Identiteti ynë më i thellë qëndron në marrëdhënien tonë me Hyjin

Sep 29 • Meditimi i ditës

29 shtator 2016 – E enjte, Mihilli, Gabrieli, Rafaeli, Kryeengjëj, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Dn 7, 9-10.13-14; ose: Zb 12,7-12a; Ps 138,1-5; Gjn 1,47-51)

 

Prania e Hyjit

Jezusin mund ta kërkojmë në çdo kohë të ditës apo të natës.
Ai gjithmonë pret, duke përgjuar thirrjen tonë.
Çfarë bekimi i mrekullueshëm!
Nuk kam nevojë as për telefon as e-mail, vetëm një pëshpëritje.

 

Liria

Do të provoj që së paku shkurt t`i harroj të gjitha brengat dhe problemet

që ndoshta më mundojnë në këtë moment.

Të gjitha shqetësimet e mia i vendos në duart e Zotit – së paku disa minuta deri sa të zgjatë kjo lutje.

 

Ndërgjegjësimi

Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie – lidhje, me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I vërej këto marrëdhënie dhe falënderoj për jetën që rrjedh nëpër to.
Disa prej këtyre marrëdhënieve janë shtrembëruar, disa janë rrënuar, disa janë ndërprerë:
Ndoshta për këtë arsye ndjehem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.
Lus për dhuratën e pranimit dhe faljes.

 

Fjala

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Gjn 1, 47-51

 

47 Kur Jezusi e pa Natanaelin duke u afruar, tha për të:

“Ja një izraelit i vërtetë në të cilin nuk ka dredhi!”

48 “Nga më njeh?” ‑ i tha Natanaeli.

Jezusi iu përgjigj:

“Para se të të thërriste Filipi, të pashë nën fik!”

49 Atëherë Natanaeli i tha:

“Rabbi, ti je Biri i Hyjit! Ti je mbreti i Izraelit!”

50 Jezusi iu përgjigj:

“Pse të thashë: ‘Të pashë nën fik’, po beson. Do të shohësh më shumë se kaq!”

51 Dhe shtoi:

“Për të vërtetë, për të vërtetë po ju them: do ta shihni qiellin e hapur dhe engjëjt e Hyjit duke u ngjitur e duke zbritur mbi Birin e njeriut.”

  

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Çfarë komplimenti të mirë i bëri Jezusi Natanaelit! Ja një njeri në të cilin nuk ka dredhi – i sinqertë, besnik dhe i drejtë përpara Hyjit. Identiteti ynë më i thellë qëndron në marrëdhënien tonë me Hyjin.
  • O Zot, po vij sot tek ti. Ti e njeh zemrën time. A mos ka ajo dredhi?
  • Në prani të lavdisë së Tij kujdesu me vëmendje për zemrën tënde që mendimet e tua mos të të turpërojnë; sepse ai e sheh fajin, mendimet dhe dëshirat aq qartë sikurse qimen e zezë në qumësht të pastër” (Rumi).

  

Bashkëbisedimi

Jezus i dashur, po ta çeli zemrën.

Mund të të them gjithçka më mundon.

E di që kujdesesh për gjithçka i përket jetës sime.

Më mëso që të jetoj në dijeni se ti kujdesesh sot për mua,

se do të kujdesesh edhe të gjitha ditët e jetës sime.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »