Vuajtja e pësuar me durim i sjell të mira botës

Sep 23 • Meditimi i ditës

23 shtator 2016 – E premte, Shën Pio nga Pjetralçina, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Kish 3,1-11; Ps 144,1a.2-4; Lk 9,18-22)

 

Prania e Hyjit

Në heshtjen e qenies sime më intime,
në fragmentet e unitetit tim shumë të dëshiruar,
a mund ta ndiej pëshpëritjen e pranisë së Hyjit?
A mund të më kujtohet kur e kam ndjerë afërsinë e Hyjit;
kur kemi ecur bashkë, duke i lejuar që të jem i përqafuar nga dashuria e Hyjit?

 

Liria

Pak janë ata njerëz që e kuptojnë
ç`do të mund të bënte Hyji me ta
po t`i dorëzoheshin në duart e tija
dhe po t`i lejonin t`i formojë hiri i tij. (shën Injaci)
Lus për hirin e dorëzimit të plotë në dashurinë e Hyjit.

 

Ndërgjegjësimi

Më ndihmo, o Zot, që të bëhem edhe më i/e vetëdijshëm/e për praninë tënde.

Më mëso se si të të identifikoj në të tjerët.

Ma mbush zemrën me mirënjohje për të gjitha ato momente

kur nëpërmjet njerëzve të tjerë e ke treguar kujdesin për mua.

 

Fjala

Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.

Duhet të dëgjoj në mënyrë që të dëgjoj çfarë dëshiron të më thotë.

Do ta lexoj tekstin disa herë, pastaj do të dëgjoj…

 

Lk 9, 18-22

 

18 Ndërsa një ditë po lutej në vetmi ‑ ishin me të vetëm nxënësit e tij ‑ ai u bëri këtë pyetje:

“Kush thonë njerëzit se jam unë?”

19 Ata iu përgjigjën:

“Disa thonë se je Gjon Pagëzuesi, disa Elia, kurse disa të tjerë thonë se u ngjall një ndër profetët e vjetër.”

20 “Po ju ‑ i pyeti atëherë ata ‑ kush mendoni se jam unë?”

U përgjigj Pjetri:

“Ti je Mesia i Hyjit!”

21 Atëherë Jezusi i porositi të mos i tregojnë askujt.

22 E vazhdoi:

“Birit të njeriut i duhet të pësojë shumë, ta përbuzin pleqtë, kryepriftërinjtë dhe skribët, ta vrasin dhe të tretën ditë të ngjallet.”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Shën Lukën e tërheq lutja. Kështu që çdo vendim kyç të jetës së Jezusit e shoqëron me lutje.

Shën Luka na jep zemër që edhe ne të bëjmë të njëjtën gjë – të lusim, nëse duam të gjejmë rrugën tonë drejt Hyjit.

  • Ta gjesh Zotin në vuajtje është diçka e vështirë. Kur Jezusi flet sesi duhet t`i nënshtrohet vuajtjeve të mëdha, ai dëshiron të thotë që këtë e vështron si të qenit pjesë e planit të Hyjit. Tradita e krishterë flet për “dinamikën e Kryqit.” Kjo do të thotë se vuajtja e pashmangshme, kur pësohet me durim, i sjell të mira botës, sepse ajo zbulon dashuri të madhe. Do të përpiqem që të kem besim se kjo është kështu, të besoj në dëshminë e gjithë asaj që ne e quajmë e Premtja e Madhe.  Atje, dashuria e madhe i del zot, e mposht ligësinë e njeriut, dhe kështu shpëtohemi.

 

Bashkëbisedimi

Fjalët nuk po më vijnë lehtë, o Zot.

Shiko në zemrën time dhe shih se sa shumë e dëshiroj paqen.
Më ruaj, o Zot. E di që gjithmonë je pranë meje

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt

Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen

Shpërndaje

Comments are closed.

« »