In memoriam:  Dr. Dom Gjergj GJERGJI – GASHI (1948 – 2016)

Sep 26 • Kisha në Kosovë

 Nga Don Lush GJERGJI

 Sipas vullnetit të Zotit papritmas në Stubëll kaloi në amshim prifti ynë Dr. Dom Gjegj GJERGJ-GASHI, që mori pjesë në Ushtrimet Shpirtërore meshtarake që i priu teologu italian Don Valentino SALVODI në Letnicë gjatë ditëve 19-22. 09. 2016. Ai me zell, përkushtim, fe dhe dashuri ishte përgatitur për orën e fundit të kësaj jete, apo si thotë Don Valentino Salvoldi, “për orën e lindjes për amshim”. Ishte pjesëmarrës në meditime, lutje, mbi të gjitha në adhurime dhe lutje personale në kishë, me një çantë librash, ndër të cilat nuk mungonte kurrë Bibla, Lutjet e Orëve, ndonjë libër tjetër meditimi. Papritmas të ejten në mbrëmje u përshëndetëm me dëshirë që të shihemi të premten, në përfundimin e Ushtrimeve Shpirtërore. Mirëpo Dom Gjergji kishte përfunduar shtegtimin tokësor dhe ishte paraqitur para Mësuesit Hjynor – Jezu Krishtit, për “provimin” jetësor, për ta marrë shpërblimin për shërbimin dhe flijimin meshtarak 42 vjeçar, më 23 shtator 2016. 

Dr. Dom Gjergj Gjergji (Gashi), lindi në Stubëll të Epërme, Komuna e Vitisë (Kosovë) më 1 maj të vitit 1948, nga prindërit Pal dhe Rina Gjergji, që kishin 4 bijë dhe tri bija. Ishte një familje e përshpirtshme dhe e afërt me Kishën e Shën Gjergjit, i ndante vetëm rruga, kështu që Gjergji i vogël hapat e parë të thirrjes meshtarake i mori nëpërmjet uratës familjare, shërbimit në kishë si ministrat i famullitarit të atëhershëm Don Dedë RAMAJ,  apostullit të shumë thirrjeve meshtarake dhe rregulltare. Shkollën fillore, katër vitet e para, i kreu në vendlindje, vitin e pestë në Viti, ndërsa vitet tjera në Zhegër, duke udhëtuar në këmbë çdo ditë 24 kilometra, me vështirësi dhe rreziqe të shumta. Gjimnazin klasik e kreu në “Paulinum” në Suboticë (1963-1967), së bashku me Don Aleksandër Kolën, si ndihmë për Ipeshkvinë tonë pas tërmetit që e goditi Shkupin në vitin 1963.  Në Romë në Universitetin Papnor “Urbaniana” ka magjistruar filozofinë (1971) dhe ka përfunduar teologjinë. Është shuguruar meshtar në Stubëll në vitin 1974, së bashku me Don Marjan Ukë – Ukaj Sheqeri.  

Pas shugurimit disa vite ishte kapelan i të ndjerit Don Rrok Matej (1905-198), më vonë edhe famullitar i të njëjtës famulli, ku ndër të tjera e ka ndërtuar Shtëpinë e famullisë, e ka ftuar Nënën Tereze për hapjen e Shtëpisë “Misionaret e Dashurisë (1982).

Edhe pse kishte shumë punë dhe detyrime baritore, Dom Gjergji kurrë nuk u nda prej librave, leximeve dhe studimeve. Kështu në vitin 1981 kishte  magjistruar në shkencat dogmatike,  drejtimi historik në Universitetit Urbaniana në Romës, me temën: Il concetto della persona umman in Luigj Stefanini (Botëkuptimi i personit njerëzor  te Luigji Stefaninit).  Duke vazhduar studimet, me shumë vështirësi dhe ndërprerje, për arsye të mungesës së meshtarëve, së fundi në 1987, në Universitetin Urbaniana në Romë, mbrojti me sukses disertacionin e doktoratës me temë:” Martirët shqiptarë të Karadakut gjatë viteve 1846-1848 Përpos Pejës, në dhjetë vitet e para të meshtarisë,  më vonë në Gllaviçicë, famullia e fundit në Kosovë, ai vite të tëra  ka shërbye në Shqipëri, sidomos në Elbasan, gjatë viteve tejet të vështira dhe shumë të rrezikshme, pas shembjes së diktaturës komuniste dhe ateiste, dhe në Italinë Jugore, për disa kohë edhe në Shkup, në Maqedoni.  

Kudo që ka shërbye ka lënë kujtime të mira, gjurmë të pashlyeshme në shpirtin dhe zemrat e besimtarëve, duke u dalluar si Njeri i Zotit, uratës dhe meditimit, përshpirtërisë, Kishës katolike dhe Popullit tonë.

Njohja, lidhja dhe marrëdhënia e ngushtë dhe miqësore me Shën Nënën Tereze ishte një ndër “privilegjet” e jetës dhe shërbimit të tij meshtarak, si përcjellës dhe shoqërues i saj gjatë vizitave dhe hapjeve të kuvendeve të ndryshme të “Misionareve të Dashurisë” në Shqipëri. Martirët e Karadakut – Anamoravës, apo të Stubllës, Binçës, Vërnakollës dhe Terzijajve, ishin lëndë hulumtimi dhe frymëzim për jetën dhe veprimtarinë e tij meshtarake, si dhe Nëna Tereze, misioni dhe dërgimi i saj prej Zotit për ta dëshmuar dhe jetësuar Zotin – Dashuri dhe Njeriun vëlla apo motër, frymëzim i pashtershëm dhe jetësor që atë e bënin të çmuar dhe të dalluar.

Dom Gjergj Gjergji – Gashi vite të tëra ka gjurmuar, hulumtuar dhe zbuluar shumë dokumente arkivore në Romë, sidomos në Arkivin e “Propaganda Fide”, si dhe në Vjenë, Paris, Londër, Stamboll, Selanik, për t’i ndriçuar rrënjët e lashta dhe martire të Kishës Katolike në Popullin Shqiptar. Nga këtë gjurmime një pjesë ka arritur ta sistemonte dhe botonte në disa vëllime dhe botime në Shqipëri dhe në Kosovë, ndër të cilat mund të theksohen:

  • Acta Albaniae Vaticana [dorëshkrim] : index materiae 1669-1914. Pejë, 1978. 194 fl. Biblioteka Kombëtare, Tiranë ka një kopje me index: dr.1.a.6 ), ku kishte grumbulluar një mori dokumentesh të panjohura dhe të pastudiuar më parë. Mu për këtë historiografia bashkëkohore shqiptare e konsideronte Dom Gjegjin si një ndër studiuesit dhe hulumtuesit e mirë të kësaj periudhe, sidomos të matririzimeve të vazhdueshme të Kishës katolike ndër ne, e në veçanti të atyre të karadaket (1846-1848), me kthimin e 79 të mbijetuarve, nga të cilët janë famullitë e Stubllës dhe Binçës, farishtat e thirrje tona
  • Martirët shqiptarë gjatë viteve 1846-1848Ferizaj, Drita, 1994. 297 f.  (De martyribus albanensibus anno 1846 in odium fidei damnati, tesi di laurea, Roma, 1981. Albanski mučenici u Razdoblju 1846.-1849. (Skopska Crnagora u skopsko-prizrenskoj biskupiji tijekom XIX. stoljeća), doktorska disertacija. Prvi dio, Separat – dijelovi disertacije. Peć, Rkt Župni, Zagreb,  OOUR Tiskara, Zagreb, 1988. 151 p., Universitas Urbaniana, 1988. Parte 1a, 73 f.) punim i doktoranturës mbrojtur në Universitetin Urbaniana, deri më sotpunimi më i kompletuar dhe më serioz,në ndriçimin e ngjarjes së martirizimit të shqiptarëve katolikë të Malësisë së Karadakut; Nënë Tereza dhe martirët shqiptarë gjatë viteve 1846-1848. Botime historike. Zagreb, Drita, 1994. Pj,1, 302 f;
  • Dardania-Kosova, altari i Arbërisë, 1910-1941Në tre vëllime: 1. Dokumenti 1-27: At Mati – Luigji Sopaj-Paliq, OFM-Martir. Onufri, 1997. 166 f; Vol.2: Dokumenti 1-39: Imzot Lazer Mjeda 1869-1935, “Martir i gjallë” dhe Arbëria në kohën e tij. Onufri, 1997. 198 f. Vol. 3. Dokumenti 1-38. Eurorilindja, 1996. 360 f.Vatikani dhe Arbëria 1700-1922. Vëll. XVI/I-II: (Acta albaniae Vaticana): 1700 (1622) -1922: Vëll I-XVI; XVI/I-II. Dokumente për historinë e Arbërisë : Dok.nr.1-1531: Vëll. XVI-I. Treguesi i materialeve (index materiae): Vëll. XVI-II; Dok.nr.50; 67 (487). Tiranë, Onufri, 1998. 500 f.
  • Ka përkthyer veprën e At Athanas Gegajt O.F.M., me titull: Arbëria dhe Gjergj Kastrioti Skënderbeu,1405-1468 ( L’ Albanie et l’invasion turque au XV-e siècle. Paris, 1937. Biblioteka “Kronos”. Tiranë, Eurorilindja, 1995. 204 f.
  • Përpos veprave të botuar si tërësi, ai ka shkruar edhe shumë studime shkencore, zbërthime, artikuj mbi historinë të  përgjakshme dhe të lavdishme, duke theksuar se të krishterët tanë ishin të gatshëm të vdesin për Krishtin dhe Kishën e Tij, por jo edhe ta tradhtojnë.  Këtë mendim dhe fije të interpretimit historik të martirizimit tonë, ai e ka cilësuar bukur dhe në mënyrë te qëlluar, duke shkruar kështu: Kisha që vuan, por edhe shpreson dhe  qëndron!
  • Sëmundja viteve të fundit, si dhe vdekja e papritur dhe e “hershme”, nuk ia kanë mundësuar sistemimin e shumë materiale arkivore të grumbulluara me shumë përkushtim dhe dashuri. Mbetet në meshtarë të rinj, si dhe studiues tjerë, që nga ky “brumë” i mirë dhe i çmuar ta “gatuajnë” bukën për brezat e tashme dhe të ardhme, për t’iu shmangur harresës.

Mesha e Dritës dhe varrimi ishin në Stubëll (25 shtator 2016) që e priu Ipeshkvi ynë Imzot Dodë Gjergji, së bashku me Imzot Rrok Gjonleshaj, dikur famulliar të Stubllës, tash arqipeshkëv në Tivar të Malit të Zi, me shumë meshtarë dhe rregulltarë e rregulltare, sidomos me pjesëmarrëje të madhe të besimtarëve tanë nga Peja, Gllaviçica, Stublla, Binça dhe  shumë vise dhe famulli tjera.

Imzot Dodë Gjergji në fillim të Meshës ka theksuar shërbimin shumëvjeçar baritor të Dom Gjegjit, si dhe punën intelektuale dhe lidhjet e tij me Nënën Tereze dhe me Martirët e Karadakut.

Në pretkun e rastit Imzot Rrok Gjonlleshaj theksoi lidhjen e tij me “Kishën e vjetër”, atë të Shën Gjergjit, që me punën shumëvjeçare është Muzeu i Martirëve të Karadaket, si  dhe Shkolla e Parë Shqipe e legalizuar qysh në vitin 1905, me famullitarin dhe drejtorin e parë të shkollës, Dom Mikel Tarabulluzin. Punën, flijimin, kujdesin e Dom Gjergj Gjergjit, si dhe të  ndjerit Don Jak Prenkut, i çmoi lartë, si thesar shpirtëror dhe kulturor, si trashëgimi për të tashmen tonë fetare dhe kombëtare.

Para përfundimit të meshës së Dritës, në emër të bashkësisë së Elbasanit, foli dhe falënderoi z. Salih Dardha i cili theksoi punën intelektuale, hulumtuese, por edhe veprën bamirëse, si “babai i të varfërve” në stilin e Nënës Tereze, për të gjithë qytetarët e Elbasanit dhe të rrethit.

Magjister Sarë Gjergji, nipi i Dom Gjergjit, falënderoi ipeshkvijtë dhe meshtarët, si dhe të gjithë pjesëmarrësit në këtë çast dhembjeje, pikëllimi, por edhe shprese dhe ngushëllimi, duke theksuar padenjësinë e tij për të folur para gjithë klerikëve tanë dhe këtij për Dom Gjegjin, jetën dhe veprën e tij madhore.

Don Lush Gjergji, Vikari Gjeneral i Ipeshkvisë së Kosovës,  në emër të meshtarëve ceku flijimin dhe dhurimin në vazhdimësi dhe dashuri, që mos të tretën kujtesa dhe mos të harrohet historia, pa të cilat s’kemi identitet dhe personalitet, pra, të tashme dhe të ardhme. Dom Gjergji ynë na ndihmon që t’i kthehemi Vetvetes dhe të Vërtetës, elemente tejet të rëndësishme dhe vendimtare për identitetin dhe personalitetini tonë , që e karakterizuan atë në pranimin dhe bartjen e kryqit të Krishtit në shumë rrethana, për të mirë dhe dobi të Kishës dhe të Popullit Shqiptar. Ai falënderoi Barinjtë, meshtarët, si dhe të gjithë të pranishmit për bashkëndarjen e falënderimit dhe të dhembjes për “ndarjen e përkohshme” me Dom Gjergji Gjergji – Gashi.

Varrimi i Dom Gjergj Gjergjit – Gashi u bë në varrezat e Stubllës (25 shtator 2016), ku ai e kishte përgatitur varrim e tij qysh më herët, i përcjell me uratë, lot, dhe mallëngjim, falënderim, fe  shpresë dhe dashuri.

Pushoftë në Paqe! Zoti e shpërbleftë me Dritë, Paqe, Lumturi,  Amshim të lumtur!

Prishtinë, 26 shtator 2016                                                             

Shpërndaje

Comments are closed.

« »