(De)maskimi i Zotit

Sep 24 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela XXVI gjatë vitit C

 

Leximi i parë Am 6, 1.4-7

Lexim prej Librit të Amosit profet

Kështu thotë Zoti i gjithëpushtetshëm: “Vaj për ata që janë të qetë në Sion, që janë të sigurt në mal të Samarisë, që janë paria e më të parit komb, kah të cilët shkon shtëpia e Izraelit! Fjetur në shtretër asht elefanti, sa gjerë e gjatë të shtrirë në shtroja të veta, hanë qengjat e njomë të grigjës e viça të zgjedhur të lorisë; me psalter të përcjellë këndojnë, shpikin vegla muzikore si Davidi, e pinë verë me gota të mëdha e lyhen me vajra të zgjedhur e për rrënimin e Jozefit s’janë në kujdes! Prandaj tash në mërgim do të shkojnë, mu në krye të gjithë mërgimtarëve, do të pushojë shoqëria e të shfrenuarve!” 

Fjala e Zotit.

 

PSALMI 146

Lum skamnorët në shpirt
—– —– —–
Zoti u jep të drejtën të nëpërkëmburve,
u jep ushqim të uriturve.
Zoti i çliron robërit.
—– —– —–
Zoti u jep dritën e syve të verbërve,
Zoti i ndreq të kërrusurit,
Zoti i do të drejtët,
Zoti i mbron ardhacakët.
—– —– —–
U ndihmon bonjakëve e të vejave,
ndërsa mëkatarëve ua pështjellon udhët.
Zoti do të mbretërojë për jetë,
Hyji yt, o Sion, nga breznia në brezni.
—– —– —–

 

Leximi i dytë 1 Tim 6, 11-16

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Timoteut
Fort i dashur, jepu me gjithë shpirt mbas drejtësisë, përshpirtërisë, fesë, dashurisë, qëndresës, butësisë! Lufto luftën e mirë të fesë, fitoje jetën e pasosur, në të cilën u thirre dhe për të cilën e dhe një dëshmi të bukur para shumë dëshmitarëve! Të urdhëroj para Hyjit, që u jep jetë të gjitha sendeve, dhe para Krishtit Jezus që e dha atë dëshmi të bukur para Ponc Pilatit, mbaje urdhrin pa njolla dhe pa të meta deri në ardhjen e Zotit tonë Jezu Krishtit, që do të na e tregojë në kohën e caktuar Ai, i lumi dhe i vetmi sundimtar, Mbreti i mbretërve dhe Zotëria i zotërinjve, Ai që i vetmi e ka pavdekësinë, që banon në dritën e paafrueshme, të cilin asnjë njeri nuk e pa dhe asnjë njeri s’mund ta shohë. Atij i qoftë nderi dhe pushteti i amshueshëm! Amen! 

Fjala e Zotit.

 

Alleluja.
Të lumët ju që tani keni uri, thotë Zoti, sepse do të ngiheni.
Alleluja.

 

Ungjilli Lk 16, 19-31

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, Jezusi u tha farisenjve: “Ishte një njeri i pasur që vishej me cohë të kuqe e me pëlhurë të çmueshme dhe gostitej shkëlqimisht si një ditë për ditë. Kurse para derës së tij rrinte një skamnor, plot çibana, që quhej Lazër, që dëshironte të ngihej me dromcat që binin nga tryeza e pasanikut. Madje edhe qentë vinin e ia lëpinin varrët. Vdiq skamnori, e engjëjt e çuan në prehër të Abrahamit. Vdiq edhe pasaniku dhe e varrosën.
Në ferr, ndër mundime të mëdha, çoi sytë e pa prej së largu Abrahamin dhe Lazrin në prehrin e tij, e bërtiti: ‘O atë Abraham, ki mëshirë për mua e dërgoje Lazrin ta lagë majën e gishtit të vet në ujë e të ma flladisë gjuhën, se po mundohem për së tepërmi në këtë flakë.’ Abrahami i përgjigji: ‘Mos harro, o bir, se ti i gëzove të mirat e tua gjatë jetës sate, ndërsa Lazri të këqijat; tashti, ky këtu gëzon e ti vuan. Por, për më tepër, ndërmjet nesh e jush është një humnerë e madhe, kështu që, edhe ata që të donin të kalojnë prej këndej te ju, nuk munden, po ashtu edhe prej andej të kalojë këndej, s’mundet askush!’
Pasaniku vazhdoi: ‘Atëherë, po të lutem, o atë, çoje Lazrin në shtëpinë e tim et, se i kam pesë vëllezër e le t’i qortojë seriozisht që të mos vijnë edhe ata në këtë vend mundimesh.’ Abrahami i përgjigji: ‘Kanë Moisiun e profetët, le t’i dëgjojnë ata!’ Pasaniku i tha: ‘Jo, o atë Abraham, por nëse shkon ndokush prej të vdekurish tek ata, veç atëherë do të kthehen!’ I përgjigji: ‘Nëse, vërtet, nuk e dëgjojnë Moisiun e profetët, nuk do t’u mbushet mendja edhe nëse ndokush ngjallet prej të vdekurish’.” 

Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Jeta e njeriut është e varur prej shumë gjërave të kësaj bote. Ekziston lidhja e shëndoshë me të mirat që na nevojiten për mbajtjen e jetës, si për shembull lidhja me ajër, ushqim, pushim, temperaturë të caktuar, rroba, kontakte me njerëz, lutje dhe akte të veçanta fetare. Lidhja e jonë me Zotin është më e shëndosha dhe më normalja, sepse prej tij jemi dhe vetëm prej tij dhe në të mund të jetojmë për amshim.

Nëse nevoja për dhurata natyrore shfaqet në formë të tepruar, personi është tepër i përqendruar në ushqim, në pushim, në kënaqësi, në sende materiale, veçanërisht në të holla si simbol i pasurisë materiale. Egoizmi dhe lakmia janë të lidhura me instinkt për pronësi. Nga ky disponim njeriu dëshiron të lartësohet mbi të tjerët, t’i zotërojë të tjerët, t’i shfrytëzojë të tjerët.

Koprracia dhe grykësia janë forma jashtëzakonisht të sëmura të lakmisë. Ekziston edhe lakmia e sëmurë për nderim dhe zë të mirë që manifestohet në lajkatimin e të tjerëve ose dëshirën që të na lajkatojnë ne. Në fushën e religjiozitetit vjen në shprehje lakmia shpirtërore në saje të së cilës një person në mënyrat e devotshmërisë më shumë ka kujdes që të ndihet mirë, se sa të jetë i frytshëm me dashuri dhe gatishmëri të jetojë për të tjerët.

Për këtë arsye detyra më e rëndësishme e njeriut është që vazhdimisht të ushtrohet në dhurim, në dashuri. Sa më shumë të ketë përparuar njeriu në këtë, aq më shumë e ka realizuar vetveten, aq më i plotë dhe më i lumtur është.

A njoh te vetvetja një kujdes të rregullt për veten time, për rritjen time shpirtërore, për gjithçka më nevojitet në jetën normale njerëzore? A ekziston në mua një kujdes i tepruar për ushqim, para, sende materiale, pushim? A jam tepër i preokupuar me atë që i përket trupit, dëshirës për pronësi? A jam tepër i varur prej asaj se çka mendojnë njerëzit për mua, sa më çmojnë dhe nderojnë, çka flasin për mua, çka fitoj prej tyre? Në veprimet e mia fetare a shikoj më shumë se çka do të fitoj unë, apo si do të aftësohem që t’i jepem edhe më shumë Zotit dhe njerëzve? A besoj se vetëm në dhurim është realizimi im i vërtetë, se vlej vetëm aq sa u jam dhënë të tjerëve? A ushtroj që për çdo ditë t’u jap diçka të tjerëve?

Meqenëse të gjithë njerëzit janë bij të Hyjit dhe meqë Zoti i gëzohet çdo njeriu, njeriu i pjekur e kupton se Zotit mund t’ia tregojë dashurinë rregullisht ashtu që t’i do ata që Zoti i do. Njeriu i pjekur e kupton se ta duash të afërmin do të thotë të jesh i gatshëm të punosh, të lutesh, të pësosh dhe të vdesësh për të tjerët. Njeriu i pjekur është njeri për të tjerët. E sheh se ai vetveten aq e ka realizuar sa e ka dhuruar vetveten për të tjerët. Se vlera e tij është pikërisht në faktin që ua ka dhuruar vetveten të tjerëve dhe se pikërisht në saje të kësaj Hyji më në fund do ta gjykojë: “Ejani të bekuarit e Atit tim! Merrni në pronë Mbretërinë që u bë gati për ju që prej fillimit të botës! Sepse pata uri e më dhatë të ha, pata etje e më dhatë të pi… Për të vërtetë po ju them: çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezër të mi më të vegjël, e bëtë për mua!” (Mt 25,35-40).

Dashuria ndaj të tjerëve nuk varet prej asaj se sa kemi mjete që njerëzve të mund t’u ndihmojmë, as në çfarë rrethanash të volitshme apo të pavolitshme ndodhemi për të ndihmuar. Dashuria ndaj të tjerëve fillon, para së gjithash, në zemrën tonë që shikon me dashuri të Zotit, që ndjen me zemrën e Zotit, që tjetrin e shikon si vetveten. T’i duash të tjerët, para së gjithash, do të thotë të gjithë njerëzit rreth vetes t’i shikosh si ata që janë të denjë për vëmendjen dhe nderimin tonë, si ata me të cilët mundemi dhe dëshirojmë shumë gjëra t`i ndajmë, t’i shikojmë ata si miq tanë të mundshëm.

Një profesor rrëfente: “Me vite udhëtoja në vendin e punës me të njëjtin autobus. Gjithmonë iu afrohesha të njëjtit konduktor i cili në të njëjtën mënyrë mekanike m’i anulonte biletat. Një ditë konduktori nuk ishte. Nuk e pashë as ditën e dytë, as të tretën. Më nuk u duk. Më interesoi ç`u bë me të. Mora vesh se ishte babai i pesë fëmijëve dhe se ishte sëmurë prej tuberkulozit. Për të parën herë e kuptova se atë njeri nuk e kisha vështruar si njeri, por si ndonjë makinë automatike e cila në mënyrë të rregullt e kryente punën e vet (siç e bëjnë sot në të vërtetë mjetet automatike). Atëherë për të parën herë për shkak të tij më brejti ndërgjegjja. Më erdhi keq që në atë njeri nuk e kisha shikuar njeriun të denjë për dashuri. Kisha përjetim se në atë periudhë të jetës sime kishte mbetur njëfarë plasaritje, se kishte mbetur njëfarë zbrazëtie, se kishte mbetur një borxh ndaj atij njeriu. U pendova. E luta Zotin që të m`i çelë sytë që në ata që i takoj, që më rrethojnë, t’i shoh se janë njerëz.

Sa njerëz si një ditë për ditë kalojnë afër nesh me botët, sukseset dhe mossukseset e tyre, gëzimet dhe pikëllimet, problemet dhe mundimet, e që ne asgjë prej këtyre gjërave nuk i shohim dhe nuk i dimë. Për këtë arsye nuk mundemi as të ndajmë me ta asgjë, as të mirën as të keqen. A nuk është në përgjithësi shoqëria njerëzore e sodit – jo bashkësia e njerëzve që punojnë së bashku, jetojnë së bashku, shkojnë botës së bashku – por grupet e individëve që nuk njihen, që njëri për tjetrin nuk kanë kurrfarë interesimi, që nuk duhen? Sado që kemi në dispozicion mjete të panumërta të informimit, në qoftë se një mjet nuk vepron – zemra e njeriut – njeriu kurrë nuk do t’i afrohet të tjerëve, kurrë nuk do t’u bëhet të tjerëve “i afërm”.

Po të besonim se asnjë person që është paraqitur në jetën tonë Hyji nuk e ka dhënë si të keqe, si mallkim, si fatkeqësi, më shumë do të mundoheshim ta dallojmë rolin pozitiv – edhe pse jo gjithmonë të lehtë – të çdo personi. Nëse personat e veçantë i përjetojmë ekskluzivisht si të pakëndshëm, të rëndë, si mallkim, a nuk është kjo për arsye se nuk e kuptojmë planin e Zotit me jetën tonë, nuk e njohim rrugën së cilës Zoti na udhëheq e atëherë nuk i kuptojmë as rolet e tyre në jetën tonë?

Nëse besojmë se çdo person që është gjetur në shteg të jetës sonë është thirrje e Zotit në dashuri jo egoiste për rritjen tonë shpirtërore, e tërë jeta do të na duket shumë më pozitive, më e kthjellët, më e gëzueshme. Në qoftë se marrim një qëndrim të këtillë pozitiv ndaj njerëzve, i hapemi jetës, me sukses do ta mundim egoizmin që e kemi që nga lindja, prirjen që të mbyllemi në vetvete dhe të jetojmë vetëm për vetvete. Ne si njerëz dhe si fëmijë të Hyjit në plotësi do të realizohemi në mënyrë të vetme të mundshme – nëpër tjetrin!

A e falënderoj Zotin për të gjithë personat që në rrugën e jetës kanë qenë për mua bekim dhe gëzim? A lutem për të gjithë personat që më marrin nëpër gojë dhe më shpifin? A jam i/e gatshëm/e të pësoj për ata që më shkaktojnë dhimbje?

Sa persona të përnjëmendtë janë të pranishëm në zemrën time? Çka vërtet bëj për këta persona: me lutje, vepra, sakrifica? A i zbuloj veçantitë e tyre? A u lejoj që lirisht të zhvillohen sipas nevojave të natyrës së tyre personale? A largohem nga dëshira dhe përpjekja për t’i ndryshuar? A përpiqem që më së pari t’i vërej anët pozitive të të tjerëve? A tregoj ndjenja pozitive ndaj të tjerëve? A pres nga të tjerët përsosmëri? A jetoj në iluzione se të tjerët duhet të mendojnë dhe ndjejnë njëjtë si unë? A i ruhem prirjes që ta vendosi të drejtën, që ta fajësoj tjetrin, që ta shfrytëzoj tjetrin? A zhvilloj humor? A qeshi me dëshirë?

Se cilën fjalë të Jezu Krishtit do ta dëgjoj në fund të jetës sime, atë “eja i bekuar dhe hyn në Mbretërinë e Atit tim”, apo atë tjetrën “nuk të njoh, sepse nuk më njohe në të afërmin”, kjo varet prej meje, dhe vetëm prej meje. Amen.

 

LUTJET E BESIMTARËVE

O Zot dhe Atë i mirë, bota jonë është plot varfëri dhe padrejtësi. Ty po të drejtohemi me lutjet tona duke kërkuar ndihmën tënde:

  • Për të gjithë ata që janë të përjashtuar nga prosperiteti i shoqërisë sonë. Bëj që ta gjejnë trajtimin e nevojshëm të problemeve të tyre në jetën shoqërore, të lutemi.
  • Për të gjithë ata që janë të prekur nga ndonjë goditje e fatit dhe që iu duhet të ballafaqohen me shumë sfida në jetë. Bëj që të gjejnë njerëz që u qëndrojnë pranë, të lutemi.
  • Për të gjithë ata që kanë lënë shtëpitë e tyre për të kërkuar diku tjetër mundësi të mira të jetesës. Bëj që të gjejnë një vend ku ata mund të jetojnë mirë dhe të kënaqur, të lutemi.
  • Na ndihmo që sipas shembullit tënd t`i takojmë të varfrit dhe të nëpërkëmburit me dhembshuri dhe respekt, të lutemi.
  • Për të gjithë ata që kanë vdekur në varfëri dhe mjerim. Bëj që të gjejnë drejtësi në mbretërinë tënde qiellore, të lutemi.

O Zot, kemi besim se do të vish dhe do të sigurosh drejtësi për të gjithë njerëzit. Dëgjoji këto lutje që t`i drejtuam ty, nëpër Krishtin Zotin tonë. – Amen.

 

Përgatiti: P. Shtjefën Dodes SJ

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »