31a; Ps 100,1b-5; Lk 7,11-17)

 

Prania e Hyjit

Të gjithë kemi nevojë që të pushojmë pak prej ngjarjeve të përditshme.
Dhe e dimë që trupi ynë ka nevojë për pushim.
Kur të afrohemi ty, o Zot, zemra dhe mendja jonë gjejnë freskim,
shpirti ynë sërish lartësohet.

 

Liria

S`ka situatë prej së cilës nuk do të mund të dilja më i pasur me dashuri dhe jetë.
Mirëpo, dëshirat e mia janë shpesh herë të fiksuara, të robëruara në iluzione se të gjitha do të jenë të plotësuara.
E lus Hyjin që nëpërmjet lirisë time
t`i bëjë dëshirat e mia këngë melodie gjallëruese të
dashurisë me plot harmoni.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Krijuesit që më do,
me sinqeritet i vështroj përjetimet e ditës së kaluar,
ngritjet në maja e rëniet në funde si dhe në rutinën, atë klimën mesatare të së përditshmes.
A mundem ta shoh ku ka qenë Hyji i pranishëm në të gjitha këto?

 

Fjala

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit ngadalë, disa herë,

dhe do të ndalem në atë fjalë a ngjarje që më prek, që më flet pikërisht për mua.

 

Lk 7, 11-17

 

11 Pastaj Jezusi u nis për në qytetin që quhet Nain. Me të shkonin nxënsit e tij dhe turmë e madhe e popullit. 12 Kur iu afrua dyerve të qytetit, po sillnin përjashta qytetit një të vdekur ‑ djalin e vetëm të nënës e kjo ishte e vejë. E përcillnin shumë banorë të qytetit. 13 Kur e pa Zotëria, pati dhembshuri për të dhe i tha:

“Mos qaj”

14 U afrua, preku vigun ‑ ata që e mbartnin, u ndalën. Ai tha:

“Djalosh, ty po të them: çohu!”

15 I vdekuri u çua dhe nisi të flasë. Jezusi ia dha s’ëmës.

16 Të gjithë i kapi frikë e madhe dhe lëvdonin Hyjin duke thënë:

“Profet i madh u duk ndër ne! Hyji e pa popullin e vet!”

17 Dhe nëpër mbarë Judenë e anembanë krahinës u hap fjala për të.

 

Çka dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Vdekja, për të cilën flet dhe siç e përjeton Jezusi, është ai momenti në të cilin disfata totale transformohet në një fitore totale. Gjatë kohës kur bota na thotë lamtumirë, Hyji na mirëpret dhe na pranon te vetja. Tashmë jemi bij të Hyjit Atë, dashuria e të cilit është më e fortë se vdekja. Jeta është e amshueshme, sepse edhe dashuria e tij është e amshueshme.
  • Jeta jonë është një mësim gradual se si të lirohemi prej çdo gjëje dhe t`i themi Hyjit përfundimisht “po”. Çdo ditë mund t`i lejojmë Hyjit që të punojë në ne, dhe kështu bëhemi njerëz më të çliruar, më të lirë për të pranuar. “Faleminderit për gjithçka që ka qenë. ‘Po’ për gjithçka që do të jetë.” (Dag Hammerskjold)

 

Bashkëbisedimi

Cilat ndjenja zgjohen në mua
kur lus dhe meditoj Fjalën e Zotit?
E paramendoj Jezusin ndenjur apo ulur pranë meje
dhe ia hapi zemrën time.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »