Përdorimi i drejtë i gjërave tokësore

Sep 17 • LEXIMET E SË DIELËS

(E diela 25-të gjatë vitit `C`)

 

Leximi i parë Am 8, 4-7

Lexim prej Librit të Amosit profet

Dëgjoni këtë ju, që e shtypni skamnorin, që shfrytëzoni nevojtarët e vendit, ju që thoni: ‘Kur po kalon më hëna e re, të mund t’i shesim mallrat? Edhe e shtuna e të mund të shesim grurë? Të zvogëlojmë masën e të shtojmë siklin, të përdorim peshore të rrejshme, për t’i blerë skamnorët me para, të vobektin me një palë këpucë, t’i shesim edhe të hedhat e grurit?’

Zoti përbetohet me nderin e Jakobit: “Askurrë s’do t’i harroj veprat e tyre!”

Fjala e Zotit.

 

PSALMI 113

Shikimi i Zotit është mbi skamnorin

—– —– —–

Lavdërojeni, shërbëtorët e Zotit,

lavdërojeni Emrin e Zotit!

Qoftë bekuar Emri i Zotit

qysh tash e deri në amshim.

—– —– —–

I madhërueshëm është Zoti

mbi të gjithë popujt,

lavdia e tij i tejkalon qiejt.

Kush është si Zoti, Hyji ynë,

që fronin e ka në lartësi,

e nga lart vrojton qiellin e tokën?

—– —– —–

Nga pluhuri e ngreh skamnorin,

nga llomi e lartëson të vobektin,

për ta vënë të rrijë me princa,

me princat e popullit të vet.

—– —– —–

 

Leximi i dytë 1 Tim 2, 1-8

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Timoteut

Fort i dashur, po të porosis më së pari le të bëhen kërkesa, lutje, urata, falënderje për të gjithë njerëzit, për mbretër dhe për të gjithë ata që janë në pushtet, që ta kalojmë jetën të qetë e të paqët në përkushti të plotë dhe në mënyrë të denjë. Kjo gjë është e mirë dhe e pëlqyeshme para Hyjit, Shëlbuesit tonë, vullneti i të cilit është që të shëlbohen të gjithë njerëzit dhe t’ia arrijnë njohjes së vërtetës. Sepse Hyji është një i vetëm, një i vetëm është edhe Ndërmjetësi midis Hyjit e njerëzve: Njeriu Jezu Krishti, i cili e flijoi vetveten si shpërblim për të gjithë njerëzit.

Këtë dëshmi Ai e dha në kohën e caktuar. Kësaj dëshmie unë iu bëra predikatar dhe apostull: ju them të vërtetën, nuk rrej; mësues i fesë dhe i së vërtetës për paganët. Dua, pra, që burrat në çdo vend të luten duke i lartësuar duart e pastra pa hidhërim dhe pa grindje. 

Fjala e Zotit.

 

Aleluja.

Jezu Krishti, duke qenë i pasur, u bë për ne i varfër, që ne të bëhemi të pasur me anë të varfërisë së tij.

Aleluja.

 

Ungjilli Lk 16, 1-13

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, Jezusi u thoshte nxënësve të vet: “Ishte një njeri i pasur, i cili kishte mbarështuesin që e paditën se ia shkapërderdhte pasurinë. E thirri dhe i tha: ‘Ç’po dëgjoj kështu për ty? Jep llogari për mbarështimin tënd, sepse ti s’mund të jesh më mbarështues.’ Atëherë mbarështuesi tha në vetvete: ‘Çka të bëj mbasi zotëria po ma heq mbarështimin? Të mih ….? Nuk mund! Të dal e të lyp ….? Më vjen turp! E di ç’do të bëj që njerëzit të më pranojnë në shtëpitë e veta kur të qitem prej mbarështimit.’

Atëherë thirri një nga një detyrësit e zotërisë së vet. E pyeti të parin: ‘Sa i ke detyrë zotërisë tim?’ Ai i përgjigji: ‘Një qind masë vaj.’ Mbarështuesi i tha: ‘Merre letrën tënde, ulu me të shpejtë e shkruaj pesëdhjetë!’ Pastaj e pyeti të dytin: ‘Po ti, sa ke detyrë?’ Ai i tha: ‘Një qind kora grurë.’ I tha mbarështuesi: ‘Merre letrën tënde e shkruaj tetëdhjetë!’

E zotëria e lëvdoi mbarështuesin e padrejtë që punoi aq me shkathtësi. Dhe njëmend, bijtë e kësaj bote janë më të kujtueshëm në marrëdhënie të shoqishoqme se bijtë e dritës. Ndërsa unë po ju them: fitoni për veta miq me anë të pasurisë së rrejshme të kësaj bote që, kur kjo t’ju mungojë, t’ju pranojnë në banesat e amshuara.  Kush është besnik në sende të vogla, është besnik edhe në sende të mëdha; e kush nuk është besnik në sende të vogla, ai nuk është besnik as në sende të mëdha. Po qe se nuk u dëftuat besnikë në pasurinë e rrejshme, kush do t’jua besojë pasurinë e vërtetë? Po qe se nuk u dëftuat të besueshëm në gjënë e huaj, kush do t’jua japë tuajën?

Asnjë shërbëtor nuk mund t’u shërbejë njëkohësisht dy zotërinjve: Sepse, ose do ta urrejë njërin e tjetrin do ta duajë, ose pas njërit do të shkojë e tjetrin do ta përbuzë. Nuk mund t’i shërbeni Hyjit dhe pasurisë.” 

Fjala e Zotit!

 

POROSIA

Mençuria e njeriut tregohet në mendime dhe vepra. Jezu Krishti me shëmbëlltyrën e mbarështuesit të pandershëm (Lk 16,1-13) dëshiron të na japë zemër që të kujdesemi për gjërat e amshuara duke marrë shembullin e shkathtësisë së njeriut që kujdeset për gjërat e kësaj bote.

Përse ishte i mençur mbarështuesi i pandershëm. Ai e dinte, se do të lëshohej nga puna. Kështu u përgatit për gjendjen që do të vinte në përfundim. Nëpërmjet mjeteve të padrejta kujdeset për kohën dhe ngjarjen që do të vijë në fund. Ajo që e bën të mençur këtë person është se është i hapur, nuk mendon shumë gjatë, por i hyn punës – vepron, ndërmerr masa. Koha është e shkurtër për të mendur a të veprohet kështu apo ashtu.

Sigurisht se Jezu Krishti nuk dëshiron ta miratojë padrejtësinë, mirëpo me këtë shembull dëshiron të na nxitë në veprim me ato mundësi që i kemi. Të mos presim situata apsolutisht të sigurta për të vepruar. Nëpërmjet fjalëve të Jezu Krishtit, nëpërmjet shembujve të jetës së shumë burrave dhe grave na janë treguar shumë mundësi. Një mundësi është: të bësh mirë, atje ku njeriu mundet. Ashtu sikurse mbarështuesi bën mirë, duke ua zvogëluar borxhet të tjerëve, pra bënë mirë në mënyrën e tij, kështu mundem edhe unë sipas mundësive t`i bëj mirë një të afërmi.

Ekziston një rregull kryesor për t`i zgjidhur të gjitha problemet, për ta bërë vendimin më të mirë të jetës dhe ta arrijë qëllimin kryesor: të shërbehem me krijesat – aq sa më drejtojnë drejt qëllimit.

Aq i përdori krijesat, sa më shpiejnë drejt qëllimit.

Nëse ndërtoj shtëpi – atëherë gjithçka duhet nënshtruar planit të ndërtimit.

Nëse studioj – gjithçka duhet nënshtruar arritjes së dijes.

Nëse udhëtoj – gjithçka duhet nënshtruar qëllimit drejt të cilit jam nisur.

Gjithçka duhet balancuar me urti dhe të dalloj çfarë më çon dhe çfarë nuk më çon drejt të vetmit qëllim të jetës sime: dashurisë ndaj Zotit dhe ndaj të afërmit.

Nuk ka rregullore! Nuk ka urdhëra që të ndalohet diçka! Gjithçka më është dhënë që t`i përdori të gjitha në mënyrë të lirë. Shën Augustini pat thënë: Duaj dhe bëj ç`të duash!

Jam i lirë t`i përdori gjërat në mënyrë të urtë, të mençur ose të marrëzishme.

Krijesat janë të mira. Krijesat nuk mund të jenë të këqija. I keq mund të jetë përdorimi i tyre!

Nëse e mbaj para sysh dhe e kam në zemër qëllimin e fundit, nëse vlera ime më e larta është dashuria nda Hyjit – do të jem i lirë dhe do të dijë në mënyrë të mençur të zgjedh, do të dijë t`i përdori aq krijesat sa më çojnë drejt qëllimit apo nuk do t`i përdori ato sepse nuk më çojnë drejt Qëllimit.

Njeriu është gjithmonë në rrezik që mos t`i zotërojë krijesat, por që ato të zotërojnë mbi të. Për ta ruajtur lirinë e tij, vazhdimisht duhet ta pyes veten: “Çfarë të mire më sjell kjo për amshimin?” Dhe nëse kam dobi – me liri e pranoj, nëse nuk kam dobi – me liri nuk e pranoj.

A nuk e ka quajtur Zoti të marrë njeriun e pasur, sepse ky e kishte përdorur pasurinë e tij duke harruar qëllimin e fundit?

Dukuria e trupit – është e mirë nëse e përdori mirë; është e keqe nëse e keqpërdori.

Haja dhe pija – janë të mira ose të këqija – varësisht nga ajo se si i përdori.

Paraja/të ardhurat – janë të mira o të këqija – varësisht nga ajo si dhe ku i harxhoj.

Televizioni – i mirë ose i keq – varësisht nga ajo çfarë shikoj.

Pozita në shoqëri – e mirë ose e keqe – varësisht se si disponoj me të.

Gjithçka është për mua e mirë – nëse të gjithat i përdori mirë!

Gjtihçka është për mua e keqe – nëse ato i përdori gabim, nëse më shmangin nga rruga e qëllimit për të cilin jam krijuar!

Zoti na ka dhënë gjithçka kemi dhe gjithçka jemi. Dhe për këtë arsye gjithçka kemi dhe gjithçka jemi në një mënyrë u takon të tjerëve. Gjithë këtë mund ta ruajmë vetëm ashtu që ta ndajmë me të tjerët. Jezusi thotë: “Kush do të shpëtojë jetën e vet, do ta humbë, ndërsa kush ta humbë jetën e vet për shkakun tim, do ta shpëtojë” (Lk 9,24).

Vjedhje e llojit të vet është kur të mirat që na ka dhënë Zoti nuk i përdorim për qëllimin që e kanë por për diçka tjetër. Vjedhje është kur çifti bashkëshortor nuk i kryen detyrat e veta ndaj partnerit të vet. Ose kur prindërit nuk kujdesen dhe flijohen mjaftueshëm, kur nuk i sendërtojnë jetët e tyre në jetët e fëmijëve të vet për t’iu siguruar një jetë të rregullt njerëzore. Vjedhje është edhe kur punëtori nuk punon me ndërgjegje në vendin e vet të punës. Vjedhin edhe studentët dhe nxënësit kur nuk e përdorin kohën e nevojshme dhe nuk bëjnë mjaft përpjekje për të mësuar dhe arritur dituri të nevojshme. Në qoftë se ne jemi të krijuar vetëm për atë që t’u jepemi të tjerëve, atëherë një jetë e tërë egoiste njerëzore mund të jetë një vjedhje e madhe. Në qoftë se është e vërtetë se “i posedojmë sigurisht vetëm ato të mira që u kemi dhënë të tjerëve”, atëherë ta pyesim veten sa në të vërtet të mira kemi, e sa i kemi humbur përgjithmonë?

Ligësia shpirtërore e kësaj prirjeje qëndron në faktin se njeriu nuk e kërkon sigurinë e vet në Hyjin që i vetmi mund t’i ndihmojë përnjëmend, por provon ta gjejë në diçka që është e kalueshme, e pasigurtë, nën dinjitetin e njeriut si fëmijë të Hyjit dhe që kjo siguri është vetëm e mëdukshme, e rrejshme.

Verbësia shpirtërore e kësaj prirjeje qëndron në faktin që njeriu, i fiksuar pas ndonjë të mire të kalueshme, ndalet dhe bën që të robërohet me të dhe nuk përparon në të përsosurit dhe shnjtëruarit e vet. Kurse njeriu këtu në tokë duhet të jetë udhëtar i palodhur i cili pandërprerë shkon përpara deri te caku i fundit.

Mund të pohojmë se kjo e metë është diametralisht e kundërt me shpirtin e Krishtit dhe shpirtin e Ungjillit. Shpirti i Krishtit dëshiron të na hapë që t’i japim të gjitha, edhe vetveten, dhe kështu ta arrijmë jetën e amshuar. Dëshira e tepruar (lakmia), përkundër kësaj, dëshiron të mbajë gjithçka për vete dhe kështu nuk e plotëson kushtin elementar që ta arrijë të mirën më të vlefshme për të cilën duhet angazhuar të gjitha – jetën e amshuar.

Për këtë arsye Jezusi kategorikisht pohoi: “Nuk mund t’i shërbeni Hyjit dhe pasurisë!” (Mt 6,24). Jezusi nuk ia ka vë ballë për ballë Zotit, për shembull, Satanin si të keqe të mishëruar, nësa është Zoti Mirësia si e tillë. As nuk ia ka vë ballë për ballë Zotit mëkatin si qëndrim i kundërt qëndrimit të Zotit. As nuk ia ka vë ballë për ballë Zotit “botën” si mentalitet i kundërt me mentalitetin e Zotit. Jezusi si Zot e ka ditur se ajo që më së shumti e largon njeriun prej Zotit janë të mirat që njeriut i duhen në këtë jetë dhe të cilat ai është i prirë t’i zëvendësojë me Zotin dhe kështu të bëjë ndërrimin, të kobshëm për tërë amshimin e njeriut. Ngase, duke iu përshtatur të mirave të kalueshme që i prishen, njeriu së bashku me to prishet. Po ashtu e ka cekur: “Skamnorëve u predikohet Ungjilli!” (Mt 11,5). Këtu skamnor e shënon njeriun që s’është i lidhur me çfarëdo të mire të kalueshme, dhe si i tillë është i lirë t`ia përshtatë zemrën e vet Lajmit të gëzueshëm të shëlbimit të amshuar dhe Mbretërisë së Hyjit.

Pronari i anijes grek i pasur Aristoteles Onasis ishte sëmurë prej një sëmundje të pashërueshme. Fotoreporteri “Paris Mach-it” e kishte incizuar si po zbritte nëpër shkallët e spitalit dhe nën fotografi e kishte shkruar deklarimin e Onasisit për jetën e tij të kaluar, për luftën e tij për pasuri në të cilën e kishte harxhuar tërë jetën e vet: “Tani po e shoh se prej jetës sime nuk ka nxjerrur fitim askush!” Duke dëshiruar ta ruante jetën e vet për vete, e ka humbur (krhs. Lk 9,24).

A ka ndonjë send, ndonjë kënaqësi, ndonjë person që ka vlerë dhe rëndësi më të madhe për mua se Zoti? A e pranoj si qëndrim timin themelor të jetës se më duhet ta mohoj dëshirën për posedim të cilitdo dhe çfarëdo sendi dhe se tërë jetën time ta kuptoj si dhuratë që duhet t’ua japim të tjerëve? A përpiqem dhe a ushtroj që çdo ditë të më jetë dhuratë për të tjerët?

 

LUTJA E BESIMTARËVE

Zot i mirë, i drejtë dhe i mëshirshëm, ty po t`i paraqesim lutjet tona:

  1. Zot i mëshirshëm, na jep mençurinë të dimë t`i përdorim si duhet të mirat tokësore, të lutemi.
  2. Jepu të gjithë atyre që vuajnë nga padrejtësitë sociale, lehtësimin nëpërmjet njerëzve që i trajtojnë me solidaritet dhe dashuri, të lutemi.
  3. Forcoji të gjithë ata që punojnë kundër varfërisë dhe shfrytëzimit, të lutemi.
  4. Zot i mëshirshëm, bëj që ne dhe të gjithë njerëzit ta kemi para sysh se jemi përgjegjës për veprimet tona, por duke marrë mbi veti këtë detyrë mos ta humbim shpresën, të lutemi.
  5. Zot i mëshirshëm, forcoje besimin tonë se tek ti na pret shpërblimi i madh, të lutemi.
  6. Zot i mëshirshëm, na ruaj që mos t`i gjykojmë të tjerët dhe të mos ngrihemi mbi ta, sepse të gjithë kemi nevojë për mëshirën tënde, të lutemi.

Ti, o Atë, je i drejtë dhe në të njëjtën kohë i mëshirshëm. Ne të falënderojmë dhe të të lëvdojmë që na i dëgjon lutje tona, nëpër Krishtin Zotin tonë. – Amen.

 

(Përgatiti: P. Shtjefën Dodes SJ)

 

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »