Në kujtim të shpalljes së Nënë Terezës Shenjte, u mbajt konferencë në Zagreb të Kroacisë

Oct 7 • Kisha ndër Shqiptarë

Shenjtërimi i Nënë Terezës po përjetohet me ndjenja falënderimi dhe është nxitje, motiv e frymëzim i pashtershëm për ta njohur atë më mirë, për t’iu afruar shenjtërisë duke kërkuar hir nga shenjtëria e saj.

Në kujtim të Nënë Terezës së Kalkuës dhe shenjtërimit të saj, më 30 shtator 2016, në Zagreb u mbajt  Konferencë nën patronatin e znj. Ermina Lekaj Përlaskaj, deputete shqiptare në parlamentin Kroat, në bashkëpunim me Univerzitetin katolik Kroat dhe Misionin katolik shqiptar në Kroaci.

Më këtë rast, salla „I lumturi Alojzije Stepinac“ ishte e mbushur përplot me mysafirë, ndër të cilët ishte edhe ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, kryebashkaku i Zagrebit, z. Bandić, ministrja për çështje sociale dhe të rinj në Kroaci, znj. Juretić, deputetë tjerë nga parlamenti Kroat, ambasadorë e përfaqësues të tjerë të trupit diplomatik në Kroaci nga vende të ndryshme si nga: India, Shqipëria, Maqedonia e Kosova. Gjithashtu i pranishëm ishte edhe vikari gjeneral i arqipeshkvisë së Tivarit dhe famullitari i Tuzit, p. Pashko Gojçaj, misionari i Kishës Ortodokse të Maqedonisë në Kroaci, pastaj përfaqësues të Unionit shqiptar dhe të gjitha shoqatave të tjera në Kroaci, meshtarë e motra rregulltare dhe mysafirë tjerë.

Të gjithë të pranishmit, fillimisht, në emër të Misionit katolik shqiptar i përshëndeti Don Kristë Gjergji, pastaj deputetja shqiptare znj. Ermina Lekaj Përlaskaj dhe në emër të Universitetit katolik kroat, prof. dr. Željko Tanjić, bashkëorganizator dhe nikoqir me këtë rast.

Konferenca mbi Nënën Tereze vazhdoi me dëshmitë personale dhe kumtesat  e rastit. Kështu, mbi Nënë Terezën dhe përjetimet me të  dëshmuan: bashkëmotra e saj, pra Misionare e Dashurisë, m. Ivana Karavanić, e cila shpalosi ecjen e saj shpirtërore në përcjellje të Themelueses dhe Nënës së Kongregatës, kurse mons. Mijo Gabrić, dëshmoi si shoqërues dhe bashkepunëtor i ngushtë i Nënës Tereze edhe në hapjen e shtëpive për të varfër në Kroaci e në vende tjera. Poashtu, Drago Štambuk, ambasador i parë i Republikës së Kroacisë në Indi, i cili foli nga këndvështrimi i tij, jo vetëm si diplomat, por edhe si mjek  dhe i devotshëm i saj.

Mbi Nënën Tereze në kumtesën e tij foli don Pren Kola, misionar në Aarau të Zvicrës, me temën: “Nënë Tereza – një jetë për të tjerët”. Ai mes tjerash tha se Nënë Tereza zgjodhi rrugën e thjeshtësisë, punës, heshtjes dhe të lutjes. Kushdo e përcjelli punën dhe jetën e saj,  vërejti se ajo mbrojti jetën, aq e më tepër, u bë jetë për të tjerët.

Në këtë konferencë u lexua edhe kumtesa e prof. dr. Anton Nikë Berishës, profesor në Universitetin e Kalabrisë në Itali. Ai në kumtesën e tij “Shenjtërimi  në jetën e Nënës Tereze”, mes tjerash shkruan: “Përcaktimi i Nënës Tereze dhe i Misionareve të Dashurisë ishte i qenësishëm jo vetëm për t’u ndihmuar e për t’u kujdesur për të varfrit e të mjerët, po para së gjithash për t’i dashur ata me dashurinë hyjnore dhe për t’i hyjnuar ata, për të mbërritur tek zemra e tyre e për t’u njësuar me varfërinë dhe vuajtjet e tyre”.

Ndërkaq, m. Ollga Dulaj në këtë konferencë foli mbi amësinë në figurën e Nënë Terezës, e cila u formua duke filluar nga ambienti i saj familjar, nga mësimet e nënë Dranes, derisa shembullin e përsosour dhe ndihmën e vazhdueshme në lutje të devotshme e gjeti tek Nëna Qiellore, Zoja e Bekuar. Ndërkaq burimi dhe qëllimi i amësisë dhe shenjtërisë së saj qëndron në Amësinë Hyjnore që u mishërua në Jezu Krishtin dhe u dëftua në mënyrë konkrete ndaj njeriut, sidomos atij që është në margjinat e jetës.

Me shpalljen Shenjtëreshë të Nënë Terezës – Nënës së të varfërve, nga Papa Françesku,  në këtë vit Jubilar, Hyji e vizitoi tokën, na vizitoi ne dhe na ledhatoi edhe njëherë me dorën e vet amnore, pra jo vetëm ne shqiptarët, por gjithë botën. 

Të ndriçuar nga kjo figurë amnore e Shën Terezës nga Kalkuta, me gëzim e falënderim për këtë përqafim amnor të Atit Qiellor përmes Shenjtëreshës –dhuratë tokës nga qielli, lutemi që të na e dhurojë hirin e dëshmitarëve të denjë të dashurisë së Tij, pikërisht me daljen tonë nga vetvetja në periferitë e jetës, e kështu një ditë të takohemi në prehrin amnor të Atit, të cilit i qoftë lavdi nëpër Jezu Krishtin, në Shpirtin Shenjt – për të gjithë shekuj të shekujve.

Konferenca u përmbyll me disa pika muzikore, nga kompozitorë: Schubert, Vinçenc Gjini dhe Händel,  interpretuar nga kori Cantores Sancti Marci në Zagreb të Kroacisë.

Për Dritën: m. Ollga Dulaj

[wonderplugin_gallery id=”20″]

Shpërndaje

Comments are closed.

« »