Dom Gjergj Gjergji (Gashi) – prifti që gjurmonte nëpër arkiva dokumentet e historisë së shqiptarëve    

Sep 26 • Opinion

 

Nga Kastriot MARKU

 

Dr. Dom Gjergj Gjergji (Gashi), lindi në Stubëll të Komunës së Vitisë (Kosovë) më 1 maj të vitit 1948. Shkollën fillore e kreu në Stubëll dhe në Zhegër (1963), ndërsa gjimnazin klasik në e kreu Suboticë të Vojvodinës (1967). Në Romë, përfundoi studimet e larta për filozofi (1971) dhe teologji (1974). Po këtë vit u shugurua meshtar në vendlindje. Në vitin 1981 magjistroi në shkencat historiko-dogmatike pranë Universitetit Urbaniana në Romës, me temën: Il conseito della persona umman in Luigj Stefanini (Kontributi i njohjes se koncepcioneve të Luigji Stefaninit). Në vitin 1987 po në Romë, mbrojti disertacionin e doktoratës me temë: Martirët shqiptarë të Karadakut gjatë viteve 1846-1848. Shërbimin meshtarak e kreu në Pejë dhe Gllaviçicë (Kosovë), ku edhe qe famullitar, por ka shërbyer edhe në Maqedoni, Itali (duke mbrojtur e promovuar vazhdimisht në mediat italiane dhe evropiane, çështjen e Kosovës), dhe në Shqipëri si misionar i motrave të Nënë Terezës në Tiranë dhe Elbasan në periudhën mes 1991-1999. Ishte mik dhe shoqërues i Nënë Terezës në udhëtimet e saj në Shqipëri. Qe një meshtar i zellshëm dhe atdhetar i madh, cilësi të cilat ndikuan që ai të zbulonte brenda vetes një pasion të madh për njohjen e historisë së popullit shqiptar. Për këtë ai u vu në kërkim të gjurmimit të dokumenteve për historinë e shqiptarëve. Në vendlindjen e tij në Stubëll, në vitin 1973 themeloi muzeun vendor. Përgjatë udhëtimeve të tij të shumta, bëri kërkime të ngulta në arkivat e Vatikanit por edhe në Vjenë, Paris, Londër, Stamboll, Selanik, Raguzë etj, të cilat i shërbyen për hartimin e disa prej veprave të veta, por një pjesë u botuan edhe në formën e treguesve të këtyre dokumenteve sipas burimeve arkivore, kryesisht atij të Propaganëd Fide (Acta Albaniae Vaticana [dorëshkrim] : index materiae 1669-1914. Pejë, 1978. 194 fl. Biblioteka Kombëtare, Tiranë ka një kopje me index: dr.1.a.6 ).

Konsiderohet si një ndër njohësit dhe studiuesit më të mirë të martirëve të katër katundeve të Malësisë së Karadakut, përkatësisht të Stubllës, Vërnakollës, Binçës dhe Terziajve, për të cilët ka botuar një vepër të plotë. Një pjesë të mirë të jetës së tij gjatë viteve ’90, e kaloi si misionar në Shqipëri. Ka botuar: Martirët shqiptarë gjatë viteve 1846-1848. Ferizaj, Drita, 1994. 297 f.  (De martyribus albanensibus anno 1846 in odium fidei damnati, tesi di laurea, Roma, 1981. Albanski mučenici u Razdoblju 1846.-1849. (Skopska Crnagora u skopsko-prizrenskoj biskupiji tijekom XIX. stoljeća), doktorska disertacija. Prvi dio, Separat – dijelovi disertacije. Peć, Rkt Župni, Zagreb,  OOUR Tiskara, Zagreb, 1988. 151 p., Universitas Urbaniana, 1988. Parte 1a, 73 f.) punim i doktoraturës mbrojtur në Universitetin Urbaniana, deri më sot punimi më i kompletuar dhe më serioz, në ndriçimin e ngjarjes së martirizimit të shqiptarëve katolikë të Malësisë së Karadakut; Nënë Tereza dhe martirët shqiptarë gjatë viteve 1846-1848. Botime historike. Zagreb, Drita, 1994. Pj, 1, 302 f; Dardania-Kosova, altari i Arbërisë, 1910-1941. Në tre vëllime: Vol.1. Dokumenti 1-27: At Mati- Luigji Sopaj-Paliq, OFM-Martir. Onufri, 1997. 166 f; Vol.2: Dokumenti 1-39: Imzot Lazer Mjeda 1869-1935, “Martir i gjallë” dhe Arbëria në kohën e tij. Onufri, 1997. 198 f. Vol. 3. Dokumenti 1-38. Eurorilindja, 1996. 360 f.; Vatikani dhe Arbëria 1700-1922. Vëll. XVI/I-II: (Acta albaniae Vaticana): 1700 (1622) -1922: Vëll I-XVI; XVI/I-II. Dokumente për historinë e Arbërisë : Dok. nr. 1-1531: Vëll. XVI-I. Treguesi i materialeve (index materiae): Vëll. XVI-II; Dok. nr. 50; 67 (487). Tiranë, Onufri, 1998. 500 f. Ka përkthyer veprën e At Athanas Gegajt O.F.M., me titull: Arbëria dhe Gjergj Kastrioti Skënderbeu,1405-1468/L’ Albanie et l’invasion turque au XV-e siècle. Paris, 1937. Biblioteka “Kronos”. Tiranë, Eurorilindja, 1995. 204 f.

Ka botuar dhjetra artikuj shkencor nga fusha e historisë, ndërsa ka lënë në dorëshkrim rreth 30 vepra të tjera shkencore, si dhe një numër shumë të madh të dokumentesh të vjela nga arkiva të ndryshme të huaja të cilat presin dritën e botimit. Punën e madhe që kreu dhe sidomos dokumentacionin që arriti të vjelë, nuk mundi ta botojë, madje edhe mjaft dokumente që ka botuar tregojnë se ai nuk pati mundësinë t’i botojë e kurojë sikurse duhej për pamundësi kohe, gjë që vihet re nga mungesa e një redaktimi i duhur shkencor, pakujdesi kjo që nuk e ul apo zvogëlon cilësinë e kësaj pune. Dom Gjergj Gjergji – Gashi ka shkruar edhe letërsi, publicistikë etj. Kaloi në amshim më 23 shtator 2016 dhe u varros me nderime në Stubëll.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »