Shën Mihilli Kryengjëll – Festë në Famullinë e Doblibares

Sep 30 • Kisha në Kosovë

Në festën e pajtorit të Famullisë së Doblibares, të dielen, 25 shtator 2016, u kremtua mesha në praninë e qindra besimtarëve, në oborrin e Kishës së Shën Mihillit Kryengjëll.

Meshën solemne e kremtojë Pater Anton Nua, françeskan nga bashkësia e fretërve në Gjakovë, në bashkëmeshim me meshtarë  të tjerë që u bashkëngjiten këtij kremtimi.

Pater Antoni në homelinë e tij shtjelloi natyrën e engjëjve dhe rëndësinë që ata kanë në jetën e besimtarëve. Ja një përmbledhje nga homilia e tij:

Zoti ka krijuar sendet që shihen e që nuk shihen. Ndër krijesat që shihen njeriu është krijesa ma e persosur e Zotit. Kurse krijesat që nuk shihen janë engjëjt, me mision të veçantë që Zoti i ju ka caktuar. Zoti i ka caktuar secilit njeri një mbrojtës, një shok të jetës, të pandashën, përcjellës dhe shoqërues në jetë; ky është engjëlli rojës apo siç i themi ne, engjëlli rojës – tha P. Antoni.

Për engjëjt – vazhdoj frati – gjejmë të flitet në Besëlidhjen e Vjetër dhe në Besëlidhjen e Re, ku tregohet se engjëjt kanë vepruar dhe kryer misione të ndryshme që Zoti ju ka caktuar. Kryengjëlli Mihilli, që e fesojmë sot, emri i të cilit do të thotë “kush është si Zoti, na mëson se nuk duhet të adhurojmë zota të tjerë, ata zota që janë krijesa të duarve tona e që na mashtrojnë e na çojnë në drejtime të gabume.

Shën Mihilli është i dërguar me e mujt të keqen, me na mbrojtë prej të ligave që na kanosen; e sot na drejton mesazhin që mos të kemi frikë, sepse ai është shoqëruaesi dhe mbrojtësi ynë. Porse, njëkohësisht, ai na fton të mos e harrojmë Zotin, Hyjin tonë, që është i vetmi Zot i vërtetë. Ja edhe arsyeja pse duhet të falënderojmë Zotin për këtë dhuratë që na ka ba; ka krijuar engjëjt dhe na ka dhuruar si miq në jetën tonë. E sidomos Famullia e Doblibarës është e privilegjuar që ka një mbrojtës të këtillë. Prandaj, ta lusim Shën Mihillin dhe të gjithë engjëjt e Zotit, që të na prijnë në rrugën e vërtetë kah Zoti dhe të na ruajnë nga çdo e keqe, që të mund të arrijmë në jetën e pasosur për ta gëzuar jetën bashkë me Trininë, përfundoj p. Antoni.

Kremtimi i meshës ishte i përcjellë me këngë liturgjike të korit të Famullisë, të përbërë nga të rinj e të reja nën udhëheqjen e motrave Bijat e Dashurise Hyjnore.

[wonderplugin_gallery id=”17″]

Shpërndaje

Comments are closed.

« »