MARTIRËT SHQIPTARË/3: Imzot Jul Bonati: Idealet e mëdha nuk i mbyll dot në çmendinë!

Oct 7 • Kisha ndër Shqiptarë

Imzot Jul Bonati (Shkodër, 24. 05. 1874 – Durrës, 15. 11. 1951), meshtari i madh intelektual, si u mbyll, për torturë, në çmendinë e si provoi tmerre të padëgjuara në qeli të ndryshme të sigurimit famëkeq, nga Vlora në Durrës, vdiq në burgun e Durrësit, pranë Imzot Prennushit, i cili i jepte shûjtën për shtegtimin e mbram: Vojimin Shenjt.

Imzot Jul Bonati përfaqëson një grup krejt të veçantë viktimash të komunizmit: atë të intelektualëve që, parë si kundërshtarë tejet të rrezikshëm, nuk u mbyllën në qelitë e zakonshme të burgjeve a në kampet e përqendrimit. As nuk u torturuan me mjetet e lashta e moderne të torturës, që nuk munguan kurrë në Shqipërinë diktatoriale. Për ta u ruajtën mundime të posaçme. U lëshuan në duar të mjekëve- xhelatë, në spitalet e të çmendurve, nga Vlora, në Durrës. Ndër qeli, edhe aty. Krijuar enkas për intelektualët më të ndritur, domethënë, më kokëshkretë. Që s’njihnin tirani! Për t’i tjetërsuar, duke i përdorur si kavje. Si mundi t’i bëjë ballë intelektuali i madh, njohësi i shumë gjuhëve të huaja, autori i një mori veprash, ndërmjet të cilave “Lahuta e Malcís” përkthyer italisht, këtyre provave, pa  u çmendur?

Ata, që e kishin mbyllur në atë vend, duke e izoluar nga bota, nuk e dinin se ai, e të tjerë, si ai, nuk mund të izolohen, nuk mund të çmenden. Sepse idealet e mëdha nuk i përfillin kurrë muret. Ai ishte aty, në emër të Krishtit. E Krishtin s’kishte forcë në botë që mund ta pengonte për të hyrë edhe aty e për ta ndihmuar të mbetej një, nëpër sprovat e tmerrshme, sajuar për të nga fantazia kriminale. Nuk ishte i pari, që po vuante ashtu. Ehu! Sa skllevër vuajtën e vdiqën me pranga në duar e në këmbë në rrjedhë shekujsh: qysh prej qytetërimeve më të lashta, e deri në shekullin tonë; prej një skaji, në  skajin tjetër të tokës!

E kush i di emrat e këtyre qyqarëve të paemër, që vdiqën ndër situata nga më të tmerrshmet, u munduan me punë tepër të rënda, u torturuan me njëmijë mënyra, u varrosën të gjallë, së bashku me zotërinjtë tyre të vdekur, të cilët besonin se do të vijonin të shërbeheshin edhe në atë jetë. Ishte edhe ai, një prej tyre, një skllav modern, që duhet të flijohej në elterin e marrëzisë. Tejet i kënaqur me këtë rol kaq të vështirë, sepse i pëlqente shumë më tepër të ishte viktimë, sesa fajtor. Kështu të paktën nuk e vriste ndërgjegjja. E paqja e shpirtit, ilaçi më i mirë, e shpëtoi nga çmenduria. E tregon dëshmia e Arshi Pipës, bashkëvuajtës, për pak ditë, në të njëjtën qeliShkruan profesor Pipa: “Më kujtohet një skenë e mallëngjyeshme. Një ditë prunë ndër ne, për pak kohë, imzot Jul Bonatin, famullitarin e Vlonës. E bijshin nga burgu i Qytetit të Jugut, për ta strehue në azilin e çmendunve, në Durrës. Imzot Bonatin e kisha njoftë qyshkur isha student në Firence, ku ai përpiqej të botonte ‘Lahutën e Malcís” të Atë Fishtës, përkthye në gjuhën italiane. I kallxova se njeriu, që gulshonte në shtrat, ishte imzot Prennushi. Atëhere Dom Bonati, që memzi mbahej në kambë…, u ngrejt e, gati tue u zvarrisë, iu qas e bani me i puthë dorën, që imzoti, sadoqi në ankthin e gulshimit, e tërhoqi. Atëherë Dom Bonati i kërkoi bekimin e prelati françeskan, me një përpjekje të fundme, ia vuni dorën mbi krye. Mandej u plandos pa frymë në shtroje”.

Italian me gjak, ai u bë më shqiptar se shqiptarët, në një Shqipëri, që e quajti gjithnjë atdheun e vet. Duke i kushtuar jetë e vepra, të gjitha të humbura, Imzoti i ditur, që kriminelët nuk mundën ta çmendnin, na la trashëgim një pasuri shumë të madhe, të pashkruar, por të dëshmuar me jetë. Qëndresën, në kushte të papërballueshme nga një krijesë njerëzore. Duke vërtetuar se aty ku është shpirti i Zotit, aty është edhe liria e vërtetë. Eksperimenti i bërë në qelitë e një spitali, që ishte ngritur për të shëruar të çmendurit, jo për të çmendur të urtit, dështoi! (Radio Vatikani në gjuhën shqipe)

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »