Kryqi,  thellësia dhe gjerësia e dashurisë

Sep 14 • Meditimi i ditës

14 shtator 2016 – E mërkure, Lartësimi i Kryqit të Shenjtë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Nr 21,4b-9 ose: Fil 2,6-11; Ps 78,1-2.34-38; Gjn 3,13-17)

 

Prania e Hyjit

“Ja, para derës qëndroj dhe trokas”, thotë Zotëria.

Çfarë privilegji i mrekullueshëm që Krijuesi dhe Zotëruesi i të gjitha krijesave dëshiron të vijë tek unë!

Me gjithë zemër e pranoj ardhjen e tij.

 

Liria

O Zot, ma ke dhënë dhuratën e madhe të lirisë.
Ma jep hirin që të mund të jem i lirë nga çdo formë urrejtjeje dhe padurimi.

Ma përkujto, o Zot, se në sytë e tu të gjithë jemi të barabartë.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Hyjit që më do
e vështroj gjithë atë që më ka ndodhur ditën e kaluar,
prej këtij momenti në mënyrë retrospektive, hap për hap.
E kujtoj të gjithë atë që ka qenë mirë dhe bukur, dhe për këtë falënderoj.
I vërej edhe hijet, gabimet dhe pyes se çfarë më flasin; lus për shërim, guxim, falje.

 

Fjala

Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.

Duhet të dëgjoj në mënyrë që të dëgjoj çfarë po dëshiron të më thotë.

Do ta lexoj tekstin disa herë, pastaj do të dëgjoj…

 

Gjn 3, 13-17

 

13 Askush nuk u ngjit në qiell,

përveç Birit të njeriut

që zbriti nga qielli.

14 Dhe, sikurse Moisiu e lartësoi

gjarprin në shkretëtirë,

po ashtu duhet të lartësohet edhe Biri i njeriut,

15 që kushdo të besojë në të

ta ketë jetën e pasosur.

16 Vërtet, Hyji aq fort e deshi botën

sa që dha një të vetmin Birin e vet

kështu që, secili që beson në të,

të mos birret,

por të ketë jetën e pasosur.

17 Në të vërtetë Hyji nuk e dërgoi Birin

që ta dënojë botën,

por që bota të shpëtojë nëpër të.

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt: 

 

  • Kryqi në Ungjillin e Gjonit zbulon thellësinë dhe gjerësinë e madhe të dashurisë së Hyjit. Ai zbulon vlerat njerëzore. Dikur një simbol i turpit, bëhet simbol i lavdisë. Dashuria e shfaqur nuk është përjashtuese, m.th. nuk është vetëm për disa. Përkundrazi, ajo është dashuri shpengimi (shpërblyese) që përqafon tërë botën. Njëlloj, ajo është edhe dashuri personale ndaj çdo individi të cilin Zoti e mban në ekzistencë.
  • O Zot, dashuria hyjnore nuk e shikon çmimin, por jepet Ata që vërtet dashurojnë iu ofrojnë gjithçka atyre që i duan. Kryqi është ikona e besimit, shpresës dhe dashurisë së madhe. Teksa e vështroj kryqin le të lartësohem në gjithçka që është e vërtetë, e mirë dhe e bukur.

  

Bashkëbisedimi

O Zot, e di që fjalët nuk janë të nevojshme kur të drejtohem ty.

Ti shikon në thellësinë e zemrës sime.

I njeh dëshirat dhe nevojat e mia.

Po lëshohem në duart e tua.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »