Jezusi na sfidon që të ecim në risinë e jetës

Oct 10 • Meditimi i ditës

10 tetor 2016 – E hënë, MOMENI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Gal 4,22-24.26-27.31 – 5,1; Ps 113,1-5a.6-7; Lk 11,29-32)

 

Prania e Hyjit
“Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rënd dhe unë do t`ju çlodh“.

Ja ku jam, o Zot.

Kam ardhur ta kërkoj praninë tënde.

Shumë e dëshiroj fuqinë tënde shëruese.

 

Liria

O Zot, ma jep hirin që të jem i/e lirë nga ekseset dhe teprimi.

Mos lejo që të më robërojnë dëshira për posedim dhe pasuri.

Ma ruaj mendjen dhe zemrën të lira që të dua dhe të shërbej ty.

 

Ndërgjegjësimi

Në këtë moment, o Zot, po i drejtoj mendimet e mia kah Ti.

Do t`i lë mënjanë punët dhe preokupimet e mia.

Do të pushoj dhe rifreskohem në praninë tënde, o Zot.

 

Fjala

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit ngadalë, disa herë,

dhe do të ndalem në atë fjalë apo ngjarje që më prek, që më flet pikërisht mua.

 

Lk 11, 29-32

29 Pasi populli shkonte gjithnjë duke u bashkuar ai filloi të flasë:

“Kjo brezni është brezni e keqe: po kërkon një shenjë! Porse nuk do t’i jepet shenjë tjetër, përveç shenjës së Jonës. 30 Sikurse Jona u bë shenjë për ninivitët, ashtu edhe Biri i njeriut do të jetë shenjë për këtë brezni.

31 Mbretëresha e Jugut ditën e Gjyqit do të ngrihet bashkë me njerëzit e kësaj breznie dhe do t’i dënojë, sepse ajo erdhi nga skaji i dheut për të dëgjuar urtinë e Salomonit. Dhe, ja, këtu është Dikush më i madh se Salomoni!32 Njerëzit e Ninivës, ditën e Gjyqit, do të ngrihen bashkë me këtë brezni dhe do ta dënojnë, sepse u kthyen me predikimin e Jonës, dhe, ja, këtu Dikush më i madh se Jona!”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Ninivasit qenë ngashëryer deri në pendim nga shenja profetike e Jonës, të cilën e njohën si Fjalën e vërtetë të Hyjit. Më vonë, Hyji e dërgon Birin e vet në botën tonë si shenjë përfundimtare e dashurisë së tij për ne. Kjo do të duhej të nxiste në ne dëshirën për të jetuar një jetë të mirë duke e ndjekur atë.
  • Jezus, ti qëndron para meje si shenjë. Ashtu si Jona, ke qenë i përpirë nga vdekja, por ti u ngjalle së vdekuri dhe më sfidon që të eci në risinë e jetës. Qëndro me mua në kohët e verbërisë sime dhe më tërheq më afër pranisë sate shpëtuese.

 

Bashkëbisedimi

Për çka jam i/e vetëdijshëm/e kur lutem?
A po e shoh se ku jam i/e thirrur të rritem në dashuri?
Jezusi është shoku dhe miku im konstant,
Dhe unë i ndaj përvojat dhe dëshirat e mia me të.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »