Zoti e meriton falënderimin tonë

Oct 9 • Meditimi i ditës

9 tetor 2016 – E diela 28-të gjatë vitit `C`, MOMENI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 2Kr 5,14-17; Ps 98,1-4; 2Tim 2,8-13; Lk 17,11-19)

 

Prania e Hyjit

E marr me mend që gjatë kohës së qëndrimit tim ulur këtu, në këtë vend dhe moment, Hyji më vështron me dashamirësi dhe dashuri

duke lejuar që të ekzistoj.

Do të ndalem një moment dhe do të mendoj për këtë.

 

Liria

Haji ma ka dhënë dhuratën e lirisë.

Madje edhe nëse jam fizikisht i/e robëruar, shpirti im është i lirë.

Më ndihmo që lirinë e dhënë prej teje, me hirin tënd, ta përdori në mënyrë të mençur.

 

Ndërgjegjësimi 

Si po e ndiej veten përnjëmend? I/e pa brengosur? I/e turbulluar?

Ndoshta jam i/e qetë, i lumtur pse ekzistoj.

Por ndoshta i/e frustruar, i/e brengosur dhe i/e zemëruar.

E pranoj atë çfarë ndiej përnjëmend.

Sepse Hyji më do pikërisht të tillë siç jam realisht.

 

Fjala

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Zotit pa u ngutur, disa herë,

dhe do të ndalem në atë fjalë apo ngjarje që më prek, që më flet pikërisht mua.

 

Lk 17, 11-19

11 Duke udhëtuar për Jerusalem, kaloi nëpër Samari e Galile. 12 Kur hyri në një fshat [i] dolën para dhjetë të gërbulur. Ata zunë vend larg 13 e filluan të bërtasin: “Jezus, Mësues, ki mëshirë për ne!”

14 Kur i pa u tha:

“Shkoni e paraqitjuni priftërinjve!”

E ndodhi që, ndërsa po shkonin, u pastruan.

15 Njëri prej tyre, si pa se u shërua, u kthye duke e lëvduar Hyjin me zë të madh lartë. 16 Ra përmbys para këmbëve të Jezusit dhe e falënderoi. E ky ishte samaritanas. 17 Jezusi mori fjalën e tha:

“Po a nuk u pastruan të dhjetët? Ku janë nëntë të tjerët? 18 A nuk u gjet asnjë që të kthehet e t’i japë lavdi Hyjit, përveç këtij të huaji? 19 Çohu e shko ‑ i tha ‑ feja jote të shpëtoi!”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Përsëri, gjërat janë kthyer me kokë-poshtë. Është një Samaritan, një “humbës”, një i huaj i vetmi që e shpreh besimin dhe mirënjohjen e tij. Jezusi është i shqetësuar për shkak të mungesës së mirënjohjes të nëntë të tjerëve. Ai e di që Hyji është dhënësi i të gjitha dhuratave dhe meriton falënderimin tonë. A i jap gjithmonë nder e lavd Zotit?
  • Faleminderit, o Zot, kur ti më fal sa herë që unë jam mosmirënjohës/e, përbuzës/e. Ti kurrë nuk i merr mbrapsht dhuratat e tua ose të më dënosh. Edhe për të mirën time sot, për marrëdhëniet e mia dhe për të gjitha ato që m`i ke dhënë, unë me të vërtet po të falënderoj përzemërsisht!

 

Bashkëbisedimi 

Jezus, po më flet me tekstin e Shkrimit Shenjt.

Bëj që t`i përgjigjem thirrjes tënde të sotshme.

Më mëso që ta njoh dorën tënde vepruese në jetën time të përditshme.

 

Përmbyllja 

Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »