REPORTAZH: Shugurohet Kisha e Shën Abrahamit në Llapushnik  – Drenicë

Oct 10 • Kisha në Kosovë

Teksti: Rev. DRITA

Fotografitë: Besim Ndau & Antigona Pjetri

 

Mijëra qytetarë nga të gjitha pjesët e Kosovës, katolikë e të besime të tjera, këtë të dielë, më 9 tetor 2016, ngjiteshin në kodrën e Kishës, për të marrë pjesë në shugurimin e Kishës së re të Shën Abrahamit në Llapushnik të Drenicës.

Meshës së parë në këtë kishë i priu Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, në bashkëmeshim me argjipeshkvin e Tivarit Imzot Rrok Gjonlleshaj, me meshtarët të dioqezit të Kosovës e të tjerë të ardhur nga vende të ndryshme.

Imzot Dodë Gjergji, në homelinë e tij i përshëndeti të gjithë të pranishmit, e në mënyrë të veçantë ata që kanë kontribuar për ndërtimin e kësja Kishe, Don Marjan Uka, famullitarin e Llapushnikut, Dan Limën, Kryetarin e Komunës së Drenasit, bamirës të kësaj Kishe, e të tjerë, që, në mënyra të ndryshme, e kanë ndihmuar ndërtimin e saj, që sot të mund të kremtojmë e festojmë bashkarisht. Homelinë e plotë të ipeshkvit, mund ta lexoni në këtë link, pasi ia vlenë të lexohet e tëra, për shkak të rëndësisë së saj, dendësisë teologjike dhe kontekstuale që ajo mbanë:

http://www.drita.info/2016/10/10/kisha-ne-llapushnik-shtepia-shpirterore-e-te-pareve-qe-i-jep-kuptim-lirise/

Kurse meshën e plotë, nga Kosovapress, mund ta ndiqni këtu:

https://www.youtube.com/watch?v=B7dt38kNcCE

Në meshën e shugurimit kanë marrë pjesë shumë personalitete të jetës publike të vendit tonë, njerëz të kulturës, shkrimeve, liderë të institucionve; Kryetari i Komunës së Drenasit, z. Nexhat Demaku, Kryetari i Kuvnedit të Kosovës z. Kadri Veseli, Ministri i Punëve të Jashtme z. Enver Hoxhaj, Ministri i Kulturës z. Kujtim Shala, e tjerë nga institucionet tjera qendërore dhe lokale.

Në mbarim të meshës ju dha fjala Kryetarit të Komunës z. Nexhat Demaku, i cili përshëndeti të pranishmit “në këtë ditë të veçantë – siç tha ai – në Komunën tonë”, duke i falënderuar gjithë ata që e kanë ndihmuar ndërtimin e Kishës në Komunën e Drenasit, meshtarin e Llapushnikut Don Marjan Uka, donatorë e puntorë. Ai në vazhdim tha se “populli ynë është shembull i tolerances fetare, e për këtë arsye me të drejtë gëzon nderim në opinionin e jashtëm përparimtar”, tha z. Demaku. A më tutje citoj Papa Françekun, i cili gjatë vizitës së tij në Tiranë, i pati porositur shqiptarët, duke theksuar se ju keni më shumë se tolerancë fetare, ju keni arritur vëllazëri fetare dhe jeni shembull për të gjithë. Unë ndihem krenar – tha Kryetari i Komunës së Drenasit – për këtë vlerë të kombit tonë, që nuk është meritë vetëm e gjenratës sonë, por e shumë brezave që e kanë ndërtuar me sacrificë gjatë shekujve. Dhe në fund ai iu drejtua krerëve fetarë duke i ftuar të luten sipas shembullit të paraardhsve tanë, me mesazhe paqeje e harmonie mes njerëzve.

Pas Kryetari të Komunës, me një fjal rasti ju drejtua edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, z. Kadri Veseli, i cili shprehu gëzimin e pranisë së tij dhe uroj të gjithëve që kjo Kishë, sot e shugurar, të jetë e bekuar nga Zoti, duke ju drejtuar në mënyrë të veçantë, famullitarit të kësaj kishe, Don Marjan Uka, të cilit i tha se është i privilegjuar që është famullitarë në këtë vend dhe në këtë kishë. Ne shqiptarët kemi disa fe, por besojmë në një Zot, një Komb, jemi të bashkuar. Lutu Don Marjan në këtë shtëpi të Zotit, në këtë vend të shenjtë, për vendin tonë, për kombin tonë, për familjet tona, që të kemi më shumë paqe dhe mirësi, më shumë dashuri për njerë-tjetrin, për ta dashur më shumë vendin tonë, sepse ne kemi pasur shumë sakrifica. Në këtë vend djemtë e Drenicës, shumë prej tyre i ke në bashkësinë tënde, e kanë mbrojtur këtë vend. Drenica është vend i Besës. Edhe pse ka pak katolikë këtu, ti e ke krejt Drenicën për të pëçuar mesazhin e dashurisë dhe të paqes. E gëzofshim Kishën në Llapushnik e do të vizitojmë shpesh. Për Krishtlindje do të jemi këtu bashkë me familjet tona.

Krejt në fund e mori fjalën edhe Famullitari i kësaj Kishe, Don Marjan Uka, i cili që në fillim e ftoi famullitarin Gerold Hornung, nga Westerstäten afër Ulmit (Gjermani) të merr fjalën, i cili ka dhuruar altarin e posashuguruar të kishës. Don Gerold, në fjalën e tij, u shpreh i gëzuar që merr pjesë, me disa besimtarë, në këtë meshë, i cili ka dhuruar altarin dhe ambonin, në të cilin për vite ka shpallur Fajën e Zotit. Kurse tash ata kanë gjetur një kishë të re, një atdhe të ri, këtu në Llapushnik. Ne jemi të gëzuar që në Kosovë po krijohen bashkësi të reja katolike. Dhashtë Zoti që nga këtu të shpallet Fjala e Jezusit për ta fisnikruar këtë popull me dashuri hyjnore.

Pas fjalës së priftit gjerman, Don Marjani si nikoqir i kishës së Llapushnikut, i përshëndeti të pranishmit, autoritetet kishtare dhe shtetërore, mysafirët nga e tërë Kosova, besimtarë e njerëz vullnetmirë, nga Shqipëria e diaspora jonë, mysafirë nga Gjermania e Zvicërra, donatorë e miqë të kësaj kishe, arkitektin Ardian Doda dhe menaxherin e projektit Dan Limaj. Ai e quajti vetën të padenjë, si vegël e Zotit, për këtë mision të shenjtë, që ia ka besuar Kisha Kosovës për ta ndërtuar këtë kishë të shumëpritur në Llapushnik.  E në fund të përshëndetjes së tij, ai iu drejtuat popullit të Drenicë, se Kisha Katolike i njeh dhe i di të gjitha meritat e juaja për kombin, i vlerëson lartë të gjitha sakrificat që i keni bërë për vendin, lirinë dhe pavarësinë. E di dhe e vlerëson lartë gjakun e derdhur të martirëve tanë, duke e ngritë lartë në piedestalin më të lartë heroizmin e bijave dhe bijve tuaj për liri. E di se ata ranë që ne të jetojmë të lirë, me shpirt dhe trup. Lavdi martirëve të Drenicës, në krye me komandantin tonë lengjendar Adem Jashari.

Pas mbarimit të meshës, në oborin e kishës, u shfaq një program i pasur kulturor-artistik me ansamble të ndryshe popullore.

[wonderplugin_gallery id=”22″]

Shpërndaje

Comments are closed.

« »