MARTIRËT SHQIPTARË/2: Imzot Frano Gjini, Lidhja e lashtë, nuk u këput!

Oct 5 • Kisha ndër Shqiptarë

 

Imzot Frano Gjini (Shkodër 20. 02. 1886-Shkodër, 11.03.1948) ipeshkëv, martirizimi i të cilit ia kaloi çdo fantazie kriminale njerëzore: qëndroi i papërkulur para torturave e, pasi nuk pranoi ta shkëpusë Kishën nga Papa, u dënua me vdekje e u pushkatua më 11 mars 1948.

Burri i veshur me veladon të zi, plot njolla gjaku, mezi lëvizte mbi një grumbull kashte, ku e flaknin ditë për ditë pas torturave. E mundonin fort, po jo aq sa të vdiste. Ai u duhej i gjallë… Duhet të bindej, më në fund! Ta këpuste fijen, që zhdridhej trojeve arbërore, që në kohën kur i pati shkelur Shën Pali Apostull. Kohë apostullore… Duhej coptuar hallka, që i lidhte trojet arbërore me pasardhësin e Shën Pjetrit. E hallka ishte pikërisht burri me veladon të gjakosur.

Njeri i mësuar, e dinte mirëfilli historinë e kësaj lidhjeje. Veshur me veladonin e zi që, në vend të shiritave të kuq, prej stofe, stolisej me riga gjaku të freskët, ai kishte vendosur të qëndronte usque ad sanguinis effusionem (deri në pikën e fundit të gjakut) për ta ruajtur të pakëputur lidhjen, që ia kishin besuar e që u kishte bërë ballë shekujve.

E, për të harruar sadopak dhimbjet e tmerrshme, që i shkaktonin plagët, rishkruante në kujtesë, faqet e asaj historie, që ata donin ta shlyenin me çdo kusht. Nëpërmjet dorës së tij. 

E ai, aty, në qeli, nuk mund të mos kujtonte se veprimtaria e diplomacisë papnore në trojet ilire dokumentohet qysh prej vitit 519, kur legatët e papëve, të dërguar pranë perandorit dardan Justini për t’i dhënë fund grindjeve, kalonin nepër Epir, duke siguruar mbështetjen e ipeshkvijve. Në këtë diplomaci, që me themelimin e Selisë Apostolike, nisën të shërbejnë diplomatë të të gjitha rangjeve, deri në shekullin XV, kur nisi epopeja e Skenderbeut. Dokumentet e para, që flasin për praninë e Nuncave Apostolikë pranë Skenderbeut i kujtonin Papën Nikolla V që, me brevën “Cum te ad parles”, të 19 qershorit 1447, emëronte Nunc të tij françeskanin Fra Antoni prej Olivetit dhe e niste te Gjergj Kastrioti, per të forcuar besimtarët në fe e për të nxitur botën e krishterë t’i vinte në ndihmë atij Kreshniku. Njiherësh u jepte tagre të mëdha si atij, ashtu edhe Françeskanve të Shqipërisë, për gjithçka kërkonte interesi i Fesë. Pastaj, edhe nuncat e tjerë papnorë: Fra Eugen Suma e Fra Gjoni de Pralo, atë mision patën: “T’i përforconin të krishterët në fe e t’i nxitnin në luftën kundër turkut”.

Histori më vete, kjo, e ngarkuar me takime, kërkesa për ndihmë, premtime, që përmblidhet në libra të veçantë. E kjo, deri në kohën kur  mbarë trojet shqiptare ranë në dorë të turkut. Kuptohet se pas pushtimit turk të Shqipërisë, nuk mund të bëhet fjalë për marrëdhënie, të rregullta a të parregullta, diplomatike ndërmjet shqiptarëve e papatit, në ndeshje për jetë a vdekje me osmanllinjtë. Filli i këputur i këtyre marrëdhënieve nisi të lidhet rishtas, vetëm pas themelimit të shtetit shqiptar, me delegatin e parë apostolik, imzot Ernest Koci, për të vijuar me imzot Giovanni Battista della Pietra SJ, imzot Ildebrando Antoniutti e, së fundit, imzot Leone G.B. Nigris. Pikërisht imzot Nigris i kishte kumtuar se duhej ta zëvendësonte si delegat apostolik në trojet, prej nga, në vitin 1945, e kishin dëbuar si i padëshiruar. Ishte i pari shqiptar, që përfaqësonte diplomacinë papnore në Shqipëri. Në një kohë kur ky mision paguhej me jetë! Çdo martirizim ka kufirin e vet, por martirizimi i imzot Gjinit, kaloi çdo cak njerëzor.

Pas 16 muaj torturash të pashembullta, zbatuar me gjakftohtësinë e kriminelit, e mbështetën, gjysëm të vdekur, pas murit e plotoni shkrehu armët, që ia këputën jetën. Po lidhja me Selinë Apostolike nuk u këput…. Hyri nën dhe, së bashku me Kishën e Heshtimit. Vendi i ipeshkvit martir mbeti bosh vetëm për 50 vjet. Po ç’janë 50 vjet në historinë dymijëvjeçare të Kishës, që nisi përsëri në Shqipëri diplomatët e saj, për të rindërtuar Kishën e shembur, e shpirtin e rrënuar të popullit shqiptar. Imzot Ivan Diaz (1993-1997), imzot Giovanni Bulaitis (1997-2008), imzot Ramiro Moliner Inglés (2008- )… Lidhja vijon! (www.radiovaticana.va/shqip)

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »