Në moshën 101 vjeçare e merrë Kungimin e parë!

Oct 3 • Kisha në botë

 

Në moshën 101 vjeçare, në qindvejçarinë e jetës së saj, zonja braziliane Doña Penha, ka përjetuar një gjë të jashtëzakonshme: ka marrë Kungimin e parë gjatë Meshës së Shenjtë në kishëzën e përkujdesit shëndetësor të Zojës së Malit Kamel në Rio de Janeiro, Brazil.

Meshtari që kishte ndarë kungimin e parë dhe gjithë ata që kanë marrë pjesë në këtë festë, tregojnë se ishte një dëshmi e mrekullueshme e dashurisë së Zotit dhe një emocion i papërshkruar, duke parë se si një grua e moshuar, pas një jete të vështirë, e mënjanuar, në fund të jetës së saj përjeton dritë dhe dashuri.

“Ishte një çast i bukur, i cili na dëshmon se kurrë nuk është vonë me e marrë kungimin (eukaristinë e shenjtë). Për ata që e kërkojnë Zotin, asnjë kohë nuk i pengon për ta pranuar Atë.  Këto ngjarje janë raste për të ripohuar dhe përthelluar fenë.” – tha prifti që kremtoj meshën.

Zonja Doña Penha, para një viti kishte ardhur në Shtëpinë e përkujdesit për të moshuar, e cila udhëhiqet nga Motrat e Zojës Rruzare të Fatimës. Aty gjendet një kishëz ku kremtohet mesha gjatë javës. Zonja Doña kishte filluar të shkonte në meshët, bashkë me gratë e tjera.

Pas një kohe, duke parë bukurinë e kremtimit të meshës, ajo kishte kërkuar të marr kungimin e shenjtë. Ajo është në gjendje të mirë mendore – dëshmojnë motrat -, e vetëdijshme për vetveten dhe për atë që kërkon. Motrat e nderit, duke e pare dëshirën e saj të flakët për të marrë kungimin, e kishin përgatitur për të pranuar sakramentet, dhe më 28 shtator të këtij viti merr kungimin e parë, duke e shndërruar në një festë të bukur të jetës së saj dhe të shtëpisë së moshuarve.  

Secili njeri ka kohën e tij për ta pranuar dhe dashur Zotin. Kjo grua kishte këtë kohë dhe atë e shfrytëzojë dhe nuk e la t’i ikën. Pranoi Atë, i cili e kishte pritur me vite. Tani ajo jeton e lumtur, me shujtën hyjnore, e rrethuar me kujdesin dhe butësinë e motrave dhe shoqeve të saja.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »