Kremtimi i festës së Engjëllit Rojtar në Ferizaj

Oct 4 • Kisha në Kosovë

Të dielen, më 2 tetor, Ferizaji kremtoi Pajtorin e vet, Engjëllin Rojtar.

Famullia ishte përgatitur me triditësh, lutje dhe adhurim. Triditëshin e ka udhëhequr Don Mikel Sopi, i cili ditën e parë foli mbi mesazhin e Kryeengjëve: Mikaelit, Gabrielit dhe Rafaelit. Ndër të tjera, ai kujtoi se vet kuptimi i emrave të Krye-engjëjve shprehë kujdesin e veçantë për jetën e njeriut. Nëpërmjet tyre, Hyji mbron, lajmëron dhe shëron!

Ditën e dytë (meqë ishte dita e shën Jeronimit ilir), predikatari foli për Biblën, si ushqim të pazëvendësueshëm shpirtëror për ditët tona. Ne po jetojmë në një botë të pasigurtë, ngase ajo është e sëmurë shpirtërisht… Kurse diagnoza e kësaj sëmundje është egoizmi i shprehur në manipulime të ndryshme, në nëpërkëmbje të njerëzve, në përbuzje të dashurisë dhe të drejtësisë së Zotit, në shfrenim të veseve dhe lakmive të padenja për njeriun, rrugë kjo që e fyen Hyjin.

Kurse ditën e tretë, Don Mikeli paraqiti një paralelë mes mësimit-mistikës së Shën Terezës së Krishtit Fëmijë me misionin e dashurisë së Shën Nënë Tereze Bojaxhiu, duke thekësuar se nuk ka vepër të vogël para Hyjit, kur besimtari e bënë atë në emër të Zotit. Mrekullitë e shën Nënë Terezës të ndodhura në dy skajet e botës (një e krishterë në Brazil dhe një hinduiste në Indi) tregon se Hyji e përkëdhel tërë njerëzimin (çdo njeri) me dashuri prindërore. Jemi të vetëdijshëm për këtë thesar?

Ndërsa pas meshëve të enjtën dhe të premten ishte adhurimi me të Shenjtërueshmin Sakrament ku ishin të angazhuar edhe të rinjtë e famullisë.

Të dielen, ditën e festës, meshët u kremtuan në ora 9.00 në gjuhën kroate (Don Mikel Sopi), kurse meshën e madhe në ora 11.00 e udhëhoqi vikari gjeneral i Ipeshkvisë, Don Lush Gjergji, në bashkmeshim me meshtarët e famullive fqinje.

Në një atmosferë shumë të këjshme në oborrin e Kishës të mbushur përplot me besimtarë, në mesin e të cilëve ishin edhe motrat e Nënë Terezes dhe motrat tjera, me mot shumë të përshtatshëm, predikatari kujtoi se Hyji është Krijues i botës fizike dhe asaj shpirtërore. Ndër krijesa shpirtërore, Hyji na dhuroi Engjëjt për të na ndihmuar dhe shoqëruar në nevoja të ndryshme të jetës. Don Lushi thekësoi tri komponente kryesore të jetës njerëzore me Zotin: jeta jonë vjen prej Hyjit; ajo shoqërohet, ndihmohet nga Hyji (edhe nëpërmjet engjëjve); por ai njëherit edhe kujdeset për përfundimin e lavdishëm të jetës sonë, duke kërkuar bashkpunimin tonë.

Në vazhdim, Don Lushi i rikujtuar vitet e tëra të kaluara në këtë bashkësi si famullitar. Duke i shpalosur kujtimet nga kjo famulli, ai luti ndërmjetësinë e bashkpunëtorve të tij të dikurshëm që kishin vepruar dhe jetuar në Ferizaj e që tani janë në amshim: Imzot Nikë Prela, Imzot Mark Sopi dhe Imzot Lucjan Avgustini.

Predikatari pastaj vëri në dukje hiret e veçanta që Zoti i dhuroi popullit tonë nëpërmjet dy gjërave shumë të rëndësishme për popullin dhe Ipeshkvinë tonë, ato janë: Nënë Tereza dhe martirët shqiptarë që pësuan nën diktaturën komuniste dhe të cilët do të shpallën të lumë më 5 nëntor 2016.

Në fund të cekim edhe përkushtimin e meshtarit dhe motrave të nderit për këtë kremtim të denjë kishtar dhe shpirtëror, që vërehej si në ambijentet e përgatitura në oborrin e kishës, ashtu edhe gjatë liturgjisë si dhe lutjeve përmbajtësore mbi dhurata dhe lutjeve të besimtarëve.

E falënderojmë Hyjin për këtë dhuratë të mirë shpirtërore. Engjëjt Rojtarë, na ruani ne!

Shpërndaje

Comments are closed.

« »