Thirrja radikale e Jezusit kërkon përgjigjen tonë me gjithë zemër

Sep 28 • Meditimi i ditës

28 shtator 2016 – E mërkure, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Jb 9,1-12.14-16; Ps 88,10b-15; Lk 9,57-62)

 

Prania e Hyjit

Gjëja që përpiqem të bëj këtu është që ta lë kohën më një anë
dhe të përqendrohem në jetën time, atë fizike – në kohë, dhe atë shpirtërore.
Provoj ta paramendoj Jezusin ulur pranë meje
dhe bisedoj me të mbi të gjitha çka është duke më ndodhur në jetë.
Provoj ta kuptoj që në mundësi të panumërta
Jezusi hyn në rrethanat e përditshme të jetës sime.
E pra, jeta kalon shpejt dhe shumë gjëra ndodhin.
Ngarkesa dhe obligime të ndryshme shpesh herë e shmangin vetëdijen se Hyji është i pranishëm në jetën time të përditshme. Jam i/e vetëdijshëm/e për këtë, dhe dëshiroj të bëjë diçka.
Sa për tash, provoj të qëndroj i/e qetë dhe i/e hapur se çka dëshiron të më thotë prania e Tij.

 

Liria

Do të provoj që së paku shkurt t`i harroj të gjitha brengat dhe problemet

që ndoshta më mundojnë në këtë moment.

Të gjitha brengat e mia i vendos në duart e Zotit – së paku disa minuta deri sa të zgjatë kjo lutje.

 

Ndërgjegjësimi

E di që Zoti më do pa kushte.

Për këtë arsye me sinqeritet e vështroj ditën që po kalon, ngjarjet dhe përjetimet.

A ekziston diçka që duhet të jem mirënjohës/e? Atëherë do të falënderohem.

Diçka që ndihem fajtor? Atëherë do të lus për falje.

 

Fjala

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit pa u ngutur, disa herë,

dhe do të ndalem në atë fjalë apo ngjarje që më prek, që më flet pikërisht mua.

 

Lk 9, 57-62

 

57 Ndërsa po bënin rrugë, një njeri i tha:

“Unë dua të vijë pas teje ngado që të shkosh!”

58 Jezusi iu përgjigj:

“Dhelprat i kanë strofujt e vet edhe shpendët e qiellit çerdhet, kurse biri i njeriut nuk ka ku ta mbështesë kokën!”

59 Një tjetri i tha:

“Eja pas meje!”

Por ai iu përgjigj: “Zotëri, më lejo të shkoj një herë e ta varros tim atë!”

60 “Lëri ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ që të vdekurit t’i varrosin të vdekurit e vet e ti shko e prediko Mbretërinë e Hyjit!”

61 Atëherë i tha një tjetër:

“Unë po vij me ty, Zotëri, por më jep leje njëherë të shkoj e të përshëndetem me anëtarët e familjes sime.”

62 “Kushdo ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ që vë dorën në parmendë dhe sillet e shikon mbrapa, nuk është i përshtatshëm për Mbretërinë e Hyjit!”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimi Shenjt:

 

  • Jezusi i thërret edhe të tjerët që ta ndjekin atë. E pra, apostullimi apo dishepullimi, d.m.th. me qenë nxënës i tij, është një thirrje radikale që kërkon përgjigjen tonë me gjithë zemër. Kjo përfshin bartjen e kryqit çdo ditë dhe shkuarjen pas Jezusit.
  • Krahasoje përkushtimin, dorëzimin e plotë të Jezusit për të kryer vullnetin e Atit të tij me parakushtet dhe pengesat që mund t`i krijojmë ne duke i përgjigjur thirrjes së tij për të qenë dishepujt e tij.

 

Bashkëbisedimi

Si e kam përjetuar Fjalën e Hyjit? A më ka lënë të ftohtë?
A më ka ngushëlluar apo nxitur që të veproj më ndryshe?
E paramendoj Jezusin sesi është duke qëndruar apo ulur pranë meje,
i drejtohem dhe ia tregoj të gjitha çfarë ndiej.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »