Forca e besimit dhe e shërbimit

Oct 1 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela XXVII gjatë vitit C

 

Leximi i parë Hab 1, 2-3; 2, 2-4

Lexim prej Librit të Habakukut profet

Deri kur do të thërras në ndihmë, o Zot, e ti nuk do të dëgjosh? “Dhunë!” – do të klith kah ti, e ti nuk do të më shpëtosh? Pse ma qet para ta shikoj padrejtësinë e ti vetëm e kundron dhunën? Para meje është shkretim e dhunë, bëhet rragatje e peshë çohet grindja!
Zoti atëherë më gjegji e më tha: “Shkruaje vegimin, zgavërroje përmbi rrasëza që lexuesi ta lexojë rrjedhshëm. Është vegim për kohë të caktuar, kah përmbushja shkon, nuk rren; nëse vonon, prite me shpresë, se do të vijë e s’do të vonojë! Sharron ai që i drejtë s’është në shpirt: në saje të fesë së vet jeton i drejti!”

Fjala e Zotit.

 

PSALMI 51

O Zot, bëj që ta dëgjojmë zërin tënd

—– —– —–
Ejani t’i këndojmë Zotit,
t’i brohorisim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje,
t’i këndojmë këngë hareje!
—– —– —–
Ejani ta adhurojmë,
të biem përmbys para tij,
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullotës së tij, grigja që ai e ruan.
—– —– —–
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij:
Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
kur etërit tuaj më vunë në sprovë:
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
—– —– —–

 

Leximi i dytë 2 Tim 1, 6-8.13-14

Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Timoteut

Fort i dashur, të përkujtoj ta ringjallësh dhuratën e hirit të Hyjit që është në ty në saje të vënies së duarve të mia. Sepse Hyji nuk na e ka dhënë shpirtin e frikës, por përkundrazi shpirtin e virtytit, të dashurisë dhe të urtisë.
Prandaj mos të vijë marre ta dëshmosh Zotin tonë as mua të burgosurin e tij, poq hiq keq bashkë me mua për Ungjill duke u mbështetur në fuqinë e Hyjit. Ki për normë fjalët e shenjta që i ke dëgjuar prej meje në fe e në dashuri që është në Krishtin Jezus. Ruaje, me ndihmën e Shpirtit Shenjt që banon në ne, visarin e paçmueshëm të fesë që t’u besua.

Fjala e Zotit.

 

Aleluja.
Ndriçoni porsi pishtarë në botë, duke e mbajtur lart Fjalën e Jetës.
Aleluja.

 

Ungjilli Lk 17, 5-10.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, apostujt ia drejtuan Zotërisë këtë lutje: “Na e shto fenë!”
Zotëria u tha: “Po të kishit fe aq sa është kokrra e sinapit, do t’i thoshit këtij mali: ‘Shkulu me gjithë rrënjë dhe mbillu në det!’ – e ai do t’ju dëgjonte.
Cili prej jush do t’i thotë shërbëtorit të vet që i punon tokën ose i ruan dhentë, kur të vijë në mbrëmje prej fushës: ‘Hajde e ulu me të shpejtë në tryezë!’ A thua jo, përkundrazi, nuk do t’i thotë: ‘Bëje gati darkën, ngjishu e më shërbe sa të ha e të pi unë një herë e pastaj ha e pi edhe ti!?’ A thua do ta falënderojë shërbëtorin pse zbatoi çka iu urdhërua? Po kështu edhe ju, kur të kryeni gjithçka ju qe urdhëruar, thoni: ‘Jemi shërbëtorë të pavlefshëm. Bëmë vetëm atë që patëm detyrë të bëjmë’.

Fjala e Zotit.

 

POROSIA

“Gjithçka që është e imja, është edhe e jotja.”. “Jepni dhe do t’ju jepet.”. “Falni dhe do t’ju falet.”. Jepi hua atij që nuk mund të ta kthejë kurrë huanë”: të gjitha këto fjalë tregojnë një kulturë me të cilën ne nuk jemi mësuar. Por janë përvojat e Ungjillit, që nga njëra anë i jep një pamje magjepse, dhe nga ana tjetër, nëse jemi pak realistët, na bëjnë t’i kërkojmë, si dishepujt Jezusit: “Shtoje besimin tonë!”. Të kënaqin tek i dëgjon, por i kalojnë forcat tona. Shumë gjëra na pengojnë për t`i vënë ato në jetën e përditshme.

“Shtoje besimin tonë” nuk do të thotë të na japë njohje të reja, arsye të reja për të dhënë përgjigje më të mira bashkëkohësve tanë. Shtoje besimin nuk do të thotë shtim i arsyeve… “Zemra ka arsye të cilat arsyeja nuk i kupton” thoshte Paskal.

Lutja, “Shtoje besimin/fenë tonë” i përket zemrës, e kuptuar si vendi i vendimeve më të përshtatshme për një mënyrë jetese. Është sikur të thuash: “Shtoje përkrahjen tonë ndaj Teje, Jezus, shtoje përngjasimin tonë me ty. Sepse ti na pëlqen, na intereson, je thesari ynë.” “Aty ku është thesari yt, aty do të jetë edhe zemra jote”.

Por nuk jemi të aftë t’i rezistojmë dëshirës për t’iu përgjigjur të keqes me të keqe, të mos protestojmë kur nuk na njihen meritat tona, ose të kapemi për dëshpërimi kur të gjithë na braktisin. Ti, Jezus ishe kështu: i ke qëndruar besnik deri në fund asaj që – siç thotë Ungjilli i Gjonit – “duke ditur që Ati të kishte dhënë çdo pushtet” për t’i dhënë një ndryshim historisë së mëkatit dhe dhunës së njerëzimit (Gjn, 13, 3),duke ditur se Juda po të tradhëtonte, se Pjetri do të të kishte mohuar dhe se të gjithë do të braktisnin, e bëre në heshtje vendimin për t’iu larë këmbët të gjithë atyreve, në një heshtje që atyre, plot habi dhe mosbesim, duhet t’iu ketë dukur e përjetshme. Dhe e ke bërë si të ishte një gjë e natyrshme, pa pretenduar duartrokitje, me lirinë e atij që, me vetëbesim dhe vendosmëri, e di se ku do të arrijë. Ti, o Hyj i gjithëpushtetshëm, na ke bërë prijës në rrugën drejt shërbimit. “Shtoje besimin tonë” do të thotë na jep të njëjtën liri dhe vetëbesim. Na mëso të bëjmë atë ç’ka mundim, pa u ndier heronj; në mënyrë që më pas të themi se “jemi shërbëtorë të panevojshëm, kemi bërë vetëm atë që duhet të bënim”.

Na bën përshtypje të mirë mënyra e thjeshtë dhe e pa ndrojtur e Papës Françesko dhe ftesat e tij për t’u bërë Kishë e varfër dhe besnike ndaj Ungjillit. Një shembull i tillë na pëlqen, çarmatos shumë qëndresa për të shërbyer, më shumë se sa shumë arsyetime.

Forca e besimit të vërtetë nuk ka si qëllim atë të zhvendosjes së maleve, por të ndryshojë zakonet, shprehitë tona, të cilat, më tepër se sa të dëshmojnë Krishtin, janë mbrojtja e rehatisë sonë ose janë mënyra me të cilën, në vend që t˙u shërbejmë të tjerëve, presim që të tjerët të jenë në shërbimin tonë. Sa herë e përdorim punën tonën për interesin tonë më shumë sesa për interesin e atyre për të cilët detyra jonë ishte menduar? Kur thërrasim Mbretërinë e Hyjit në favorin tonë, është shumë e vështirë ta mendojmë veten si shërbëtorë të panevojshëm, sepse bëhemi të nevojshëm për interesat tona.

Fëmijët shërbejnë ose sepse janë dënuar që ta bëjnë ose për të marrë ndonjë shpërblim. Frikacakët shërbejnë për të shmangur ndëshkimet. Ne shërbejmë për të qenë “sipas imazhit dhe përngjasimit me Hyjin” që është bërë shërbëtor për dashuri. Shërbimi i bërë pa pretendime, domethënë për besim dhe dashuri, vlen më tepër se shpërblimi. Besimi i vërtetë është ai që do Hyjin më tepër se dhuratat e tij.

Shërbëtori besnik nuk ka interes tjetër përveç se atij të të qenurit besnik, dhe për këtë nuk synon për ndonjë dobi të domosdoshme. Është një “shërbëtor i pavlefshëm”, ose ndoshta është pikërisht ai shërbëtor për të cilin ka më shumë nevojë sot bota.

A nuk është ky Ungjillizimi për të cilin flitet aq shumë?

Edhe kjo është pikëarritja e ecjes shpirtërore të shenjtërve, si Shën Françesku me “gëzimin e përsosur”.

Lutja përfundimtare e intinerarit të Ushtrimeve shpirtërore të Shën Injacit është një shembull ndër të tjerat:

“Merre, o Zot, dhe pranoje gjithë lirinë time, zgjuarsinë time, inteligjencën time dhe gjithë vullnetin tim, gjithçka kam dhe zotëroj. Ti m`i ke dhënë, Ty, o Zot, po t’i kthej; gjithçka është e jotja, dhe vendos sipas vullnetit tënd. Më jep dashurinë tënde dhe Hirin tënd, kjo më mjafton.”(Ushtrimet Shpirtërore të Shën Injacit, nr. 234)

Armando Cecareli SJ

 

Lutja e besimtarëve

O Zot, ty që na njeh më mirë se që ne e njohim vetveten, po të drejtohemi me lutje për nevojat tona personale, familje dhe shoqërore.

  • Frika dhe guximi janë pjesë e jetës sonë. Na mëso se si t`i shohim të dyjat në jetën tonë dhe së bashku me ty të ndërtojmë në realitet, të lutemi.
  • O Zot na jep shpirtin tënd të dashurisë, shpirtin e një mendje të shëndoshë, që të dimë fjalët e mëdha t`i zbatojmë edhe me vepra të vogla, por me dashuri të madhe, të lutemi.
  • O Zot, shpirti yt ka fuqinë krijuese. Atij i pëlqen të krijojë fillime të reja për të ndërtuar ura, për të kapërcyer hendeqe. Bëj që mos të frikësohemi nga përvojat e kaluara, dhe na jep zemër që të dimë të kalojmë edhe nëpër retë e zeza, duke besuar në shoqërinë dhe fuqinë tënde, të lutemi.
  • O Zot, shpirti yt i dashurisë nxit njerëzit për të plotësuar njëri-tjetrin, për të dëgjuar historitë e njëri-tjetrit, për të ndarë frikën. Ndriçoji fytyrat e ngrysura. Bëj që gjuha jonë të përdor fjalë, që mund të ndryshojnë madje botën, të lutemi.
  • O Zot, Shpirti yt krijon pajtim në mosmarrëveshje, ngadalëson mendimet e përshpejtuara, peshon opsionet. Bëj që pas çdo nate me shpresë t`ia fillojmë ditës së re, të lutemi.

O Zot, me pushtetin tënd, dashurinë dhe maturinë tënde, je i pranishëm në jetën tonë. Me fuqinë tënde krijuese, dashurinë tënde që i mposhtë edhe forcat shkatërruese, vdekjen, mbushe mbarë botën me shpirtin tënd çlirues, nëpër Krishtin Zotin tonë. – Amen.

 

Përgatiti: P. Shtjefën Dodes SJ

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »