(Mos)mirënjohës për bamirësitë e Zotit

Oct 8 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela XXVIII gjatë vitit `C`

 

Leximi i parë 2 Mbr 5, 14-17

Lexim prej Librit të dytë të Mbretërve
Naamani zbriti dhe u la shtatë herë në Jordan si i kishte urdhëruar njeriu i Hyjit, iu shërua trupi i tij, iu bë si trupi i fëmijës së njomë dhe u shërua. Atëherë me mbarë ndjekësorinë e vet u kthye te njeriu i Hyjit, qëndroi përpara tij e i tha: “Tani po e di se s’ka Hyj në asnjë vend tjetër, përveç në Izrael! Po të lutem, pra, prano një dhuratë prej anës së shërbëtorit tënd.” Por ai iu përgjigj: “Pasha jetën e Zotit, kujt i shërbej, assesi s’i marr.” Megjithëse iu vu për së tepërmi, Elizeu nuk pranoi assesi. I tha Naamani: “Mirë, pra, si të duash. Por, po të lutem, më lejo të marr unë, shërbëtori yt, vetëm aq dhe sa mund të bartin dy mushq, sepse shërbëtori yt nuk do t’i kushtojë fli shkrumbimi ndonjë zoti tjetër përveç Zotit.”  

Fjala e Zotit.

 

Psalmi 98

Ref: Shëlbimi i Zotit është për të gjithë njerëzit
——————————————————-

Këndoni Zotit një këngë të re,
sepse bëri vepra të mrekullueshme!
Ngadhënjeu me fuqi të së djathtës së vet,
me fuqi të krahut të vet të shenjtë.
——————————————————-
Zoti e dëftoi shpëtimin e vet,
përpara paganëve e zbuloi drejtësinë e vet.
I ra ndër mend dashuria dhe besnikëria e vet ndaj shtëpisë së Izraelit.
——————————————————-
Të gjitha skajet e botës e panë
shëlbimin e Hyjit tonë.
Mbarë toka le t’i brohoritë Zotit,
le të gëzojë, të duartrokasë e të këndojë.
——————————————————-

 

Leximi i dytë 2 Tim 2, 8-13

Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Timoteut
Fort i dashur, kujtoje Jezu Krishtin të ngjallur nga të vdekurit nga trungu i Davidit simbas Ungjillit që unë predikoj, për shkak të cilit vuaj deri edhe në pranga sikur të isha keqbërës. Por fjala e Hyjit nuk është në pranga! Këndej edhe duroj çdo vështirësi për të mirën e të zgjedhurve që edhe ata ta fitojnë shëlbimin, që është në Krishtin Jezus bashkë me lumturinë e amshueshme. E vërtetë është kjo fjalë: Nëse ne vdiqëm bashkë me Të, bashkë me Të edhe do të jetojmë. Nëse qëndrojmë besnikë, bashkë me Të do të mbretërojmë. Nëse i biem mohit, edhe Ai do të na bjerë mohit. Nëse ne nuk i jemi besnikë, Ai mbetet besnik! Sepse Ai kurrsesi nuk mund ta mohojë vetveten! 

Fjala e Zotit.

 

Aleluja.
Jemi fis i zgjedhur, meshtari mbretërore, komb i shenjtë; shpallni vepra e madhërueshme të Atij që ju thirri  nga errësira në dritën e vet të mrekullueshme.
Aleluja.

 

Ungjilli Lk 17, 11-19

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Duke udhëtuar për Jerusalem, Jezusi kaloi nëpër Samari e Galile. Kur hyri në një fshat i dolën para dhjetë të gërbulur. Ata zunë vend larg e filluan të bërtasin: “Jezus, Mësues, ki dhimbë për ne!” Kur i pa u tha: “Shkoni e paraqituni priftërinjve!” E ndodhi që, ndërsa po shkonin, u pastruan.
Njëri prej tyre, si pa se u shërua, u kthye duke e lëvduar Hyjin me zë të madh. Ra përmbys para këmbëve të Jezusit dhe iu falënderua. E ky ishte samaritanas. Jezusi mori fjalën e tha: “Po a nuk u pastruan të dhjetët? Ku janë nëntë tjerët? A nuk u gjet asnjë që të kthehet e t’i japë lavdi Hyjit, përveç këtij të huaji? Çohu e shko – i tha – feja jote të shpëtoi!” 

Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Në qoftë se një njeri nga Galilea dëshironte që ndodhej në pjesën veriore të Jerusalemit të shkonte në jug, duhej të kalonte nëpër Samari. Edhe shumë kohë para kohës së Jezusit Samaritanët ishin të shkëputur nga Judenjtë politikisht dhe fetarisht. Nuk kishin raporte miqësore me njëri-tjetrin.

Vazhdimisht e fajësonin njëri-tjetrin se janë bjerrës dhe gjithmonë anashkaloheshin, në këtë mënyrë gjithnjë e më shumë janë bërë të huaj për njëri-tjetrin. Rrugës nëpër vendin e të huajve ke mundur të përjetosh shumë gjëra të pazakonta dhe për këtë ke pasur çfarë të flasësh kur je kthyer në shtëpi.

Në të gjitha kohët në zonat kufitare kanë gjetur shtëpi ata që nuk kanë mundur të qëndrojnë në shtëpitë e tyre të vjetra, ata që kanë qenë më ndryshe, apostatët (që e kanë bjerrë fenë) dhe të pashërueshmit. Jo vetëm që kanë vuajtur për shkak të sëmundjes së tyre, por kanë ndier dhimbje që ishin të përjashtuar nga bashkësia fetare, kështu që u është dashur ta përjetonin edhe faktin se çfarë do të thotë të jetosh në margjinat, zonat kufitare të bashkësisë fetare.

Edhe Jezusi ka përjetuar vazhdimisht gjëra të pazakonta, kur kalonte nëpër Samari. Këtë herë, takohet me një grup njerëzish që sipas zakonit nuk duheshin pakur (për të mos u bërë vetë i papastër), të cilët jetonin si lebrozë (gërbulur) në zonën kufitare. Ai ka mëshirë për ta dhe i dërgon te priftërinjtë, për të konfirmuar shërimin e tyre, në përputhje me dispozitat e Ligjit dhe në mënyrë që ata t`u lejonin t`i ktheheshin qytetërimit. Të gërbulurit kishin besim te Jezusi, të cilit i drejtohen duke i thënë Mësues, dhe janë shëruar, rrugës – ende pa mbërritur në shtëpi. Njëri prej tyre u kthye, ai u hodh para këmbëve të Jezusit dhe e falënderoi. Në këtë pozicion, duke u gjunjëzuar para tij, ai tregon se e ka kuptuar se kush ishte ai që e kishte shëruar. Para kujt tjetër përndryshe gjunjëzohet njeriu, nëse jo para Hyjit …

Nëse sot dikujt prej nesh i bie gripi apo flama, ai ose ajo shkon tek mjeku ose farmacisti dhe mund të marrë një ilaç të duhur për të shpejtuar shërimin. Për sëmundjet më komplekse apo edhe të rrezikshme për jetën mundet njeriu të marrë këshilla, mbështetje, ndihmë dhe trajtimin e ekipit shumë të specializuar të mjekëve. Faleminderit Zotit! – zakonisht kjo ndikon, ka efekt. Ka edhe njerëz që janë në kërkim të ndihmës te metodat alternative të trajtimit, shërimit. Shumë prej tyre shërohen edhe në këtë mënyrë.

Çka ndikon? Kush i bën njerëzit të shëndetshëm? A janë mjekët, terapistët, pajisjet mjekësore? A jemi në fund të fundit ne vetë që e shërojmë vetveten? Ndoshta në të gjithë këtë kemi të bëjmë me një forcë, të cilën ende nuk e njohim? Kujt ia kemi borxh që shërohemi? Kë e falënderojmë që shërohemi? Çfarë roli kanë njerëzit, çfarë roli luajnë barnat dhe çfarë roli luajmë vetë ne? Kujt duhet në fund t`i shprehim falënderimin tonë? Mjekut? Infermierëve, personelit për përkujdesjen e të sëmurëve? Sistemit të kujdesit shëndetësor?

Shumë njerëz mendojnë në Zotin vetëm atëherë kur as vetë ekspertët më s`dinë se çfarë të bëjnë. Pastaj disi fshehurazi thirret prifti në qoftë se edhe ai është në dispozicion …

Nuk është rastësi që skena me të gërbulurit luhet në zonën kufitare. Këtu shumë gjëra bëhen të mundshme, gjë që nuk ndodh në jetën e zakonshme. Atje ku hasim në jetën tonë me kufij, me kufijtë tanë, hapen mundësitë për të takuar dhe njohur Zotin. Këto janë mundësi, jo më shumë. Vetëm një në dhjetë prej tyre e di dhe arrin të përfitojë nga kjo.

Samaritani i cili u shërua nga gërbula – një prej dhjetëve, një me “një fe të rreme” – gjunjëzohet përpara Zotit duke falënderuar për plagët e shëruar, për shërim.

Shumë njerëz do të bëjë çdo gjë të mundshme për të qëndruar gjatë shëndetshëm dhe në kondicion. Në rast të sëmundjes nuk lënë gur pa rrotulluar për të rimarrë vetveten, për t`u shëruar. A nuk do të na duhej që për shëndetin tonë në fakt më shpesh të mendojmë për Zotin që jep shëndetin dhe shërimin? A nuk na duhet që për shëndetin, kondicionin, ndjenjën tonë të entuziazmit për jetën dhe gëzimin e jetës t`i hapim sytë për Dhuruesin e të gjitha këto dhuratave të mira? Ta falënderojmë Zotin e Mirë edhe për faktin që kemi mjek të mirë. A nuk do të duhej që përveç ditëve përkujtimore të të sëmurëve ta kemi edhe një ditë falënderimi për shëndetin?

Unë jam mirënjohës për kujdesin mjekësor dhe atë që ai bën sot. Kjo mund edhe të kushtojë diçka … Por, megjithatë, unë nuk dua që nëpërmjet “zotave me rroba të bardha” mos ta vërej Hyjin e paimagjinueshëm, ai të cilit i detyrohem për shëndetin dhe shërimin tim. Përsëri dhe përsëri do të doja t`i kthehesha atij që më bën të ndihem i shëndetshëm dhe të shërohem, dhe që më merr për dore, kur as vetë mjekët nuk dinë se çfarë të bënin më shumë. Kjo është arsyeja pse ne mund dhe na duhet të themi sinqerisht, faleminderit, o Zot Jezus, për të gjitha bamirësitë e tua! – Amen.

 

Lutja e besimtarëve

O Zot dhe Atë i mirë, ne ballafaqohemi me situata që na ngarkojnë sa që e ndiejmë veten të trullosur. Po të drejtohemi me lutjet tona:

  • Për ata që janë të sëmurë dhe u duhet të vuajnë. Bëj që të gjejnë njerëz që do t`i ndihmojnë të mbajnë këtë barrë, të lutemi.
  • Për të gjithë njerëzit, nga të cilët shoqërisë i duhet të mbrohet dhe të cilët për këtë arsye mbahen në institucionet e mbyllura. Bëj që të marrin një trajtim të dinjitetshëm, njerëzor, të lutemi.
  • Për të gjithë ata që për shkak të problemeve të tyre jetojnë në margjinat e shoqërisë. Bëj që të takojnë njerëz të cilët mund t`iu ndihmojnë, të lutemi.
  • Për të gjithë njerëzit që janë mirë me shëndet dhe që ty si Krijues dhe Dhurues të të gjitha të mirave nuk të marrin para sysh. Jepu atyre hirin e besimit, të lutemi.
  • Për të vdekurit. Bëj që ta gjejnë ngushëllimin dhe paqen me ty, të lutemi.

O Atë qiellor, ne jemi të vetëdijshëm se sa shumë e kemi për detyrë të të falënderojmë. Bëj që mos të lodhemi duke të të falënderuar dhe duke të dëshmuar ty para njerëzve. Nëpër Krishtin Zotin tonë. – Amen.

Përgatiti: P. Shtjefën Dodes SJ

Shpërndaje

Comments are closed.

« »