Inaugurimi i shtëpisë së Lutjes “Shën Jozefi” Karmel – Nënshat

Oct 4 • Kisha ndër Shqiptarë

Etërit Karmelitan, kanë bashkendarë gëzimin e Inaugurimit të Shtëpisë së Lutjes, kushtuar “Shën Jozefit” në Karmel – Nënshat. Në praninë e Atit Gjeneral Karmelitan, Pader Saverio Cannistrà, në prani të Argjipeshkvit të Shkodrës, Imzot Angelo Massafra, Administratorit Dioqezan të Sapës Don Simon Kulli, meshtarë, motra dhe besimtarë të shumtë, kjo ceremoni u mbajt në ditën e Shën Terezes së Jezusit Fëmijë, në Kishën e Shën Mëhillit dhe të Familjes së Shenjtë, pranë kuvendit të Motrave Karmelitane. Me bekimin dhe prerjen e shiritit Shtëpia e Lutjes hapi dyert e saj për të mirëpritur të gjithë njerëzit vullnetmirë për tërheqje shpirtërore dhe takim me Zotin nëpërmjet lutjes, meditimit dhe soditjes. 

Karmeli në Nënshat, i ndërtuar në këtë vend me vlera historike, tashmë është kthyer në një qendër shpirtërore, e cila që prej 29 shtatorit 2003, do merrte jetë rishtas me ardhjen e Motrave Karmelitane. Kjo vepër shpirtërore u bë e mundur nga ish ipeshkvi i Sapës, në atë kohë, Imzot Dodë Gjergji. 
Ndërsa në tetor të vitit 2013, me ftesë të Imzot Lucjan Avgustinit u vendosën edhe Etërit Karmelitanë, prania dhe shërbimi i të cilëve është dhe do jetë, akoma më tepër një dhuratë e madhe për dioqezën Sapës dhe për mbarë trevat Shqiptare.

Shtëpia e Lutjes është një oazë paqeje dhe lutjeje falë pranisë së dy bashkësive karmelitane. Ky vend u ofrohet të gjithë atyre që kërkojnë qetësi, heshtje, predikim, bisedë, formim dhe takim për të zbuluar vetveten dhe Hyjin.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »