Çdo vepër e mirë shfaq praninë e Zotit ndër ne

Sep 19 • Meditimi i ditës

19 shtator 2016 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Fu 3,27-35; Ps 14; Lk 8,16-18)

 

Prania e Hyjit

Po ja kujtoj vetes, o Zot, se jam në praninë tënde.

Dhe po mbështetem në zemrën tënde të butë.

Në momentet e dobësisë ti je fuqia ime.

Në momentet e mërzisë ngushëlluesi im.

 

Liria

O Zot, ma dhuro hirin e lirisë së shpirtit.

Ma pastro shpirtin dhe zemrën në mënyrë që të mund të jetoj gëzueshëm në dashurinë tënde.

 

Ndërgjegjësimi

Në çka jam duke e gjetur momentalisht në jetën time shpresën, guximin dhe zhvillimin?
Duke reflektuar disa muaj më parë,
a jam i/e aftë t`i vërej cilat janë ato aktivitete të mia që kanë dhënë fryt të mirë?
Nëse i kam vërejtur fusha të tilla,
do të vendosi që edhe në të ardhmen t`u siguroj hapësirë dhe kohë.

 

Fjala

Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.

Duhet të dëgjoj në mënyrë që të dëgjoj çfarë dëshiron të më thotë.

Do ta lexoj tekstin disa herë, pastaj do të dëgjoj…

 

Lk 8, 16-18

 

16 “Askush nuk e ndez dritëzën për ta vënë nën ndonjë enë ose për ta vënë nën shtrat, por e vë përmbi pishtar që ta shohin dritën ata që hyjnë.

17 Jo po, s’ka asgjë të fshehtë, që nuk do të zbulohet, as fshehtësi që nuk do të dihet e nuk do të dalë në dritë.

18 Prandaj kini kujdes si dëgjoni: sepse, kush ka, do t’i jepet më, kurse atij që nuk ka, do t’i merret edhe ajo pakicë që kujton se e ka.”

 

Çka dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Dritëza ndizet me arsye: bën dritë që shkëlqen me krejt ndriçimin e saj. Në kuptimin figurativ jemi të grishur që drita e fesë sonë të ndriçojë me tërë shkëlqimin e vet pa turp para të tjerëve. Kur i udhëheqim të tjerët e shprehim dashurinë ndaj Hyjit. Veprat tona të mira, humaniteti apo mirënjohja mund të jenë mënyra me të cilat dritëzat tona do të jenë të ndezura.
  • “Misteri i zbulesës” – tingëllon si shkrim gazetaresk, e pra këtu na jepet një siguri që çdo vepër e jona e mirë – përkushtimi i vetvetes që nuk bie në sy, toleranca e durueshme – është e vlefshme dhe që ndërton praninë e Hyjit në mesin tonë.
  • I mjeri unë, nëse nuk e predikoj Ungjillin” (1 Kor 9,16). A është për mua natyrë e dytë të dëshiroj që ai gëzim të kalojë te të tjerët si një lajm i mirë?
  • Jetët tona fillojnë së ndaluri në ditën kur fillojmë së heshturi për gjërat që janë të rëndësishme”, pat thënë Martin Luter King-u. Çfarë është me të vërtetë e rëndësishme për mua?

 

Bashkëbisedimi

Dhuntia e të folurit është një dhuratë e jashtëzakonshme.

Bëj që këtë dhuratë të mund ta përdori me dashamirësi.

Qofsha i ngadalshëm kundrejt fjalëve të vrazhda që plagosin,

kundrejt fjalëve të thëna në zemërim.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt

Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen

Shpërndaje

Comments are closed.

« »