Gëzimi jo vetëm emocion por edhe virtyt

Oct 4 • Opinion

 

Nga m.Franciska (Suzana) Lekaj

Një ndër tetë emocionet bazë është edhe gëzimi, mirëpo jetojmë në një botë në të cilën gëzimi i të jetuarit po shuhet gjithnjë e më shumë, si rrjedhojë nuk vlerësohet sa duhet, e gjithnjë e më pak po i jepet rëndësi në të përditshmen, e në shoqërinë tonë.  Kjo mungesë e vlerësimit dhe e rëndësisë,  po vërehet dita- ditës nga qëndrimet dhe nga bisedat tona, nga shtypi e gjithashtu edhe nga media. Pasi, nëse e vëmë re, në të shumtën e rasteve bisedat tona fillojnë e përfundojnë nga gjërat e pakëndshme që kemi përjetuar apo përjetojmë. Po kështu, edhe shtypi e media u jep rëndësi e u kushton  kohë gjërave negative dhe jo atyre  pozitive, të cilat mendoj se nuk na mungojnë.

 Lind pyetja: Pse i japim më shumë rëndësi lajmit jo të mirë?! Pse përflitet më shumë e më gjatë, për një ngjarje negative sesa për ngjarje, që na kanë bërë apo na bënë të gëzohemi?! Pse, kur dikush na thotë një të keqe menjëherë e besojmë, kurse kur dikush na thotë diçka të mirë, nuk e besojmë?! Pse kur dikush na thotë të dua, nuk e besojmë por na lindin dyshime a më do me të vërtet?! Pse  kur na thuhet ndonjë gjë negative, menjëherë e marrim si të mirëqenë dhe e kujtojmë vazhdimisht?! Pse jemi të prirur t’i japim më shumë përparësi, negatives sesa pozitives?! Pse takojmë kaq shumë njerëz me fytyra të ngrysura?! Pse kemi frikë më shumë nga gëzimi sesa nga trishtimi dhe  izolimi?! Pse…?  Shumë pyetje të tjera mund t’ia drejtojmë vetes e të tjerëve, dhe në të shumtën e  herëve nuk marrim përgjigje.

Atëherë, çfarë kërkohet nga ne?Ajo që na kërkohet, është që sot të fillojmë ta shijojmë artin e gëzimit, i cili është pjesë e jetës, dhe është në ne e brenda nesh. Na kërkohet që të fillojmë t’i japim më shumë rëndësi gëzimit, sepse ai është një emocion dhe  virtyt që ngjyros jetën tonë, e që e bënë atë më të bukur. Pasi, dita- ditës, jemi duke rrezikuar, duke i lënë anash dhe duke ua zënë frymën vlerave që i japin kuptim e shije jetës sonë, duke u dhënë më shumë  rëndësi gjërave që na bllokojnë si: trishtimi, frika, mbyllja, opinioni, thashethemet etj. Pra, të përket ty që sot të fillosh tё ushtrosh artin e gëzimit e t’i japësh ngjyrë e shije jetës e marrëdhënies me tjetrin. Paul Claudel thotë: “Njerëzit nuk kanë asnjë detyrë në botë përveç gëzimit”.

Çfarë është gëzimi?

Në aspektin psikologjik, gëzimi në vetvete mund të konceptohet si një gjendje emocionale, që lidhet me faktin se një qëllim është  arritur, ose kur individi me bindje shkon drejt realizimit të synimeve, dëshirave, e qëllimeve që ia ka vënë vetes. Një qëndrim ky emotiv, që është i lidhur me disa nga karakteristikat e personalitetit të individit. E gjithë kjo e parë në aspektin psikologjik teorik, por gëzimi nuk është vetëm kaq, dhe nuk  mjafton të thuhet se është një emocion, por kërkohet që të shohim e të ndjejmë  diçka më shumë, sepse ai nuk është vetëm emocion por është edhe një virtyt, dhe nuk është e lehtë të flasësh për të, pasi nuk mund të shprehet vetëm me fjalë. Ai shprehet përmes qëndrimeve, sjelljes, zërit, veprimit e shikimit. E këtë e hasim edhe tek shkrimet e Nënë Terezës që thotë: “Po qetë të mbuluar me gëzim, gëzimi do të shkëlqejë në sytë tuaj, në të folurit tuaj, në pamjen tuaj dhe në punën tuaj. Nuk do të arrini ta fshihni dot pasi gëzimi shpërthen.”

Kështu pra, ai cilësohet si kënaqësi shpirtërore, ndaj shfaqet edhe si virtyt. Një ndjenjë që bashkon, e që nuk e lejon të keqen dhe izolimin. Ajo ёshtё ndjenja, e cila me efektivitet më të madh i zhduk largësitë mes njerëzve, ёshtë një emocion që vjen kur ndodhin ngjarje pozitive, për ne e për tjetrin, kur jemi me miq, kur shohim njerëzit që janë të gëzuar, kur ndihmojmë të tjerët, kur ata ndjehen mirë e të gëzuar etj.

Nënë Tereza thotë: “Gëzimi është virtyti i një personaliteti zemërgjerë. Është manteli që mbulon jetën e njeriut, gëzimi është lutje, gëzimi është forcë, është rrjetë dashurie, gëzimi është lidhja jonë e ngushtë dhe e pandërprerë me Zotin”.

Gëzimi, është mjeti më i mirë për të kapërcyer vështirësitë. E për këtë duhet t’i hapim dyer e dritare gëzimit sapo të shfaqet, sepse ai vjen gjithmonë me qëllime të mira. Ai e  bënë njeriun që t’i shohë  gjërat me sy pozitivë me optimizëm[1]. Ai është efekt i dashurisë së dhënë dhe të marrë. Nuk është një prodhim i veprimeve tona por një virtyt që buron nga brenda, nga dashuria, besimi dhe shpresa. Ai është një dhuratë që na dhurohet nga Zoti, ashtu si edhe jeta,  që buron nga brendësia e  që shprehet në marrëdhënie me tjetrin.

Teodor Drajzeri thotë: “Në qoftë se njeriu dëshiron t’i gëzohet jetës së vet të shkurtër, ai duhet të përpiqet ta zbukurojё jo vetëm jetën e vet, por edhe jetën e të tjerëve, sepse gëzimi i tij varet nga gëzimi i të tjerëve.” Kurse Greorges Bernanos thotë: “Të dish ta gjesh gëzimin tënd në gëzimin e të tjerëve kjo është e fshehta e lumturisë. Kështu pra,gëzimin nuk mund ta kërkojmë në farmaci, në fall, në horoskop,sepse nuk gjendet aty, por buron  nga zemra dhe nga të menduarit e thellë shpirtëror,si edhe nga marrëdhënia e mirë e hapur ndaj njëri-tjetrit.

Nuk duhet harruar gjithashtu se, gëzimi ka një lidhje të ngushtë me shpresën. Gëzimi dhe shpresa, janë virtyte që e mbajnë shpirtin njerëzor të gjallë, dhe që i japin njeriut arsye të ecë përpara edhe kur kalon kohë të vështira. Njeriu nuk mund të jetojë pa shpresë e pa gëzim. Këto të dyja janë të lidhura ngushtë, sepse njeriu që ka shpresë nuk i mungon gëzimi e gjithashtu njeriut të gëzuar nuk i mungon shpresa,  nuk i mungon të shikuarit pozitiv e me optimizëm. Kështu që,  shpresa e gëzimi i përkasin kategorive të gjendjes shpirtërore, pra burojnë nga brendësia.

Joseph Addison thotë: “Gëzimi hyn në jetën tonë kur kemi diçka për të bërë, diçka për të dashur dhe diçka për të cilën shpresojmë.” Pra, shpresa dhe gëzimi janë ato që kundërshtojnë dëshpërimin. E këtu vihet re, nëse njeriut i mungon gëzimi dhe shpresa, ai është i shtyrë drejt depresionit e izolimit, kurse nëse në të mbretëron gëzimi, depresioni, izolimi, trishtimi nuk kanë vend. Gëzimi  është i lidhur me shpresën, e njeriu që ka shpresë nuk ka frikё nga gjërat që e rrethojnë. Një shenjë tjetër, që është e lidhur me gëzimin përveç shpresës, është edhe qetësia shpirtërore, buzëqeshja e vërtetë, tё cilat janë të dukshme e kanë një efekt pozitiv, jo vetëm në marrëdhënie me veten por edhe me të tjerët.

Njerëzit e gëzuar

E them me keqardhje se, në kohën në të cilën po jetojmë, takojmë pak njerëz që ia lejojnë vetes ta  shfaqin e ta përjetojnë virtytin e gëzimit. Jo pse gëzimi u mungon, por u mungon aftësia për të kuptuar se çfarë i gëzon. Falë Zotit dhe angazhimit të disa njerëzve, edhepse të pakët, akoma kemi mundësi të takojmë njerëz që na bëjnë ta kuptojmë këtë virtyt.

 Lind pyetja: si mund t’i dallojmë njerëzit qё janë vërtet të gëzuar? A është buzëqeshja ajo që e tregon këtë? Jo gjithmonë, sepse gëzimi i njeriut nuk tregohet vetëm me buzëqeshje, pasi mund të na ndodhë shpesh të takojmë njerëz me buzëqeshje fallso, ata ndryshe janë nga brenda e diçka tjetër mundohen të shfaqin jashtë, gjё  qё është e kundërta e gëzimit, dhe që në psikologji quhet mekanizëm mbrojtës[2]. Gëzimi, është një fryt i shpirtit, që buron nga brenda e që  shfaqet në qëndrimet dhe në  bisedat tona, në punën tonë  me veten dhe me tjetrin.

            Pra, kush janë njerëzit e gëzuar? Njerëzit e gëzuar, janë ata që pasqyrojnë botën sikur kjo të ishte më pak e rrezikshme, janë persona që marrin më lehtë vendime, janë ata që ofrojnë gatishmëri për të ndihmuar të tjerët, janë po ata që tregohen më altruistë[3] e më optimistë. Ata kanë një shpirt të thjeshtë përballë vetes e të tjerëve, e duan jetën, ndaj janë  më të hapur ndaj saj, janë të aftë për t’i parë gjërat me qartësi, dhe për t’i kontrolluar acarimet e përditshme. Gjithashtu, janë ata që marrin përgjegjësi për atë çfarë u ndodhë në jetën e tyre, të këndshme apo të pakëndshme. Janë të hareshëm, e jo vetëm por  me të tjerët, kanë një mendje pozitive dhe të hapur.  Nuk presin duartrokitje, ata thjesht kënaqen me atë që bëjnë, për të gëzuar veten dhe të tjerët. Kjo gjë, na bën të kuptojmë se  gëzimi asnjëherë nuk është relativ[4] por reciprok[5], e që buron nga zemra, nga qetësia e brendshme, e cila nuk mund të fshihet apo të mos duket edhe nga jashtë.

Kështu që,  gëzimi është një stil jete  që i takon kohës së tashme, por që të bëhet vërtetë  stil jete kërkohet të lirohemi nga skemat që kemi krijuar, që të mund ta përjetojmë e ta shfaqim virtytin e gëzimit. Pra, na kërkohet që vazhdimisht të angazhohemi për këto virtyte, gëzimin e shpresën dhe të largojmë trishtimin, frikën sepse ato e bllokojnë atë,dhe nuk e lejojnë që të shfaqet ashtu si duhet. Shën Pali në letrën e Romakëve na thotë: “Në shpresë jeni të gëzueshëm, në vështirësi të durueshëm e në ura të qëndrueshëm.” (Rom 12,12).

            Aty ku mungon gëzimi dhe shpresa, njerëzit ankohen vazhdimisht e vajtojnë veten: vetëm mua më bëhet e padrejtë, vetëm mua më ndodh kështu, vetëm unë jam e\i pafat? E lind pyetja, cili njeri është i liruar nga kryqi apo që nuk vuan për ndonjë gjë? Secili prej nesh ka kryqet e vështirësitë e veta, por nuk duhet të lejojmë që kryqi ose shqetësimet që na shfaqen  të na pengojnë që të humbasim gëzimin e shpresën, sepse gëzimi është një nga engjëjt e jetës sonë.

Pra, të edukohemi në gëzim e të edukojmë me gëzim. Mos të lejojmë që ta na humbasë gëzimi, sepse duke humbur gëzimin njeriu humb edhe perspektivën e gjërave dhe kuptimin e të jetuarit. Kërkohet, që t’ia hapim zemrën forcës së gëzimit, për t’i dhënë një kuptim të vërtetë jetës.”Jua thashë këto që gëzimi im të jetë në ju e gëzimi juaj të jetë i plotë.” (Gjn 15,11).

            Gjithë njerëzit kanë dëshirë dhe kërkojnë, që bota të jetë e gëzuar e  me shpresë, por harrojmë se bota jemi ne, unë,dhe ti. Pra, i takon secilit të fillojë nga vetja.

Mos të harrojmë se jemi të thirrur t’i dhurojmë gëzime e shpresë  tjetrit, e jo nervat tona, jo vetulla të ngrysura, jo buzë të shtrembëruara, jo fjalë që lëndojnë e vrasin. Sepse njeriu i sotëm është lodhur nga këto, ai ka nevojë për gëzim, për një fjalë të mirë, për qetësi, sepse kjo e freskon dhe e çlodh. Mirëpo, nëse ditët  kalojnë dhe nuk arrijmë të gjejmë asnjë pikë gëzimi apo as të dhurojmë gëzim, kërkohet ta pyesim veten nëse gjithçka është në rregull, e nëse  diçka brenda nesh nuk është duke funksionuar.

Me një  fjalë, mbretëroftë gjithmonë gëzimi, shpresa e qetësia në jetën e secilit, dhe mos të ngurrojmë që t’ua dhurojmë të gjithëve.

Nënë Tereza thotё: Gëzimi jepet, gëzimi ndahet, gëzimi nuk fshihet, gëzimi u takon të gjithëve.

REFERENCA:

Adler Alfred ,Poznavenje Čoveka, (1984), Novi Sad.

Orhani. Zenel, Psikologjia emocioneve, (2003), Tiranë.

——————————————————————————–

[1]Optimizëm qëndrim plot gjallëri e gëzim në jetë e në punë, që shpreh siguri e vendosmëri, besim në vetëvete e tek të tjerët dhe në të ardhmen; prirje për të shikuar para së gjithash anët e mira të diçkaje, për të pare mundësitё e zgjidhjes së problemeve e të ecjes përpara, pa u trembur nga vështërsitё dhe pengesat.

[2] Mekanizmat mbrojtës – Teknika psikologjike për të mbrojtur vetveten nga stresi e ankthi, për të zgjidhur konfliktet dhe për të ruajtur respektin për vetveten.

[3] Altruizëm – gatishmëria për të flijuar të mirën vetjake për të mirën e të tjerëve, dëshira e synimi për t’i bërë mirë tjetrit.

[4] Relativ – që nuk është i plotë, që është i kufizuar ose jo i përsosur në një anë; që është i përkohshëm.

[5] Reciprok – që është ose që bëhet në interes të dy palëve; u jep të drejta të përbashkëta të dyja palëve, i ndërsjellët.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »