Më jep, o Zot, një zemër që fal kur të tjerët më zhgënjejnë

Oct 5 • Meditimi i ditës

5 tetor 2016 – E mërkurë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Gal 2,1-2.7-14; Ps 117,1-2; Lk 11,1-4)

 

Prania e Hyjit

O Zot, më ndihmo që krejt qenien time t`ia çeli pranisë sate.

Më rretho me dashurinë tënde.

Zemra ime le të bashkohet me tënden.

 

Liria

Vdekja jote në kryq më ka liruar.

Mund të jetoj lirshëm dhe gëzueshëm, pa frikë nga vdekja.

Mëshira jote nuk njeh kufi.

 

Ndërgjegjësimi

Si po e ndiej veten përnjëmend? I/e pa brengosur? I/e turbulluar?
Ndoshta jam i/e qetë, i/e lumtur pse ekzistoj.
Por ndoshta i/e frustruar, i/e brengosur dhe i/e zemëruar.
E pranoj atë çfarë ndiej përnjëmend.
Sepse Hyji më do pikërisht të tillë siç jam realisht.

 

Fjala e Zotit

Kaloje këtë kohë duke e përqendruar vetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.

 

Lk 11, 1-4

 

1 Një ditë Jezusi po lutej diku në një vend. Kur e kreu lutjen, i tha njëri prej nxënësve: “Zotëri, na mëso edhe ne të lutemi, siç i mësoi edhe Gjoni nxënësit e vet.”

2 “Kur të luteni ‑ u tha Jezusi ‑ thoni:

O Atë!

U shenjtëroftë Emri yt!

Ardhtë Mbretëria jote!

3 Na jep çdo ditë bukën tonë të përditshme!

4 Na i fal mëkatet tona,

sepse edhe ne i falim fajtorët tanë.

E mos lejo të biem në tundim!”

 

Ç` dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Nxënësit janë të impresionuar nga fakti se Jezusi lutet, thotë uratë. Pastaj ata donin që të përfshiheshin në marrëdhënien misterioze që ai kishte me Atin. Kështu, Jezusi i mëson se si duhet të bashkëbisedojnë me Hyjin. Mund të na duket se Hyji hesht, por ai na flet nëpërmjet Shkrimit të Shenjtë, sidomos në fjalët dhe veprat e Jezusit. “Momenti i Shenjtë – Lutja e përditshme” këtu na ndihmon.
  • O Atë qiellor, çdo ditë varem prej teje. Me besim kërkoj bukën e përditshme për familjen e veten time. E ti e jep atë me zemërgjerësi. Gjithashtu të falënderoj që më fal mëshirshëm kur të zhgënjej. Më jep një zemër që fal kur të tjerët më zhgënjejnë.

 

Bashkëbisedimi

E filloj bisedën me Jezusin mbi tekstin e Shkrimit Shenjt që pikërisht e lexova.

Çfarë më nxiti më së shumti të mendoj?

Ndoshta nëpërmjet atij rreshti të tekstit në sipërfaqen e vetëdijes sime

ngadalë nga kujtesa dalin fjalët e mikut, apo ndonjë tregim që e kam dëgjuar para pak kohe.

Nëse është ashtu, a po e ndriçon tregimi atë çfarë mundohet të më thotë teksti i Shkrimit Shenjt?

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »