Ku është liria jonë?

Sep 19 • Këndvështrime, Opinion

 

Ne jemi të ndikuar nga trashëgimia jonë, mjedisi ynë, edukimi që e kemi marrë; ne na shtyjnë pasionet dhe impulset me prejardhje të errëta, në ne ndikon ajo që është e pavetëdijshme, nënvetëdijshme, madje për disa psikologë edhe ajo e mbi-vetëdijshme (super-koshiente), kështu që vetëdijes sonë i mbetet vetëm një hapësirë shumë e kufizuar për vendimmarrje; historia, shoqëria, marrëveshjet, ata të cilët na qeverisin ose na punësojnë, bëjnë trysni mbi ne; shumë rrallë kemi mundësinë për të bërë atë që duam; limitet tona fizike dhe kufijtë tanë mendorë përballë të panjohurës e reduktojnë fuqinë tonë gjykuese dhe shprehëse, përveç kësaj ajo është e shtrënguar nga një numër në rritje dhe i rreptë ligjesh; besimin tonë fetar zakonisht e pranojmë nga mjedisi ynë, që edhe vetë e ka pranuar me trashëgimi, kurse idetë tona, të cilat janë më së shpeshti vetëm një pasqyrë e ideve të përhapura të kohës sonë, plus janë nën ndikimin e medieve; po të ishte e mundur t`i analizojmë arsyet e thella të vendimeve tona, do të mund të vërehej se asnjëri prej tyre s`është i tillë që s`do të ishte pasojë e instinkteve, tekave, frikës ose lëvizjeve të brendshme të cilat nuk i zotërojmë; ku është liria jonë?

MEGJITHATË …

Të gjitha presionet që pikërisht i renditëm tregojnë se liria jonë ekziston, për shkak se ajo është duke vuajtur për shkak të tyre.
Justifikueshëm bëhet dallimi midis lirisë dhe lirive. Këto, të përcaktuara me Deklaratën e të Drejtave të Njeriut, kanë qenë të mohuara, të shkelura, disi të tallura kudo para se të ndodhte që të rinjtë nëpër mbarë botën sot i kërkojnë si një detyrim, gjë që do t`u garantonte atyre një të ardhme të sigurt. Mirëpo, këtu nuk po flasim për këto liri, por për “lirinë” – që është fuqia që e ka apo s`e ka një qenie njerëzore për të vepruar, pa ia pas paracaktuar paraprakisht të bëjë atë që ai bën.
Një liri e tillë ekziston. Ajo nuk konsiston në faktin se njeriu bën atë që i pëlqen, por edhe atë që atij s`i pëlqen, i shtyrë nga mençuria, nga respekti për njëri-tjetrin, dhe shpesh nga dashuria, e cila është parimi i parë i të gjitha gjërave që ekzistojnë, asaj ç` ka qenë ose ç`do të jetë. Ajo i tejkalon të gjitha aspiratat, preferencat, interesin vetjak, egoizmin, ajo ngadhënjen mbi të gjitha ato gjëra që mund “ta kushtëzojnë” qenien njerëzore, dhe ajo ndriçon me një shkëlqim të bukur në braktisjen e vetvetes për të mirën e tjetrit ose të të tjerëve. Motoja e saj është dhurimi i vetvetes, kurse shenja e saj është Kryqi i Krishtit.

Në këtë kuptim ajo është një betejë. Liria është një emër i maskuar për dashurinë.

(Nga André Frossard, “Zoti në pyetje”; Përktheu: Shtjefen Dodes SJ)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »